Manskuri, situata nën kontroll
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ai i Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, kanë inspektuar Ujëmbledhësin e Manksurisë, ku ndërhyrjet në sistemin e shkarkimit dhe ndihma teknike e siguruar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës po çojnë drejt stabilizimit të gjendjes.
Edhe në zonat e përmbytura në Shqipëri situata paraqitet më e qetë, ndërsa intensiteti i reshjeve për periudhën në vazhdim parashikohet më i pakët. Ministri i Brendshëm tha se e keqja gjithsesi nuk ka kaluar dhe të gjitha strukturat dhe qeveria janë në gadishmëri të plotë. Përparësi tha ai mbetet shmangia e pasojave të përmbytjeve dhe organizimi i rrjetit të solidaritetit.
Pak ditë më parë, reshjet e dendura të shiut dhe një shembje mbi digë shkaktuan një situatë emergjente në rezervuarin e Manskurisë, ndërsa banorëve të zonës përreth iu kërkua evakuimi. Aktualisht, specialistët po kryejnë pastrimin e sistemit të shkarkimit dhe kthimin e tij në funksion të plotë, ndërsa vëmendja, përpos emergjencës së reshjeve dhe përmbytjeve, është fokusuar edhe në ruajtjen e nivelit të ujit për të mos rrezikuar furnizimin me ujë të zonës bregdetare gjatë sezonit turistik.
/ Top Channel
Add new comment