Cikloni Pam “masakron” ishujt në jug të Paqësorit. Viktima dhe dëme në masë

Postuar në 14 Mars, 2015 05:00

Sipas burimeve, të cituara nga mediat ndërkombëtare, shtëpitë në kryeqytetin Port Vila janë shkatërruar dhe banorët kanë marrë rrugët në kërkim të ndihmës.

Agjencitë e OKB-së deklarojnë se, pavarësisht bilancit fillestar, disa dhjetëra banorë mund të kenë mbetur të vrarë nga katastrofa, e konsideruar ndër më të rëndat në historinë e Paqësorit.

Cikloni Pam ka sjellë në arqipelag erëra që arrijnë deri në 270 kilometra në orë dhe shira shumë të dendura e të rrëmbyeshme.

Chloe Morrison, një oficere komunikimi pranë shoqatës World Vision, që ndodhet në Port Vila, deklaroi se rrugët e kryeqytetit janë mbushur me pjesë çatish, pemë të çrrënjosura nga forca e erës dhe shtylla elektrike të rrëzuara.

Oficerja shtoi se ka të dhëna se fshatra të tërë në zonat e largëta të arqipelagut janë shkatërruar tërësisht.

Ka ende rrezik. Shumë njerëz janë ende duke u ruajtur. Dëmet në Port Vila janë të përmasave të mëdha, por ka edhe shumë ishuj të tjerë të goditur. Nuk e imagjinoj dot në ç’situatë mund të ndodhen banorët e tyre”, deklaroi oficerja.

Raportime të ngjashme bënë edhe oficerë të tjerë, të cilët saktësuan se kominikimet në arqipelag janë shkatërruar, ndërsa i cilësuan 30 minutat e përplasjes së ciklonit si momente terrori.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Australisë, Julie Bishop deklaroi se qeveria po përgatitet të dërgojë një skuadër reagimi ndaj krizave në ishull.

I ndodhur mes Australisë dhe ishujve Hauai, Vanuatu ka një popullësi prej 267 mijë banorësh të përhapur në 65 ishuj, rreth 47 mijë prej të cilëve jetojnë në kryeqytetin Port Vila. / Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.