Samiti i energjisë, Rama: Proces transparent për privatizimin e Albpetrol

Postuar në 17 Mars, 2015 06:30

“Ky do të jetë viti i përfundimit të procesit të stërzgjatur të shoqërisë shtetërore Albpetrol, për të cilën po përgatitet vlerësimi financiar dhe dokumentat e privatizimit me asistencën e institucioneve ndërkombëtare”, deklaroi Rama. 

Kryeministri tha se për qeverinë, Albpetrol është një hibrid që nuk i reziston dot kohës, siç u shpreh ai, por mbetet një aset i vlefshëm dhe siguroi se procesi i privatizimit do të jetë një garë e ndershme për të gjithë aktorët e interesuar. 

Ndërkohë, duke folur rreth potencialit që ofron Shqipëria në sektorin e nxjerrjes së naftës, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se vendi ka 13 blloqe të lira të gatshme për t’u shfrytëzuar nga investitorët e interesuar. 

“Aktualisht janë 13 blloqe të lira në tokë dhe në det dhe pak ditë parlamenti miratoi ndryshimet ligjore që të nisin të jepen këto zona. Së shpejti do të jepen 3 blloqet e para duke synuar kompanitë me serioze të interesuara dhe që mund të përballojnë investimet në kërkime”, deklaroi Gjiknuri. 

Sipas Ministrisë së Energjisë, prodhimi i naftës bruto gjatë 2014-s është rritur nga 1.2 në 1.4 milionë tonë, por mundësitë që ofron Shqipëria janë të mëdha. 

Studimet e hershme gjeologjike sugjerojnë se rezervat me naftë dhe gaz janë rreth 300 milionë tonë, prej të cilave 40 mln janë lehtësisht të nxjerrshme. / Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.