Ngjela: Ka një konflikt të qartë mes Berishës dhe SHBA

Zoti Ngjela, opozita po vijon një reagim pa aksion politik, në një kohë kur mazhoranca dhe qeveria po akuzohen për skandale të njëpasnjëshme. Si e shpjegoni ju këtë situatë?
Keni të drejtë në këtë përcaktim që bëni për opozitën aktuale. Kjo, sepse gjithmonë duhet të kujtohemi se opozita, në një vend demokratik, për faktin se nuk e ka shumicën në Parlament, për skandalet abuzive të qeverisë, i drejtohet gjithmonë popullit, elektoratit të saj dhe gjithë opozicionit popullor. Kjo është norma e vetme e ruajtjes së demokracisë nga abuzimi qeveritar. Por ne ende nuk po e kuptojmë këtë, sidomos këtë kurrë nuk arriti ta kuptojë as shefi aktual i opozitës. Nuk duhet ngatërruar protesta me revolucionin dhe kryengritjen, sepse nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Perëndim do të thotë protestë kundër padrejtësisë dhe abuzimit. Kush nuk e kupton këtë, nuk mund të ketë jetë të gjatë në një vend demokratik. Por, ne ende nuk jemi një vend demokratik, dhe prandaj edhe opozita bie shpesh ne paralizën e pritjes; në ruajtjen e pacenuar të klientelës dhe sidomos, në paqartësinë e programit apo të vetë reformës që i duhet të bëjë për të krijuar klimën e re të zhvillimit në Shqipëri. Këtu jemi. Të shohim se çfarë do të sjellë koha.
Si e vlerësoni qëndrimin e politikës pas apelit këmbëngulës të ambasadorit amerikan Arvizu për “çastin për ndryshim”? Si e kuptoni ju kërkesën e tij për lëvizjen e gjithë qytetarëve?
Është pikërisht ajo që ju shpreha më lart: Ambasadori ka konstatuar se opozita i është shmangur detyrës së saj parësore, sepse është mposhtur nga forca abuzive e qeverisë, prandaj ai e kërkoi ndryshimin e gjendjes nga protesta popullore, pavarësisht nga opozita. Me anë të kësaj kuptojmë se gjendja në Shqipëri është e rëndë, dhe ajo nuk po pranohet nga politika amerikane. Gjithsesi ai e bëri hapin e vet me diksion politik për të ardhmen e afërt të shoqërisë shqiptare; por pyetja që duhet të ngrihet këtu është kjo: A e ka kuptuar këtë opozita shqiptare, lideri i saj dhe një grup njerëzish pa asnjë mendim politik në PS? Apo bëjnë sikur nuk kuptojnë?
Pse ngjet kjo me opozitën aktuale? Cila është arsyeja e mënimit të saj politik?
Hamendjet nuk vlejnë, por i vetmi fakt që kemi është arsyeja që del nga ndërhyrja e politikës së Uashingtonit. Ajo është e pakënaqur me opozitën; dhe po të jetë kështu, opozita duhet të mbajë qëndrim politik përkundrejt lidershipit të Partisë Socialiste: janë ata apo nuk janë për përkrahjen e politikës amerikane në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin?
Zoti Ngjela, si i vlerësoni lëvizjet e fundit në kabinetin qeveritar që u kryen së pari nga LSI-ja? A do të ketë të njëjtën ndërmarrje edhe zoti Berisha me ministrat e PD-së?
Gjithçka në politikë gjykohet nga lëvizjet dhe, kur këto janë të papritura, atëherë sigurisht që këtu fillon analiza ose arsyetimi i gjendjes. Meta bëri një lëvizje të papritur kur njoftoi zëvendësimin e ministrave të tij; por ne duhet të gjykojmë me pyetjen: Pse nuk e priti Kryeministrin Sali për këtë lëvizje? Nëse këtë lëvizje do ta vëmë në relacion me atë që kërkoi ambasadori amerikan, atëherë kuptohet se Meta po lëviz drejt Uashingtonit. Nëse kjo është lëvizja e vërtetë e tij, pa dyshim që do të jetë produktive; sepse të gjithë e shohin se opozita e Ramës ka ngrirë në frikëra patologjike që nuk lidhen me politikën në sensin modern apo perëndimor, por me patologjinë e një pushteti absolut, abstrakt, që nuk ka lidhje fare me kohën, por që Rama nuk e kupton dot, sepse ka hyrë në spiralen psikologjike të dëshirave absolutisht të parealizueshme. Pikërisht këtu ka dalë në pah Meta, sepse politika e Uashingtonit kërkon ndryshim të gjendjes. Si do të zhvillohet kjo situatë e pritshme? Duhet parë se deri ku do të shkojë konflikti midis Uashingtonit dhe Kryeministrit të paligjshëm shqiptar, Sali.
A është ky një moment për parlamentarizmin dhe qëndrimin opozitar, për t’i dhënë kalimit të ministrave të ndryshuar vlerën e një mocioni? Sa janë gjasat të ndodhë diçka e tillë?
Duhet pritur, por unë mendoj se arsyetimi im, që bëra më lart, mund të jetë më afër së vërtetës. Meta doli nga ferri dhe është një përkrahës i vjetër i politikës amerikane në Ballkan. Në funksion të kësaj, sigurisht që duhet pritur që “qielli të kthjellohet”.
Keni qenë disa herë kritik ndaj opozitës për aktivizimin dhe aksionin politik të saj. Në kontekstin e kërkesës amerikane për qytetarët, mendoni se duhet një mision i ri opozitarizmi nga opozita politike?
Unë më lart, gjatë kësaj interviste, ua bëra të qartë se sot dallohet një konflikt midis Uashingtonit dhe Kryeministrit Sali. Në fakt ky ka qenë më parë konflikti midis Kryeministrit Sali dhe zhvillimit shqiptar. Tani, kur interesat e zhvillimit shqiptar përkojnë saktësisht me interesat amerikane në Ballkan, atëherë kuptohet që shqiptarët do të përplasen ashpër me Kryeministrin Sali. Nëse do të ketë qoftë dhe një sinjal të vogël pakënaqësie nga Uashingtoni për këtë Kryeministër, ai do të fluturonte shumë keq nga një revoltë e madhe shoqërore, do apo nuk do lidershipi amator i opozitës. Por gjithsesi duhet pritur. Unë mendoj se ambasadori amerikan dhe vetë politika amerikane do të progredojë në këtë pikë, domethënë te kërkesa për protesta shoqërore, përpara sesa presidenti i ri shqiptar i papranuar prej Uashingtonit të shkojë në zyrën e tij. Kurse, pa dyshim që, do të ishte, e pakta naivitet, për çdo shqiptar me pak mend në kokë që të pranonte postin e Presidentit të Republikës, duke e ditur më parë se ai vetë nuk pranohet prej Uashingtonit.
A do të përfundojë sipas jush mandati kalendarik i qeverisë aktuale Berisha në 2013-n apo shihni zhvillime të reja politike?
Për këtë nuk di se çfarë të them, sepse nuk jam fare një njohës i “filxhanit të kafesë”.
Shqip
Comments
Thuajse te gjitha intervistat
<p>Thuajse te gjitha intervistat dhe shkrimet per ''veprimin e tanishem'' te Arvizut jane brockulla. Ngjela pretendon se Arvizu kerkon nje opozite me te forte. A nuk ishte Aleksander Arvizu qe perpara nje viti i beri thirrje Erjon Braces t'ia fuste gjumit (to take a break) kur po vidhej haptazi mandati i kryebashkiakut te Tiranes ?</p>
Ne nuk e kuptojme dot
<p>Ne nuk e kuptojme dot Arvizune, sepse per ne ka vetem dy masa dhe te dyja keto jane ekstreme. E mesmja nuk ekziston.</p>
Add new comment