Bizneset e Jugut vuajnë pasojat e krizës greke, mungesë pagash te fasonët e Korçës e Gjirokastrës. Malaj: Qeveria t"u afrojë mbështetje sipërmarrësve

Postuar në 11 Korrik, 2015 23:42

Rreth 60 biznese fasoni që punojnë në Jug të vendit po vuajnë pasojat e para të krizës greke, pasi kanë bllokuar eksportin. “Monitor” thotë se përtej përpjekjeve deri në pamundësi për të zbehur efektin e vërtetë që kriza greke pritet të japë në ekonominë shqiptare, në rajonet e Gjirokastrës, Korçës, dhe në përgjithësi në të gjithë Shqipërinë e Jugut, bizneset janë vënë para bllokadës reale për ekzistencë. Pasojat e para kanë rënë mbi kompanitë shqiptare të eksportit që kanë destinacion Greqinë. Behët fjalë për dhjetëra biznese fasoni në tekstil dhe këpucë që prodhojnë për llogari të partnerëve grekë dhe prej ditësh janë vënë në vështirësi për marrjen e pagesave.

Ndërkohë, ish-ministri i financave Arben Malajt, në “ABC News” sugjeron se në këtë periudhë kalimtare, qeveria shqiptare duhet të ofrojë mbështetje për sipërmarrjet në Jug të vendit.

Totali i eksporteve me Greqinë në fund të vitit 2014 arriti në 8.8 miliardë, duke zënë 3.5% të totalit. Megjithëse vlera e eksporteve shihet të jetë modeste, e krahasuar me shkallën kombëtare të tregtisë së jashtme, rreziku i shuarjes së tyre do të jetë me pasoja zinxhir në qytetet e jugut, duke vënë para dilemës për ekzistencë bizneset që kanë lidhje me Greqinë. Më pas, pasojat e tjera do të përçohen në rënien e punësimit, të ardhurave për buxhetin dhe në rritjen ekonomike në tërësi.

“Monitor” thotë se nëse Greqia i rikthehet dhrahmisë, bizneset shqiptare të eksportit do të gjendeshin para uljes drastike të fitimeve që mund të vijnë nga zhvlerësimi i monedhës atje. Për më tepër, kompanitë pohojnë se, nuk kanë plane rezervë dhe se janë totalisht në varësi të zhvillimeve në Greqi duke shpresuar në qëndrimin e vendit fqinjë në euro.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.