Rritja e pabarazisë e pengon zhvillimin

Postuar në 16 Maj, 2014 04:29
Arbër Zaimi

Në vitin 2011, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një studim të titulluar “Barazia dhe Eficienca” në një seri publikimesh dedikuar Financës dhe Zhvillimit. Publikimi paraqiti gjetje interesante, ndër të tjera duke dëshmuar  se ekziston një lidhje interesante mes zhvillimit ekonomik dhe barazisë.

Sipas studimit të FMN-së zvogëlimi i pabarazisë ekonomike e forcon rritjen ekonomike më shumë sesa tregu i lirë, zvogëlimi i korrupsionit qeveritar, investimi i huaj apo mbajtja e borxhit në nivele të ulëta. Natyrisht, edhe këto të fundit janë faktorë në ruajtjen e rritjes ekonomike por,  sërish sipas ekspertëve të institucionit që qeverisin financat ndërkombëtare është zvogëlimi i pabarazisë ekonomike faktori kyç në ruajtjen, mirëmbajtjen apo edhe zmadhimin e rritjes ekonomike. Ekonomitë me nivel të lartë të pabarazisë në të ardhura del që njëkohësisht janë tregje jo edhe aq efeciente, si dhe shfaqin një sërë problemesh të tjera.

Studimi nuk përbën risi në shkencën e ekonomisë. Risi përbën e ashtuquajtura “kthesë” në doktrinën zyrtare të institucioneve si FMN, BB etj, e cila ka qenë neoliberalizmi, së paku që prej viteve ’80 e këtej. Mbi faktin se pabarazia ekonomike pengon rritjen, në aspekte të ndryshme të analizës, kanë teorizuar më parë emra në zë të shkencës së ekonomisë si Piero Sraffa apo J.M. Keynes, që në gjysmën e parë të shekullit XX.

Madje, është interesante të lexohen letërkëmbimet mes Keynesit dhe presidentit amerikan Roosevelt, mbi çështjen e depresionit ekonomik të viteve ’30. Duke e kuptuar rolin e domosdoshëm të nxitjes së zhvillimit ekonomik prej shtetit, Keynes e këshillon FDR-në që të rrisë investimet. E presidenti (i vetmi president amerikan që ka pasur katër mandate) e rriti ndjeshëm investimin shtetëror në ekonomi, duke i besuar ekonomistit të famshëm që i vuri në dukje se ekonomia në analizë të fundit është e përbashkët, e se ajo nuk mund të mbetet peng i dëshirës apo vetëbesimit momental të një individi, të një korporate, apo të një grupi interesi. Rritja ekonomike është një domosdoshmëri.

Keynes vijon të ketë ndikim edhe sot, si ekonomisti më i cituar në dokumente akademike. Keynesianët e rinj, apo neo-kejnsianistët si Stiglitz, Krugman e më së fundi edhe Thomas Piketty (i famshëm për studimin që i ka bërë trashëgimisë së pabarazisë) janë emra të shquar të shkencës së ekonomisë sot, e shpesh edhe këshilltarë e drejtues të institucioneve me rëndësi, në vende të zhvilluara e në vende në zhvillim. Askush prej tyre, prej Keynesit, Sraffas dhe Franklin Delano Rooseveltit e deri te Krugman, Stiglitz apo Piketty, nuk është marksist. Të gjithë ata argumentojnë nevojën për zvogëlim të pabarazisë, e si instrument kryesor paraqesin vendosjen e taksës progresive në nivel kombëtar, mbi të ardhurat personale e korporative, madje edhe mbi pasurinë.

Thonë se provincat janë gjithnjë më konservative. Historia ka shumë shembuj për ta dëshmuar këtë, e të tillë shembuj ka dhe historia e shqiptarëve. Shumë shqiptarë janë ngritur në revolta gjatë shek. XIX për të kundërshtuar reformat modernizuese të domosdoshme për të mbajtur gjallë Perandorinë Otomane. Natyrisht, si provincialë, ata i kundërviheshin zhvillimit. Kulmi qesharak i kësaj u arrit kur, ndërkohë që Perandoria Otomane kishte pushuar së ekzistuari, haxhiqamilistët bënin revolta fshatare dhe kërkonin rikthimin e sulltanit me parullën “Du(a)m babën!”.

I njëjti provincializëm duket se është ende gjallë e i fortë, pavarësisht globalizimit të informacionit dhe dijes, pavarësisht shkollimit gjithnjë e më të hapur në shkollat perëndimore. Duhet të hysh në studiot tona televizive, në vitin 2014, që të gjesh ekspertë të përzgjedhur me kujdes prej redaktorëve, të arsimuar në perëndim (se shkollat që patëm i prishi dëshira për ta shndërruar çdo student në votë dhe çdo ministër në profesor) të cilët mund të të tregojnë se si taksa progresive qenka marksiste, pasi synon të zvogëlojë pabarazinë e kësisoj dëmton rritjen.

Taksa progresive nuk është marksiste. Marksi nuk ka parashikuar asnjë lloj takse. Në komunizëm, sipas tij nuk ka taksa, dhe te komunizmi nuk arrihet përmes taksave. Çdo njeri që ka studiuar sado pak histori të mendimit ekonomik e di këtë.

Nga ana tjetër, taksa progresive ka një histori shumë më të gjatë se Marksi. Ajo është përdorur së paku që në kohë të perandorisë Romake, është përdorur në mesjetë në Europë e në Lindje, dhe është prezentë në shtetin që rëndom merret si model kur flitet për tregjet e lira, pra në SHBA, që prej kohës së presidentit Lincoln, i cili as që ka qenë Marksist, as që e ka pasur lexuar Marksin.

Sot taksa progresive që propozon Lëvizja “Vetëvendosje” është në funksion në shumicën e vendeve të botës. Koeficientet e progresivitetit ndryshojnë. Lëvizja “Vetëvendosje” p.sh. propozon që për personat me të ardhura më të larta se 1700 €/muaj taksa të jetë 30%. Në SHBA kjo taksë është më e lartë se kaq, është 40% (ndërkohë që shuma e gjithë taksave arrin deri 60%). Në Kanada apo në Austri është 50%. Franca e ka deri në 75%. Gjermania me Australinë e kanë 45%.

Mjafton t’i hedhësh një sy sistemeve të taksave dhe historive të sistemeve ekonomike të vendeve të botës për të kuptuar se taksa progresive, si instrument për zvogëlimin e pabarazisë është njëkohësisht edhe instrument i zhvillimit dhe i punësimit, siç demonstron ndër të tjera edhe profesori i “Cambridge”-it, Ha-Joon Chang.

Mbi konceptet e “Shtetit Zhvillimor”, të aplikuara nga vende që jo shumë kohë më parë kanë qenë të varfra e të pazhvilluara si Kosova, bazohet programi ekonomik i Lëvizjes “Vetëvendosje”. E të kundërshtosh këtë politikë me etiketime “të lira” e me ekspertizë të dyshimtë, ky është në fakt populizëm.

Zëri

Comments

Submitted by O Tirona (not verified) on

<p>Zera si ky i Arber Zaimit te ben te shpresosh se do kete nje dite ne Shqiperi formim te nje te majte qe e meriton te quhet e majte.</p>

Submitted by london uk (not verified) on

<p>Zoteria artikull beresi jeton ne nje vend qe nuk ka ekonomi si Kosova ose Shqiperia - dhe nuk mund te bej nje gjykim te drejt(ne duhet te marrim experience nga njerez te provuar/dhe jo te experimentojme Shqiperine komuniste nga e para), ne jemi vende shum primitive ekonomikisht&nbsp;dhe mendje ngushta nga jo eksperienca. Barazia ekonomike nuk mund te ndodh ndryshe vecse te vesh racionet/tollonat si ne komunizem ne Shqiperi, ne Shqiperi nuk behet fjale per takse progresive sepse nuk ka ekonomi legale dhe jo te gjithe te punesuarit jan te deklaruar, ne Shqiperi duhet te behet fjale per monitorim te rrepte te gjitha&nbsp;pagesave qe kryhen, peqindja e taksave le te jete e njejt per te gjith qe mos te komplikoj situaten. i varfri paguhet 10 paguan taks 1 lek, por i pasuari paguhet 100 paguan 10 lek taks - keshtu qe esht pak a shum progresive. menaxhimi do perfeksionuar i pagimit te taksave, dhe shteti ben dallimin dhe nderyn e ndihmon shtresat e papuna dhe te pa afta per minimum jetik. njerzit e pasur dhe te zote&#39;&#39;e te ndershem ne pagimin e taksave&#39;&#39;&nbsp;gjithmone duhen respektuar e mbrojtur nga shteti sepse jan ata qe i japin jete ideve te reja e zhvillimit.</p>

Submitted by london uk (not verified) on

<p>Zoteria artikull beresi jeton ne nje vend qe nuk ka ekonomi si Kosova ose Shqiperia - dhe nuk mund te bej nje gjykim te drejt(ne duhet te marrim experience nga njerez te provuar/dhe jo te experimentojme Shqiperine komuniste nga e para), ne jemi vende shum primitive ekonomikisht&nbsp;dhe mendje ngushta nga jo eksperienca. Barazia ekonomike nuk mund te ndodh ndryshe vecse te vesh racionet/tollonat si ne komunizem ne Shqiperi, ne Shqiperi nuk behet fjale per takse progresive sepse nuk ka ekonomi legale dhe jo te gjithe te punesuarit jan te deklaruar, ne Shqiperi duhet te behet fjale per monitorim te rrepte te gjitha&nbsp;pagesave qe kryhen, peqindja e taksave le te jete e njejt per te gjith qe mos te komplikoj situaten. i varfri paguhet 10 paguan taks 1 lek, por i pasuari paguhet 100 paguan 10 lek taks - keshtu qe esht pak a shum progresive. menaxhimi do perfeksionuar i pagimit te taksave, dhe shteti ben dallimin dhe nderyn e ndihmon shtresat e papuna dhe te pa afta per minimum jetik. njerzit e pasur dhe te zote&#39;&#39;e te ndershem ne pagimin e taksave&#39;&#39;&nbsp;gjithmone duhen respektuar e mbrojtur nga shteti sepse jan ata qe i japin jete ideve te reja e zhvillimit.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.