A, si abuzimi
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6334_abu.jpg?itok=-3S1WOVV)
Para disa ditësh, një grup njerëzish protestuan te rruga e Kavajës në lidhje me vrasjen e Ilia Karelit. Policia i shpërndau me një dhunë të shpërpjesëtuar (mbase duke testuar shkopinjtë e rinj të gomës, ardhur nga Turqia, ndoshta me CV të pasur në sheshin Taksim). Një gazetari iu fshinë pamjet nga celulari, dhe madje ky edhe u dhunua. Episodi thuajse nuk u dha në media, subjekte e individë rendën për të marrë lavdinë (e një akti pa shumë lavdi, gjithsesi), ndërsa thuhet se vetë drejtori i policisë i kërkoi falje gazetarit. Kjo ngjarje, vlen sidomos për të parë shtresat e abuzimit në shoqërinë, institucionet e individët.
Hallkat e abuzimit, në 1 episod të vetëm
Abuzimi më i dukshëm është ai i policisë, që duket sikur kërkon të testojë mbi njerëz të gjallë aftësitë e veta reaguese. Grupimi, shumica qejflinj Facebooku nuk kishte ndërmend as të shkulte pllakat e rrugës së Kavajës e as të kryente akte vandalizmi. Shkopinjtë e shqelmat mbi Facebookistat, janë shumë cinikë kur të jepen nga një polici e paaftë për të vënë rendin e për të luftuar hashashin e tritolin. Por, jetojmë në një shtet abuziv, një shoqëri abuzive, me rekord të frikshëm abuzimi ndaj protestave (21 janari, qershia mbi tortë), ndaj kush dhe ku mund të ankohet ndaj abuzimit të shkopinjve të gomës? Djegia e një flamuri grek, që është një tjetër lloj abuzimi, abuzimi me urrejtjen. Abuzimi i turmës së verbër që ka dalë në atë shesh e motivuar keq. Çështja Kareli nuk ka të bëjë me nacionalizmin, ka të bëjë me shpërdorimin e detyrës, me ksenofobinë dhe me paaftësinë e shtetit shqiptar për të dëgjuar hallet e shqiptarëve në një vend fqinj. Abuzimi tjetër ishte me median, njëkohësisht me individin dhe me lirinë e informimit. Policë që të fshijnë pamjet e gazetarit nga celulari? Nuk ka asgjë më shumë në vendet gjysmë-diktatoriale. Kësaj i shtohej edhe abuzimi i vetë mediave me mosdhënien e lajmit. Ndërsa nuk ngurrojnë për të mbushur lajmet të bëjnë live lidhje nga Vlora për 1 orë rresht, vetëm për një ceremoni emërimi prefekteje, asnjë prej tyre nuk ka mundësi jo për lidhje live, por as për kronikë. Kjo tregon që media përfundimisht është palë me më të fortin, në abuzim të misionit të vet, dhe të publikut prej të cilit gjallon. Abuzimi tjetër është i atyre që tentuan ta kthejnë në kapital politik një shfryrje pasionesh kaotike. Ky është abuzim në rradhë të parë me ata pjesëmarrës që dolën aty jo për t’u përdorur si kapital, por thjesht nga ndjeshmëria ndaj një historie njerëzore, si ajo e Karelit. Vetë ngjarja e Karelit, është një tjetër vargan abuzimesh, që kur ishte jashtë e deri në momentin e fundit, çka tregon që abuzimi, është marrëdhënia bazë në shoqërinë tonë të sotme.
Frazat e abuzuara
Çdo gjë tek ne abuzohet. Deri edhe te komunikimi. Një i arrestuar për rekrutimet në Siri nxitoi të thoshte që ky ishte një arrestim politik(!?). Frazat “sulm politik” ose “akt i motivuar politikisht” përdoren aq rëndom, nga kushdo që kapet gafil e nuk ka asnjë argument për të dhënë. Abuzimi me këtë argument nuk ka bërë gjë tjetër veçse të sfumojë edhe rastet kur akuzat vërtet mund të jenë motivuar politikisht. Por përveç raportit me institucionet, abuzimi ka ngërthyer prej kohësh të gjitha format e marrëdhënieve civile.
2 gra në dritare
Rasti më tragji-komik i raportuar në media së fundmi, është ai i dy vajzave të mbetura të izoluara në katin e 4-ërt, sepse nuk kanë me se zbresin. Shkalla është “privatizuar” prej kohësh, që kur pronari i pallatit ia shiti katin e parë dikujt. Ky dikush ka vendosur t’i ndërrojë destinacionin, duke e detyruar një familje të ndërtojë shkallë emergjence nga jashtë pallatit për të dalë nga banesa. Nuk besoj se ka forma më të pastra se kjo të abuzimit mes qytetarëve. Kushdo që e ka një mundësi abuzimi, e përdor, ti vrit veten po deshe. Tashmë shkallët e emergjencës, të konsideruara abuzive nga INUK janë shembur, dhe vajzave ua çojnë ushqimin me litar.
Klasifikimi i abuzimeve
Abuzimi është kthyer në formën parësore të marrëdhënieve njerëzore, qoftë në punë (sa vetë abuzohen, shantazhohen, vihen të punojnë në kundërshtim me kontratën e kodin, e nuk kanë asnjë rrugëdalje veç të pranojnë të ngordhin urie), qoftë në familje (burrat pijanecë, gratë e fëmijët e dhunuar, vajzat e konsideruara si të dorës së dytë, pleqtë e zhvatur e të përzënë nga shtëpitë) në rrugë (dhunë verbale, shkelje të hapësirave, dëmtim prone, grushte e dhunë) në komunitet (hapësirë për t’u mbushur vetë me historitë e komshinjve tuaj) apo abuzim me postin e detyrën (hapni një gazetë të rastësishme). Po si kemi mbërritur deri këtu?
2 kushtet abuzive
Nuk dua të besoj se është varfëria që na bën abuzivë. Jam i prirur të besoj që janë 2 shfaqje të karakterit e formimit njerëzor: Injoranca dhe arroganca, baza mbi të cilën kemi ndërtuar shoqërinë tonë abuzive. Zakonisht këto shkojnë bashkë, dhe nuk para pyesin për gjendje sociale e ekonomike. Përkundrazi, arroganca është një shfaqje ekskluzive e të kamurve të rinj. Por, jashtë karakterit njerëzor, dy mënyrat e vetme për ta mbajtur në kontroll abuzimin e njeriut mbi njeriun - sepse këtu reduktohen të gjitha marrëdhëniet abuzive, qoftë dhe ato ku merr pjesë shteti - janë kultura civile dhe frika.
Kultura qytetare, si abuzim i pa-aplikuar
Kultura civile, është termi i parë që më vjen ndërmend për të përshkruar atë vetëdije qytetare në lidhje me raportet dhe shmangien e abuzimit. Ne kemi trashëguar një koncept që vlerësonte individin që ndërton raporte të shëndetshme me qytetin dhe individët e tjerë, duke e quajtur thjesht “njeri me kulturë“. Mund të quhej dhe edukatë qytetare. Në të vërtetë është vetëdije qytetare. Njeriu që e ka në dorë të kryejë një akt abuzimi, por nuk e bën, sepse është në gjendje të vlerësojë që kjo dëmton shoqërinë, dhe në kthim edhe vetë atë në plan afatgjatë. Ndaj jam i prirur ta shoh më tepër se si kulturë, një mospërdorim i mjetit abuziv. Është më tepër logjikë se frikë. Frika, do të ishte mjeti tjetër efikas i shmangies së abuzimit.
Frika, si mundësi por dhe si frikë
Një shoqëri e suksesshme i ka ndërtuar mjetet e veta të frikës, që nga kuadri ligjor, tek zbatimi rigoroz i tij, raporti i ndëshkimeve me shkeljet, e deri te ndëshkimi moral i një shoqërie që të bën të ndjehesh keq, nëse je një abuzues. Në shoqërinë tonë frika, është mjeti i vetëm kontrollues i abuzimit, por, që nuk është ndërtuar si një marrëdhënie e qytetarit me sistemin, por e qytetarëve mes vetes. E vetmja mënyrë, për shembull, për të garantuar që të të lënë shkallën e lirë kur ti ke apartament në kat të katërt, është t’u fusësh frikën abuzuesve. Tek ne nuk ka frikë nga ligji, por nga individi që mund të ketë në dorë ligjin në një moment të caktuar, për ta përdorur kundër teje. Nëse je në rregull me individët që e kanë këtë pushtet, je i çliruar nga frika e ndëshkimit, dhe mund të abuzosh sa të duash.
Ok, këto dihen sepse jetojmë në këtë realitet abuziv përditë. Lexuesit, si gjithmonë, do të kërkojnë zgjidhje. (Edhe pse, kur vjen puna te votimet, ti mund t’ua tregosh të gjitha zgjidhjet, por kjo s’do të thotë që vota e tyre do ndjekë logjikën e zgjidhjeve). Zgjidhja, vjen vetiu.
Abuzimi, si fund ose fillim
Abuzimi, në thelb do të thotë përfitim. Përfitim nga prona që s’të takon, nga koha, paratë, hapësira, idetë, nderi, puna, që nuk janë të tuat por të dikujt tjetër. Ti e ke mundësinë ta zesh në mënyrë abuzive atë që s’të takon e të përfitosh nga pushteti i përkohshëm i dhunës, i pozitës, i njohjeve a i parave. Por, gjërat janë të fundme. Pronat, tokat, paratë, hapësirat, do të vijë një moment që do shterrojnë, e s’do ketë më çfarë të abuzohet. Ky është momenti ku kanibalët nisin të hanë njëri-tjetrin. Po zgjidhja, do pyesni ju?
Zgjidhja është te ky paragrafi i fundit, vetëm se duhet ta thoni ju e jo unë. Është fjalia e parë që të vjen në mend, pasi ke mbaruar së lexuari.
revista Klan. nr.866
Comments
Si gjithmone, autori eshte i
<p>Si gjithmone, autori eshte i shkelqyer ne analizat e tij!</p><p>Urime</p>
"Shko, mër abuzues!" Kjo
"Shko, mër abuzues!" Kjo ishte fjalia e parë, drejtuar autorit, që më ra ndërmend kur mbarova së lexuari.
perveç kesaj,abuzim do te
<p>perveç kesaj,abuzim do te thote edhe teprim;kur e tepron edhe me lirine,te drejten tende.Kur dhe nje shoqate apo nje massmedia e tepron/abuzon me lirine e informacionit dhe shkel te drejten e privatesise(privacy).Abuzim zyrtar,kur perdor autoritetin e ligjit per interesa personale.Ose abuzon me besimin e zgjedhesve,abuzon me solodaritetin e njerezve,abuzon me emocionet e nje individi apo nje grupi te caktuar,perveç me te keqes,kur abuzon me lirine e tjetrit (psh,i ben presion,i kuton vendin e punes/e privon nga mundesite per tu vetmbeshtetur financiarisht,etj).Te gjitha keto qendrojne dhe jane rreziku qe i shfaqet shoqerive te hapura e pengojne progresin shoqeror.Po te duash veren tek dy format e abuzimi me lirine(kur e tepron dhe kur te manipulohet)krijimin e kushteve te nje skllaverimi te ri,ku individi behet i huaj per shoqerine(alienimi sipas Marksit)dhe shoqeria e huaj per te,te cilen e shikon gjithmone si nje gracke dhe jo si çlirim.A abuzojne studiot qe bejne reklama produktesh me emocionet e konsumatorit?Sa te duash,biles kjo eshte nje forme e abuzimit global me shijet e njerezve.</p>
Besoje qe e keni shkruar
<p>Besoje qe e keni shkruar shkrimin para dy shembujve brutale e skandaloze te diteve te fundit. po e ilustroj me dy shembuj shume domethenes. Jo me shume se dje ne kroniken e lajmeve ne nje dhome policie ishin te shtrire ne dysheme a thua ishin ne nje thertore pese burra te lidhur nga duart e me fytyre ne dysheme. Behej fjale per “Vrases“ ose me sakte te arrestuar dhe asgje te provuar si fajtore apo kriminele. Po dhe sikur te ishin vrases te gjykuar e provuar cdo gje ishte cnjerzore dhe pa dinjitet. Nuk po flas per etiken e mediave. po prita qe qofte dhe nga gazetari qe ilustronte kroniken te thoshte qe: kjo eshte plagosje ne dinjitetin e njeriut dhe ta trajtonte si veper penale. Ne te gjitha kushtetutat ne bote pothuaj neni i pare eshte pacenueshmeria e dinjitetit te njeriut. Eshte gdhendur ne relieve me germa te renda betoni a mermeri ne te gjitha fasadat e gjykatat e shteteve. Te ne nuk ka dinjitet njeriu dhe kjo eshte skandaloze, dhe kjo eshte veper penale per ato qe e kane bere. Dhe veper amorale per mediat. dokumentari eshte aty i dhene ne lajme. Brutaliteti dhe dhuna e dhene hashiqare si ne kohen e diktatures se proletariatit kur te thyenin brinjet, te shduknin e te lenin dhe pa varr. Eshte nje teme e dokumentuar qe mediave nuk duhet ti rreshqiste dhe dikush duhet te mbaje pergjegjsine per skena te tilla. Ilustrimi tjeter eshte ne mos gaboj, fjala qe fliste ministraja e arsimit per vetevrasjen e nje vajze te hedhur nga kati i trete i nje shkolle. Fjala e saj ishte skandaloze, i bente biografine familjare te vrares duke diskrediduar mardhenjet sociale te familjes se te ndjeres. Kjo eshte dhune dhe kjo pacavure qelbesire ministre duhet te jape dorheqjen. Ky eshte brutalitet e vertikale diktature dhe ketu nuk kemi te bejme vetem me plagosje e delikte te etikes po me cenim te dinjitetit njerzor. Gazetaret kane shume pune per te bere po gazetaret nuk duan. Opozites i ka humbur orjentimi te mirret me ceshtje te tilla te “vogla“ per te bere ovoktin e popullit. Gjykatat dhe prokuroria jane nevojtore vetem per te dhjere. Gazetarise e mediave politika i ka ftur llokumin ne goje dhe ato i kann ni lezetin lepirjes orale e te thithures se sheqerit dhe nuk eshte se policia i ben nen urdherat e nje shefi qe thyen ligjet, por eshte cdo gje e kalkuluar dhe e kthyer ne indititet ne sistem te kuq e te mallkuar.</p>
Keni shume te drejte kur
<p>Keni shume te drejte kur flisni per dinjitet. Vidjoja e pese personave te arrestuar ishte tmerruese, njerezit te shtrire per toke, si ne vendet arabe a afrikane. Europa dukej me mijera vjet larg....Dhe asnje gazete nuk e ngriti si ceshtje shqetesuese. Ketu me duket se gazetare, politikane e police kane nevoje per trajnime per te drejtat e njeriut. </p>
me ra rasti te shtetisja 4
<p>me ra rasti te shtetisja 4 dite neper TR me mjet motorrik. pashe shume rendom, qe dhunohej dhe abuzohej mbi kembesoret, por edhe kembesoret, dhunonin dhe abuzonin qarkullimin. Shume i lumtur qe i'u largova ketij abuzimi reciprok, mjet motorrik - kembesor - biciklist - rruge, duke me lene ne mendje shprehjen qe kisha para 15 vjeteve,- po te ecesh neper TR, vrapo per jeten tende! </p>
Add new comment