Në SHBA hapet një epokë tjetër: Siguracioni shëndetësor është i detyrueshëm

Postuar në 28 Qershor, 2012 12:11

Quhet Patient Protection and Affordable Care Act. Është ligji i hartuar nga administrata Obama, dhe i miratuar me votat e demokratëve në Kongres. Pritej, pas reagimesh të forta ‘kundër’ nga ana e shumë faktorëve, fjala e Gjykatës Supreme. Dhe verdikti erdhi sot. Të shumtit kanë qenë të idesë se Gjykata Supreme do t’i thosh ‘jo’ këtij ligji. E mendonin këtë, ngaqë peshorja në Gjykatë anonte nga konservatorët. Por krejt papritur erdhi një rezultat në favor të një qasjeje liberale. Rezultati ish 5-4. Kreu i Gjykatës, John Roberts, një konservator 24 karatësh, votoi në favor të ligjit ‘Obama’, duke shkaktuar një si shock në radhët e republikanëve.

Ku konsiston ky ligj? Ky ligj e bën të detyrueshëm siguracionin shëndetësor. Janë të detyruar në radhë të parë qytetarët ta marrin siguracionin shëndetësor, por janë të detyruara edhe shoqëritë e siguracioneve që t’u japin polica siguracioni edhe qytetarëve të sëmurë, apo qytetarëve me patologjira kronike, gjë që më parë nuk bëhej, duke lënë kështu jashtë sistemit rreth 30 milionë amerikanë. Janë parashikuar gjithashtu edhe favore fiskale, dhe ndihma financiare, në të mirë të shtresave që nuk mund ta përballojnë blerjen e një police të siguracionit.

“Është një fitore për të gjithë amerikanët”, tha Obama menjëherë pas këtij vendimi të Gjykatës Supreme. Por Mitt Romney nuk i bashkohet këtij vlerësimi; përkundrazi, ai tha se “akti i parë që do të kryejë me të ardhur në pushtet do të jetë shfuqizimi i ligjit, që për shumëkënd njihet me emrin Obamacare”.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.