Jam 100 % single, i përkushtohem vetëm modelingut.

Mendoni se dini gjithçka për modelen e suksesshme në SHBA Vildane Zenelin?! “Shekulli” ju dëshmon të kundërtën. Në intervistën realizuar me të ajo rrëfen detaje mbi karrierën e saj si modele, e cila po ecën më së miri duke qenë imazh i markave të mëdha si: “Fiat”, “Apple” etj. Pavarësisht se, duket pa komplekse dhe e guximshme Vildania tregon se, është një vajzë e ndjeshme që i ka ende të freskëta kujtimet e fëmijërisë në Kosovë, dashurinë e gjyshërve, lojërat me moshatarët, por edhe kujtimin e hidhur të luftës. Ndryshe nga sa mund të mendojnë disa ajo nuk rend pas famës, ëndërron të bëhet nënë dhe të ketë tre fëmijë.
Si po shkon karriera juaj si modele në Amerikë?
Karriera ime si modele po shkon vërtet mirë. Ndihem shumë e bekuar, sepse bëj atë që dua edhe që e quaj karrierë. Udhëtoj nëpër botë, jam kreative, por mbi të gjitha punoj me njerëz të mrekullueshëm.
Me çfarë projektesh po merreni së fundmi?
Unë gjithmonë punoj në diçka të re dhe emocionuese. Kam sfiluar për të ekspozuar rroba banje dhe të brendshme të markave të ndryshme si: V I X, Von Follies, Kensie, American Apparel, Leg Avenue etj. Sapo kam bërë një set fotografik për një reklamë për “Fiat”-in, dhe po punoj për diçka vërtet speciale për “Beats” dhe “Apple”. Kompania “Beats” është blerë nga “Apple” për 3.2 bilionë dollarë, por ajo ende është duke u drejtuar nga i njëjti ekip i “Beats”-it, kjo do të thotë që unë jam shumë më shumë pjesë e kësaj familjeje. Është një ndjesi e pabesueshme të jesh e vetmja modele, që ekspozon çdo produkt të “Beats By Dre”, për pesë vjet, apo më shumë.
Ju konsideroheni si një nga modelet më të guximshme në Shqipëri që keni realizuar sete fotografike nudo. Do të realizoni sërish foto të tilla?
Unë e ndërtova karrierën time si modele në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jam shumë krenare, që kam arritur të depërtoj në një industri kaq të vështirë dhe konkurruese, në një vend të madh. Kjo nuk është aspak e lehtë të arrihet. Së pari, do të doja të saktësoja që unë asnjëherë nuk kam pozuar tërësisht topless. Shumë supermodele dhe modele të suksesshme kanë pozuar nudo në një pikë të karrierës së tyre.
Unë kam pozuar nudo vetëm për fotografët, Raphael Mazzucco dhe Russell James. Ata janë dy prej fotografëve më të mëdhenj dhe më të suksesshëm të modës në botë. Prandaj ata fotografojnë çdo fushatë të “Victoria Secret” në mesin e fushatave të tjera të suksesshme. Është ëndrra e çdo modeleje të ketë mundësinë për t’u fotografuar nga ata dhe unë nuk po flas vetëm për fotot nudo, por në përgjithësi. Fotot e mia nudo, janë artistike. Ato janë realizuar për të qenë pjesë e revistave më të shitura. Në këto revista kanë dalë edhe disa nga emrat më të mëdhenj të shoëbizit si: as Lady Gaga, Fergie, Nicole Scherzinger, Pamela Anderson, Irina Shayk, Alessandra Ambrossio, Kate Upton, Bianca Balti, Adriana Lima etj. Për të pasur fotot e mia si kopertinë për librin e Raphael Mazzuço-s, “Culo By Mazzuço”, në mesin e 11 faqeve të botuara në libër, ishte një punë e madhe. Ky libër është art i pastër. Unë nuk do të kisha pozuar kurrë nudo nëse nuk do të ishte diçka e madhe dhe artistike.
Fotot e mia nudo janë keqinterpretuar në Kosovë edhe në Shqipëri, sepse askush nuk bëri një hulumtim për të kuptuar se: cila ishte domethënia e atyre fotove, për çfarë projekti janë realizuar, sa e rëndësishme ishte bashkëpunimi me këta fotografë, por dhe përkrah emrave të mëdhenj, që ishin pjesë e këtij projekti (libri). Mediat morën fotografitë dhe shkruan : “Vildane pozoi nudo”, por asnjëherë nuk përmendën se: kush i realizoi këto foto? Për çfarë u bënë ato? Unë nuk do të pozoja nudo nëse fotografitë nuk do të ishin të këndshme dhe nëse ajo që po bëja, nuk ishte art.
Ju keni patur mundësinë të bashkëpunoni me emra të mëdhenj të hollivudit si: Pitbull, Victoria Becham etj. Çdo të thotë kjo për një modele shqiptare?
Shumica e këtyre artistëve janë miqtë e mi. Për mua është shumë e natyrshme që unë të gjendem përreth artistëve më të mëdhenj të industrisë së argëtimit. Karriera ime është ndërtuar këtu (në SHBA) dhe shumica e artistëve e njohin punën time, kanë respekt dhe e vlerësojnë atë.
Çfarë pasioni keni tjetër përveç modelingut?
Pasioni im më i madh ka qenë gjithmonë muzika, madje edhe para se të filloja modelingun. Unë dashuroj gjithçka që ka të bëjë me muzikën, të shkruarin, kreativitetin etj. Nuk mund të jetoj pa to. Edhe pse kohët e fundit kam qenë mjaft e angazhuar si modele, së fundmi jam fokusuar shumë në muzikë. Është një proces dhe një tranzicion... Kam nisur të regjistroj muzikë dy vite më parë dhe shpresoj të realizoj diçka së shpejti. Unë jam e dhënë pas perfeksionit dhe nëse mendoj se, kur diçka nuk është shumë e mirë, nuk e realizoj fare.
Shumë meshkuj shqiptarë dhe jo vetëm, ju kanë idhull. Por a keni ndonjë djalë të veçantë në jetën tuaj?
Jo unë nuk kam askënd. Jam 1000 për qind single. I kam përkushtuar mendjen, shpirtin dhe energjinë time vetëm punës.
Fama nuk është gjithçka, ëndërroj të jem nënë dhe të kem 3 fëmijë
Në medie kohët e fundit po qarkullojnë fotografitë e Vildanes me këngëtaren nga Kosova, Era Istrefi. Vildania sqaron se mes tyre ka një miqësi të mirë dhe ato përshtaten shumë me njëra-tjetrën. Ajo tregon se, për të nuk ka rëndësi fama, por suksesi i punës që bën duke synuar gjithmonë perfeksionin. Vildania ëndërron të jetë një nënë me tre fëmijë. Për momentin dashuria me e madhe e saj janë mbesat.
Një nga mikeshat tuaja është Era Istrefi. Çfarë ju bashkon me njëra-tjetrën?
Era Istrefi dhe menaxheri i saj ishin në New York, më së shumti për arsye pune. Menaxheri i saj është një miku im i vjetër. Ai kishte pritur që të më prezantonte mua me Erën, sepse mendonte se ne mund të shkonim mirë me njëra-tjetrën, pasi kemi shumë të përbashkëta. Rezultoi që ai kishte të drejtë. Ajo është jashtëzakonisht e talentuar, e zgjuar dhe kreative. Ajo është një vajzë e re me një të ardhme të ndritur.
Keni miq të tjerë shqiptarë?
Nuk kam shumë miq shqiptarë, por njoh ata me të cilët duhet të njihem. Shkaku i kësaj nuk është vetëm fakti, që unë jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punoj me amerikanë dhe shtetas të tjerë.
A është për ju fama gjithçka?
Jo, absolutisht jo. Mendoj se, pikërisht për këtë arsye njerëzit nuk më njohin mua, sidomos Vildanen që fshihet përtej figurës që tregon fama. Unë shpesh marr email-e nga njerëz të zakonshëm ose nga gazetarë që më pyesin se si ka mundësi që jam bërë modelja më e suksesshme shqiptare, amerikane dhe ndërkombëtare. Por ende ka shumë njerëz që nuk dinë asgjë për mua. Por unë nuk mërzitem aspak për këtë, sepse edhe mund ta kuptoj pse ndodh. Unë jam shumë e tërhequr dhe nuk kam uri për famë. Unë jetoj për suksesin dhe krijoj diçka që do të ketë impakt dhe do të frymëzojë njerëzit dhe jo për të qenë e famshme për hir të së qenit e famshme. Nëse fama vjen me suksesin, është gjithçka mirë. Por, në rastet kur njerëzit me pak apo aspak talent vdesin për famë, ajo zbehet shumë shpejt sepse ata nuk kanë asgjë tjetër për të ofruar. Njerëzit që më njohin kanë respekt për mua. Puna ime është vlerësuar nga më të mirët e biznesit në modeling dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Suksesi, kreativiteti dhe të punuarit fort është gjithçka për mua.
Është në planet tuaja të jeni nënë? Sa fëmijë do të dëshironit të kishit?
Po absolutisht. Unë i dua fëmijët dhe fëmijët më duan mua. Tani jam fiksuar pas mbesave të mia, të cilat më bëjnë të kuptoj se çfarë është në të vërtetë dashuria. Asnjëherë nuk kam qenë kaq e dashuruar. Ato më duan pa kushte dhe në të njëjtën mënyrë i dua dhe unë ato. Unë do të doja që të kisha dy vajza dhe një djalë, por kjo nuk ka rëndësi për aq kohë sa ata të jenë të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht, unë do të isha më shumë se e lumtur.
Ëndërroni të ktheheni të jetoni në Shqipëri?
Unë do të doja të blija një shtëpi në Shqipëri dhe një në Kosovë, edhe pse ne kemi shtëpinë e familjes në Prishtinë. Do të doja të kisha mundësinë të vija në Shqipëri sa herë të doja. Edhe pse jam rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kam shumë dëshirë të kthehem. Nuk ka vend tjetër në botë, që unë ndihem si në shtëpi sesa Shqipëria dhe Kosova. Gjithsesi unë ndihem sikur nuk kam shtëpi në asnjë vend, sepse jetoj më shumë në hotele.
Lufta në Kosovë preu në mes fëmijërinë time
Ju jeni me origjinë nga Kosova. Çfarë kujtimesh ruani nga fëmijëria juaj?
Me origjinë jam nga Prishtina dhe kam kujtime të paharrueshme nga vendlindja. Ajo mbetet pjesa më e bukur e jetës sime. Dëshiroj të kthehem pas në kohë dhe të rikujtoj fëmijërinë time, për të parë sa e mrekullueshme ishte. Unë kam jetuar në Prishtinë deri në moshën 10-vjeçare. Isha një nxënëse shumë e mirë, por edhe një ngatërrestare e madhe në shkollë. Më pëlqente të rrija me djemtë dhe të zihesha me ta. Luaja futboll me vëllezërit e mi, megjithëse ata ishin 10 vjet më të mëdhenj se unë. Dëshiroja të bëja gjithçka që bënin vëllezërit e mi.
Isha si një djalë ngatërrestar, por kisha edhe anën time femërore. Kisha dy personalitete, një të një djali, një të një vajze. Mund të zgjidhja lehtësisht se si do të sillesha në momente të caktuara. Mbaj mend konkurset e bukurisë ku unë fitoja gjithmonë “Miss Lagjja”. Unë kam pasur gjithmonë shpirtin konkurrues dhe kam synuar të jem më e mira në gjërat që bëj. Shkolla ime ishte shumë afër shtëpisë dhe mua më duhej vetëm të kaloja rrugën për të shkuar në shkollë. Mbaj mend që gjyshi im zgjohej herët që të më bënte gati mëngjesin. Kështu kur unë zgjohesha i kisha të gjitha gati.
Cili është kujtimi më i bukur dhe më i trishtuar nga vendlindja?
Përpara luftës në Kosovë, unë kam qenë një fëmijë i lumtur. Kjo është edhe periudha më e bukur e jetës sime, sepse isha një fëmijë që kishte gjithçka që i nevojitej dhe gjithçka që dëshironte. Lufta e Kosovës më ka ndërprerë fëmijërinë në mes. Nuk kishte më shkollë, as lojëra jashtë shtëpisë me miqtë, as komunikim, por mbaj mend vetëm fshehjet tona nëpër bodrume dhe qëndrimi aty për ditë të tëra, të tmerruar nga vdekja, minutë pas minute.
Kujtimi më i keq që më vjen në mendje nga ajo kohë, është periudha kur NATO filloi të bombardonte pikë-qëndrimet serbe. Shtëpia ime ishte në qendër të Prishtinës, aty ku më së shumti ishin përqendruar forcat serbe. Pas sirenës që njoftoheshin bombardimet e NATOS, jemi detyruar të largohemi nga vendi sepse serbët ishin nxehur aq shumë sa të kundërvepronin, duke na ndarë kështu me shtëpinë, miqtë, të afërmit dhe jetën tonë të mëparshme. Ndonjëherë mendoj se, të gjitha këto që kam përjetuar nuk mund të jenë të vërteta, që më kujtohen herë pas here si makthe.
Add new comment