Shtyhet marrja e detyrës nga Veliaj që ishte parashikuar në 27 korrik, Konservatorët e Ruços ankesë për rezultatin e Tiranës

Postuar në 16 Korrik, 2015 01:01

Shtyhet çasti i marrjes së detyrës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga Erion Veliaj. Kjo pasi Partia Konservatore, me kryetar Armando Ruçon, ka paraqitur në momentet e fundit kërkesë ankimore për rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë. Ndërsa ishte parashikuar që Veliaj të hynte në zyrën e tij në bashki në datën 27 korrik, kjo gjë nuk pritet të ndodhë në këtë datë. Ankesa e konservatorëve ka bërë që të shtyhen të gjitha afatet për certifikimin e zgjedhjeve dhe marrjen e detyrës nga Erion Veliaj. Kjo për vetë faktin se një nga partitë aleate të Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit, pra Partia Konservatore e Shqipërisë, ka paraqitur në momentet e fundit të afatit ligjor një ankesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për këshillin bashkiak të Tiranës. Sipas kërkesës së paraqitur vetëm në datën 14 korrik në KQZ, Partia Konservatore kundërshton vendimin e para disa ditëve të këtij komisioni, me anë të të cilit u bë miratimi i tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjet për Këshillin e Bashkisë Tiranë. Sipas kërkesës në fjalë, Partia Konservatore, kërkon ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për këshillin bashkiak, duke përfshirë në të votat e numëruara dhe të rivlerësuara në disa qendra votimit të KZAZ-së 40 në Tiranë. Por më shumë sesa përmbajtja e kësaj kërkese, e cila duket se nuk ka ndonjë vlerë në rezultatin përfundimtar të shpërndarjes së mandateve të këshilltarëve për Bashkinë e Tiranës, ajo pengon direkt mbylljen e procesit paszgjedhor për gjithë Bashkinë e Tiranës. Kjo për vetë faktin se tashmë ajo ka bërë të detyrueshme respektimin e disa afateve të tjera për nisjen nga puna e kryetarit të ri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.