Dossier/1954, një kërkesë e BS-së për të hyrë në NATO

Postuar në 07 Tetor, 2014 11:12

“Wilson Center” ka publikuar, në kuadër të Projektit të Historisë Ndërkombëtare, një dokument që ka për autor ish-ministrin e Jashtëm sovjetik, Vjaçesllav Molotov. Ai i është drejtuar Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, më saktë Hrushovit dhe Malenkovit, më 26 mars 1954 dhe përmban, ndër të tjera, propozimin për të kërkuar hyrjen e Bashkimit Sovjetik në NATO. “WC” sqaron kontekstin e këtij propozimi: ai vjen pasi Perëndimi kishte hedhur poshtë propozimin tjetër të Molotovit për krijimin e Traktatit të Sigurisë Kolektive të Europës, bërë në shkurt të 1954-ës, në Konferencën e Ministrave të Jashtëm në Berlin. Refuzimi lidhej me dy momente: së pari, sepse ai përjashtonte SHBA-në nga pjesëmarrja dhe së dyti sepse ideja në fjalë shihej si përpjekje për të shpërbërë NATO-n dhe për të ndalur krjimin e Komunitetit të Mbrojtjes Europiane. Për këto arsye Molotovi i ngarkon zëvendësit Andrei Gromiko detyrën e rihartimit të propozimit sovjetik, duke pasqyruar në të shqetësimet dhe dyshimet e Perëndimit. Dhe një nga këto është pranimi i SHBA-së në Traktatin e Sigurisë Kolektive, por edhe kërkesa që BS-ja të hynte në NATO.  Kjo e fundit nëse “NATO heq dorë nga karakteri agresiv”. Në muajin maj 1954, NATO e hodhi poshtë propozimin duke dhënë si arsye se anëtarësimi i BS-së në NATO do të ishte i papërputhshëm me qëllimet mbrojtëse dhe demokratike të saj.  Propozimi rus ka rëndësi edhe pse në 1955 u krijua Traktati i Varshavës, sovjetikët nisën armatimin e bllokut lindor, duke ndryshuar peizazhin gjeopoltik të Europës. Në këto kohë, pjesë e lojërave bëhet edhe Shqipëria, ndonëse shumë shpejt do të shkëputet. Po kështu në vitin 1961, pra 7 vjet pas këtij diskutimit, do të ndërtohej Muri i Berlinit, duke bërë divorcin përfundimtar me ish-aleatët e LIIB. Ideja ruan edhe  njëfarë aktualiteti  po të mbahet parasysh propozimi i Rusisë për një arkitekturë të re sigurie, sulmet e saj ndaj OSBE-së, kundërshtimi i zgjerimit të NATO-s drejt lindjes  dhe dilema e madhe për kohezionin transatlantik, krijuar sidomos nga skandali i përgjimeve. Më poshtë një pjesë nga dokumenti:

Argumenti kryesor i hedhur kundër propozimit tonë(atij të shkurtit 1954) është teza se drafti sovjetik synon largimin e SHBA-së nga Europa, kështu që BS-ja të bëhet fuqia dominuese në Europë. Një përdorim veçanërisht i gjerë i kësaj teze u bë në Francë. Meriton vëmendje në këtë drejtim një bisedë mes ambasadorit tonë në Paris, shokut Vinogradov dhe liderit golist Palewski, i cili u shpreh se propozimi sovjetik është i papranueshëm në formën e tanishme, sepse ai përjashton SHBA-në nga pjesëmarrja në sistemin e sigurisë kolektive në Europë. Sipas Palewskit, sjellja ndaj propozimit sovjetik mund të ndryshojë, nëse qeveria sovjetike do të deklaronte se SHBA-ja mund të marrë pjesë në sistemin e sigurisë kolektive në Europë në kapacitetin e saj si fuqi pushtuese në Gjermani, duke mbajtur parasysh se pushtimi nuk do të zgjasë përgjithmonë...Teza e largimit të SHBA-së nga Europa është përdorur gjithashtu kundër propozimit sovjetik nga mbështetës të Komunitetit të Mbrojtjes Europiane në Angli dhe në vende të tjera...

Duke marrë parasysh këto, Ministria e Jashtme e konsideron të këshillueshme kufizimin e mundësive të përdorimit të këtij argumenti kundër draftit sovjetik duke u dërguar qeverive të SHBA-së, Anglisë dhe Francës një notë në të cilën të deklarohet se nga ana e vet, qeveria sovjetike nuk sheh asnjë pengesë në zgjidhjen pozitive të çështjes së pjesëmarrjes së SHBA-së në Marrëveshjen e Përgjithshme Europiane mbi Sigurinë Kolektive në Europë. Në vështrimin e Ministrisë së Jashtme, nuk është e këshillueshme që të deklarohej se pjesëmarrja e SHBA-së do të ketë një karakter të përkohshëm. ..

Në paraqitjen e propozimit për pjesëmarrjen e SHBA-së në MPESKE, Ministria e Jashtme e konsideron të këshillueshme që të mos ndryshohet propozimi i mëparshëm që Republika Popullore e Kinës të marrë pjesë në sistemin në fjalë, si vëzhguese.  Është e nevojshme të konsiderohet një tjetër argument i nxjerrë kundër propozimit sovjetik, që është se ai drejtohet kundër NATO-s dhe synon likujdimin e saj. Në mënyrë që të kufizohet përdorimi i këtij argumenti, Ministria e Jashtme konsideron të këshillueshme që paralelisht me propozimin tonë për pjesëmarrjen e SHBA-së në MPESKE ne duhet, në të njëjtën notë, të vendosim, në një formë të përshtatshme, çështjen e mundësisë së hyrjes së BS-së në NATO...

Sigurisht, nëse deklarata e qeverisë sovjetike pritet pozitivisht nga ana e tri fuqive perëndimore, kjo do të përbënte një sukses të madh për BS-në, pasi hyrja e BS-së në NATO, në disa rrethana të caktuara, do të ndryshonte radikalisht karakterin e paktit. Hyrja e BS-së në NATO, njëkohësisht me krijimin e MPESKE-s do të minonte gjithashtu planet për krjimin e Komunitetit të Mbrojtjes Europiane dhe për riarmatimin e Gjermanisë Perëndimore...

http://www.wilsoncenter.org/publication/molotovs-proposal-the-ussr-join-...

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.