Shënim: Siguria e plazheve në pikëpyetje, pushuesit të trembur nga vjedhjet
Në periudhën më të nxehtë të sezonit turistik, korrik e gusht padyshim, vazhdojmë të surprizohemi nga e keqja. Pikërisht në ditët kur plazhet janë të mbipopulluara jo vetëm me vendas por edhe me pushues të huaj, qetësinë e prishin vjedhësit e rrugës. E kam fjalën për ata që janë të pakualifikuar sepse mjeshtrat qëndrojnë pas kompjuterave në zyra me kondicionerë. Ky problem haset rëndom, sidomos në bregdetin e Durrësit. Rastet të lënë pa fjalë. E dhimbshme, por e vërtetë. Hajdutë të moshave të ndryshme, që nga të rinj e deri “adultë” siç përdoret në psikologji për të rriturit. Qëndra e sulmit janë banesat e plazhit, pensionistë të pafuqishëm që nga vapa e kanë humbur fare, marketet e mbipopulluara dhe sigurisht, çadrat në plazh. Ajo që preferohet më shumë e që duket disi më komode për hajdutët e parafinuar është zgjedhja e çadrave bosh, në mënyrë që të plaçkisin ç’tu zërë dora e natyrisht, të zhduken menjëherë për në drejtim tjetër. Më rëndë se kaq janë ngjarjet e shënuara në Golem, diku më lart e diku më poshtë. Një turisti kosovar i kanë qëmtuar veprimet e më pas kanë gjetur kohën kur ai ka lënë banesën për t’i marrë paratë në valutë euro e deri makinën tip BMW. Të paktën kështu raporton Ministria e Brendshme në njoftimet e saj të përditësuara. Dhe ky nuk është rasti i vetëm. I njëjti shqetësim ngrihet dhe nga mediat kosovare. Ato raportojnë pakënaqësi të pushuesve bashkëkombas tanë, të cilët ankohen jo vetëm për fenomenin rënies pre e grabitësve në plazh, por edhe për mangësi të tjera.
Por sa vlen siguria këto kohë? Aq sa dy femra të një moshe të pjekur, mbi të dyzetat, kanë preferuar të zbrazin çantat e pushuesve nën çadra. Nga raportet e policisë edhe ky rast. Këta të fundit në mirëbesim te pushuesit e tjerë apo administratorët e vendit ku pushonin, i kishin lënë shpenzimet ditore dhe mjetet e tyre telefonikë për t’u kredhur në ujë. Por sa kushton siguria këto kohë? Aq sa të mbetesh pa gjë fare, domethënë në rastin konkret vetëm me bikini. Nuk mund ta dish në ia vlen t’i lësh kursimet që ke planifikuar për t’i shpenzuar në hotel, apo t’i marrësh me vete në çadër? Një gjë është e sigurtë. Njërit prej familjarëve, i rritur mundësisht, të ndajë mendjen e të bëjë roje, por pa armë të mos keqkuptohemi. Kjo vigjilencë duhet bërë me ndërrim turnesh se po të zuri gjumi në shezllong mund të kesh të njëjtin fat.
Epo ky nuk është pushim ma do mendja. Vazhdimisht i stresuar në ruajtjen e gjërave të shtrenjta nën çadër, për të mos rënë viktimë e mitomanëve, plaçkitësve e hajdutëve të rëndomtë e deri fallxhoreve, që me vijën e fatit, të zhvatin edhe duart.
Leonard Veizi
Add new comment