Tiranë, aksioni i OSHEE, Peleshi 'Betejë kundër plagëve të shoqërisë'
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/8606_cache-210-150-strict-146424.jpg?itok=977Bmzq5)
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi inspektoi sot aksionin e OSHEE në zonën e Komunës së Parisit, ku u njoh nga punonjësit e OSHEE lidhur me ecurinë e ndërhyrjeve.
Në fjalën e tij, Peleshi u shpreh se misioni i qeverisë është që t’u shërbejë qytetarëve, por se problematika të caktuara qeveria nuk i zgjidh dot e vetme, pa ndihmën dhe mbështetjen e qytetarëve. Në këtë kontekst ai u kërkoi punonjësve të OSHEE që t'i kushtojnë rëndësi komunikimit me qytetarët për të përçuar tek ata mesazhin se që të zgjidhet problemi i energjisë vërtet duhet të investojmë në sistem, por mbi të gjitha duhet që secili prej nesh të paguajë energjinë që konsumon sepse nuk është e drejtë që shumica të paguajë energjinë, kurse disa jo.
"Është e rëndësishme që edhe nga ana juaj të kuptohet shumë mirë nga qytetarët thelbi, se kjo nuk është në fakt një betejë për të rregulluar shifrat e kompanisë së shpërndarjes, kjo është një betejë kundër plagëve të shoqërisë. Është një betejë kundër plagëve të papunësisë të varfërisë që vijnë edhe për shkak të pamundësisë të buxhetit për të çuar ato para që në fakt duhet të shkonin për investime publike për standard më të mirë jetese, për hapjen e vendeve të punës në fund të fundit, shkojnë për të kompensuar qindra miliona dollarë që vidhen cdo vit edhe abuzohen." tha Peleshi
Ai shtoi se jo rastësisht ky aksion ka nisur nga bizneset, pasi është e pafalshme që të fitohen para duke mos paguar energjinë në kurriz të atyre qytetarëve që jane te rregullt.
Ai adresoi edhe sulmet e opozitës duke u shprehur se kjo nuk është një garë mes qeverisë e opozitës se kush bën populistin më të madh, aq më tepër që kjo qeveri vazhdon të përballet me problemet e krijuara nga qeveria e kaluar, sot ne opozitë. Dhe siç u shpreh Peleshi nëse do të vazhdohet njësoj si në të shkuarën, do të përballeshim me të njejtat probleme, të cilat shqiptarët i njohin mirë e nga të cilat duan të shpëtojnë njëherë e mirë.
Add new comment