PD jep mesazhin: Rama dhe Meta largohuni! Pas fjalimeve nis shpërndarja e protestuesve
Kryetari i forcës më të madhe politike në opozitë, Lulzim Basha ka përforcuar kërkesën e shqiptarëve, të cilët të bashkuar, siç e cilësoi Basha, kërkojnë largimin e Metës, madje e shkarkuan atë nga detyra.
“Shqipëria dhe bota e panë se pamja e shqiptarëve të bashkuar bëri që Meta sot të largohej nga detyra. Të gjithë bashkë jemi mbledhur në këtë protestë, për t’iu kërkuar Ramës dhe Metës që të largohen, duke dëgjuar kështu zërin e shqiptarëve. Kjo për shkak se të gjithë prisnin më shumë punë dhe më shumë siguri, por ndryshe nga premtimet kanë gjetur më shumë papunësi dhe më shumë pasiguri”, tha ndër të tjera kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Duke risjellë në vëmendje edhe çështjen “Doshi”, kreu i opozitës Basha ka thënë se “pasiguria, tritoli dhe krimi kanë kërcënuar çdo ditë qytetarët dhe përgjegjës për këtë janë vetëm Rama e Meta. Bandat e Ilirit, Edit dhe Saimirit kanë dorë të lirë dhe kanë marrë në kontroll territorin e vendit. Akuzat për këtë - sipas Bashës, - vijnë nga ai që deri dje konsiderohej si personi më i afërt i tyre”, duke iu referuar Doshit. Për këtë çështje, kreu i opozitës akuzon, siç ka bërë deri më sot që nga dita e parë e publikimit të kësaj çështjeje, “Ramën, Metën dhe Tahirin, të cilët mbajtën të fshehtë gjithçka dhe tani mundohen t’ia faturojnë përgjegjësinë opozitës, duke aluduar për afrimin e deputetit Doshi me PD-në”.
Sipas Bashës, “kjo ngjarje ndodhi sepse kumbarët nuk ranë dakord për ndarjen e pazareve”, ndaj dhe i bëri sërish thirrje kryeministrit Rama të ndalë presionet ndaj Prokurorisë dhe drejtësisë, e t’i lënë institucionet ta zbardhin këtë çështje në mënyrë të pavarur dhe të shpejtë.
Duke u rikthyer sërish te mitingu i sotëm, e duke nxjerrë në pah numrin e madh të të mbledhurve, sipas Bashës, “bashkimi i sotëm tregon se Qeveria Rama-Meta është rrëzuar moralisht. Ne do të qëndrojmë të bashkuar deri në fitore, ndaj u themi atyre se do të jemi gjithmonë këtu, deri sa ta çlirojmë vendin nga krimi”, ka mbyllur fjalën e tij kreu i Partisë Demokratike.
Një tjetër prej figurave të rëndësishme që foli nga podiumi i protestës ishte edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike, Arben Ristani. Në fjalën e tij, ai u bëri thirrje protestuesve “të ngrenë zërin, sepse kemi nevojë të protestojmë e të na dëgjojnë”.
“Të zgjedhurit tanë kanë vendosur të mos u shërbejnë shqiptarëve, por pushtetit të tyre. Rama ka zgjedhur të urdhërojë vendosjen e tritolit, ndërsa Meta organizon vrasjet e deputetëve”, tha mes të tjerave Ristani, i cili shtoi se “protestat janë zgjidhja e vetme për të mos lejuar vendosjen e diktaturës banditeske”, siç e cilësoi ai.
Që në orët e para të mëngjesit, qindra autobusë nga rrethet u nisën drejt Tiranës. Të organizuar nga strukturat lokale të Partisë Demokratike, mbështetësit e kësaj force politike së bashku me të zgjedhurit lokale udhëtuan drejt kryeqytetit.
Një pjesë e madhe e atyre që marrin pjesë në protestë u nisën me mjete më të vogla në mënyrë sporadike. Organizimet u bënë në qendrat e qyteteve dhe stacionet e autobusëve, ku mbështetesit e Partisë Demokratike iu përgjigjën thirrjes për protestë.
Nga Vlora mësohet se nga ora 07:30 u nisën 5 autobusë dhe disa furgonë. Nga Fieri nisjet kanë qenë më të mëdha, konkretisht 9 autobusë dhe 16 furgonë. Ndërsa në Kukës drejtuesit lokalë të PD thanë se kishin organizuar mbi një mijë persona. Përfaqësuesit e protestuesve nga rrethet thanë se protesta do jetë e qetë.
Siç ishte lajmëruar, policia ka ngritur postoblloqe në të gjitha akset kryesore. Mjetet që transportojnë pjesëmarrësit në protestë janë kontrolluar nga ana e policisë rrugore dhe asaj të rendit e më pas ka vijuar udhëtimi drejt kryeqytetit. Nuk ka njoftime për ndonjë të ndaluar apo të shoqëruar, si dhe për incidente.
Ndërkohë, pranë selisë qendrore të LSI-së në Tiranë janë mbledhur qindra mbështetës të kësaj partie, për t'i bërë kontrast manifestimit të Partisë Demokratike.
/ Top Channel
Add new comment