Rruga e projekteve me beton nga kinema “17 Nëntori” te hyrja e Parkut të Liqenit

Postuar në 08 Korrik, 2015 17:05

Shtyrja e shpalljes së fituesit për hyrjen e Parkut të Liqenit Artificial u lexua më së shumti si tërheqje taktike e qeverisë për të zbutur reagimin e publikut që duhet thënë se e priti jo mirë konkursin ndërkombëtar të prezantuar nga vetë kryeministri. Një lëvizje e ngjashme me atë të bashkisë së Tiranës për konçesionin e parkimeve me ndryshimin e vetëm se projekti i Hyrjes së Liqenit Artificial ndonëse lidhet infratstrukturën e kryeqytetetit nuk u prit që të diskutohej dhe më pas miratohej në Këshillin Bashkiak.

E përbashkëta e të gjitha propozimeve të bëra nga studiot pjesëmarrëse në konkurs ishte konceptimi i hyrjes së parkut me ndërtime disakatëshe. Funksioni i tyre mbetet enigmë për aq kohë sa qeveria nuk ka shpjeguar destinacionine këtyre ndërtimeve si iniciatore e projektit. Por është ajo që u ka kërkuar studiove një projekt me ndërtime  për hyrjen e Liqenit Artificial. Kjo në fakt është një praktikë e njohur për kryeministrin Rama qysh në kohën kur ai u bë kryebashkiak i Tiranës.

E nisi me kinema “17 Nëntorin”, një objekt monument kulture i ndërtuar në vitin 1931 që me vendim të këshillit bashkiak të vitit 2003 u shemb për t’u ngritur një Qendër Biznesi, ndonëse u tha se kinamasë do t’i ruhej fasada, gjë që nuk ndodhi. Por rasti më flagrant kur një pasuri publike e kryeqytetit transformohet në godinë shumëkatëshe në emër të dobisë publike është kinema “Republika” në hyrje të rrugës së Kavajës. Në 3 maj të vitit 2002 me një vendim të KRRT Tiranë u vendos që të shembej kinemaja e vjetër dhe në vend të saj të ngrihej  një strukture shumëkatëshe me premtimin se ndërtimi do të kishte 7 salla kinemaje dhe jo 1.

Në fakt ky ndërtim ka shkelur të gjitha afatet. Objekti që asokohe u prezantua nga kryebashkiaku Rama si një projekt në shërbim të jetës kulturore në kryeqytet ka më shumë se 10 vite që ka nisur dhe nuk ka përfunduar ende, ndërsa firma e prezanton si godinë shumëkatëshe banimi dhe shërbimesh. Vendimi për prishjen e kinema Republikës, u mor vetëm 3 vjet pasi me iniciativë të Edi Ramës si ministër I Kulturës u harxhuan 600 milionë lekë për shndërrimin e saj në kinema “Millenium 1”.

Kinema Republika është ndërtuar në fillim të viteve 1930 dhe ka pasur emrin e parë, "Diana". Më pas "Gloria", mandej "Republika" e së fundmi u quajt kinema "Millenium 1". Tani si kryeministër dhe jo më si kryetar i bashkisë Edi Rama prezantoi një tjetër iniciativë, atë për hyrjen e Parkut të Liqenit Artificial sërish me të njëjtën praktikë.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.