Presion në rritje mbi Greqinë deri në ditën e referendumit. Nis parashikimi i skenarëve gjeopolitikë që pasojnë një “jo”. 246 profesorë bëjnë thirrje për “po”
Duket se ditët deri në referendumin e Greqisë, janë vendimtare për fqinjin tonë jugor, por me një ndikim të madh edhe në planin europian. Të gjitha palët po bëjnë presion në funksion të opsioneve që mbrojnë, e që do të zgjidhen nga një votë popullore e së djelës. Ish-kryeministri i djathtë, Konstantin Kramanlis deklaroi se do të duhet një “po” për kërkesat e Trojkës, teksa ish-komandanti suprem i Forcave të NATO-në Europë, James Stavridis, shkruan në një artikull në “Foreign Policy” se dalja e Greqisë nga Eurozona, do të ketë pasoja të mëdha. Greqia sipas tij, do të kërkojë ndihmë te Rusia, duke rrezikuar të minojë me qenien e saj në NATO dhe BE, dy organizma që vendosin me kompromis, vendimmarrjen e tyre. Ndërkohë mediat greke publikojnë sot një letër të hapur të 246 profesorëve të Ekonomisë në universitetet greke, të cilët apelojnë për një zgjidhje dhe votim të mençur. “Ne besojmë se pasojat e shpalljes së mospagimit të borxhit dhe një dalje nga Eurozona, sidomos në një mënyrë kaq sipërfaqësore dhe kaotike, do të jetë shumë më të këqija sesa pasojat e një kompromisi të dhimbshëm me partnerët e BE-së dhe FMN-së. Një thyerje e këtillë nga zemra e Europës do të ketë pasoja shkatërrimtare ekonomike, sociale, politike dhe gjeopolitike”, thuhet ndër të tjera në letër. Ndërkohë disa media raportojnë se ministri i Financave, Yanis Varoufakis, do të japë dorëheqjen nëse referendumi vendos për “po”.
s.z
Add new comment