Dështon për të disatën herë afati për mbylljen e punimeve në rrugën Tiranë – Elbasan, pak shpresë se rruga do të përfundojë në fund të këtij viti
Mbeten të paralizuara punimet për segmentin e ri të rrugës që lidh Tiranën me Elbasanin, raporton “Tv Klan”. Përveç zvarritjes nga ana e firmës kontraktorë që po kryen punimet, fati i këtij segmenti, nga rreth rrotullimi i TEG deri në hyrje të tunelit Elbasan ka mbetur në udhëkryq pas dorëheqjes së Drejtores së Njësisë së Menaxhimit të këtij projekti dhe mos zëvendësimit me një tjetër person. Kjo ka bërë që të dështojnë për të disatën herë edhe afatet e reja të vendosura së fundmi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili premtoi se pjesët që nuk kanë probleme gjeologjike do të përfundonin punimet në muajin Qershor. “Tv Klan” thotë se i gjithë segmenti ku punimet po zvarriten prej vitesh është 13 km i gjatë. Në fillim qytetarëve iu dha shpresë se punimet do të përfundonin në Korrik të 2013. Më pas ato u shtynë për në Dhjetor 2013, por pa rezultat. Një tjetër afat që dështoi ishte Dhjetor 2014 dhe i fundit në Qershor të këtij viti. Shkelja zinxhir e këtyre afatave lë pak shpresë se rruga do të përfundojë në fund të këtij viti, siç parashikon premtimi më i fundit, raportohet në një nga kronikat e transmetuara nga “Tv Klan”.
Add new comment