PR-i politik dhe zemërimi i një artisteje

Postuar në 10 Gusht, 2011 14:11

Sopranos Ermonela Jaho i kanë provokuar dhembje, dhe e kanë bërë të ndihet ligsht, një pjesë komentesh të bëra në shtyp lidhur me vizitën e saj në zyrën e kryetarit rishtar të Bashkisë së Tiranës. Këtë e tregon një letër, të cilën ajo e ka shkruar – kështu ngjan – plot zemërim të sinqertë. Me sa duket nuk e ka pritur këtë reagim, gjë që demonstron se e njeh shumë pak botën shqiptare. Ajo përmend kolegët e saj italianë, që “kanë e mbajnë pa asnjë problem lidhje politike”, por këtej nga anët tona është ndryshe. Kjo s’do të thotë që ajo ka bërë gabim që ka kërkuar takim me kryebashkiakun për të diskutuar me të një çështje të interesit artistik; jo, kjo do të thotë se duhej të kish pritur reagimet e bëra. Këtu i thonë Shqipëri.

Në Shqipëri ka dhe një veçanti tjetër, që na dallon nga Italia e vende të tjera. Gjetkë politikanët nuk ia lejojnë vetes të përdorin për qëllime të PR-it të tyre takime të tilla me muzikantë, shkrimtarë, e përgjithësisht celebritete që janë, apo duan të shfaqen, politikisht neutralë. Ndërsa këtu, përdorimi i takimeve të tilla, madje përdorimi brutal, është gjëja më e parë që bëhet. Këtë bënë dhe me Ermonela Jahon e Eliza Dushkun. Zonjusha Dushku as që e ka idenë se ç’kanë bërë me të (as që i intereson; e s’ka pse t’i interesojë, ndoshta), por është ndryshe puna me zonjushën Jaho, e cila është shqiptare 24 karatëshe, ka lindur në Shqipëri, ka prindër shqiptarë, flet shqip, dhe ka me këtë vend një marrëdhënie më visherale, e prandaj ka shumë gjasa që të ketë mbetur ligsht edhe prej lojës politike që u ngrit mbi një takim tepër normal mes një artisti e një dinjitari të lartë.

E.G.

Comments

Submitted by Reformer (not verified) on

Politika jo vetem qe sundon gjithcka, por edhe manipulon gjithcka! Artistet nuk duhet te ishin kaq naive sa te lejonin te perdoreshin per marketing politik, me perjashtim te rastit kur ata e duan vete nje gje te tille! Ne kete rast eshte mire qe ata ta deklarojne hapur qellimin e tyre!

Submitted by Blerimi (not verified) on

Si gjithmone shume zhurme per asgje bejne shqiptaret. Mbetet qe te dale myftiu i Durresit e ta pyes: Vertete do kendoni maje minarese???

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.