Piktorë, trinitet, supermarket
Natasha Lako
Nuk është e lehtë që tre piktorë të krijojnë një trinitet, si kanë bërë Gazmend Leka, Aleksandër Filipi dhe Besim Tula, në ekspozitën e tyre të fundit të përbashkët të hapur në galerinë e Universitetit të Arteve. Tre piktorët në fjalë, ndër më të dalluarit në fushën e tyre të betejës estetike, i kanë lënë mënjanë kredot e hapura dhe të përbashkëta konceptuale, duke zgjedhur një nivel tjetër lidhjeje, atë të provokacionit të vazhdueshëm. Provokacion me atë që shfaqin, me atë që besojnë, provokacion në mes të hapësirës së përbashkët njerëzore, provokacion me ngjyrën, transparencën, peshën e errësirës, provokacion me të bardhën, pranimin dhe mospranimin e vazhdueshëm. Provokacion me çelësin e fjalës, që ndodhet poshtë çdo telajoje. Dhe nuk ka provokacion më të madh sesa triniteti i lëvizshëm dhe i përkohshëm i vetë tre krijuesve që kanë vendosur të vënë në lëvizje mendimin, madje përtej shprehjes vetjake. Së bashku! Mundësinë e krijimit të pafund të triniteteve të reja. Nuk është fjala vetëm për tre emra të një personaliteti të veçantë artistik, por për tri penetrime të mëdha drejt një të kaluare dhe transandence që bëhet sot, si ndodh rëndom në veprën e Gazmend Lekës, drejt së sotmes urbane, si ndodh rëndom në veprën e Aleksandër Filipit, si dhe drejt zbulimit të një të ardhmeje që ekziston, ndonëse qëndron fshehtas, si ndodh rëndom në veprën e Besim Tulës. Këtij triniteti të ndarë, të përjetshëm si temë dhe të përkohshëm si lidhje shokësh, i shtohet këto ditë edhe lajmi i vdekjes së shkrimtarit Markez. Nuk është pak që edhe portretin e këtij shkrimtari hokatar, që e vuri jetën në lojën e madhe letrare, ta vështrosh nga kjo dritë triniteti e tre piktorëve shqiptarë. Të zbulosh pa fund se si një penë e vetme ka sjellë në këtë botë falë realizmit të tij magjik, një të kaluar që di të jetojë deri sot, ose një të sotme që di të jetojë në të kaluarën e vet, në jetën urbane të njerëzimit, si dhe në vështrimin që çan të ardhmen e njeriut.
T’i gjesh shkrimtarit të sapoikur Markez emra të tjerë shokësh që mund të krijojnë një trinitet, nuk është gjë e lehtë. Duhet të lëvizësh nëpër kohëra dhe të zbresësh deri te Servantesi i gjuhës spanjolle. Nuk është gjë e madhe edhe kastrimi, qoftë në trinitet. Më bëhet të gjej ndonjë emër tjetër; hiç, si thuhet edhe në telenovelat e shumta turke. Borgesi ndoshta. Ose të nënkuptoj një trinitet të kastruar.
Që këtej mendja më shkon në shkretëtirë. Atje, përtej oqeanit, duke udhëtuar njëherë për në Las Vegas, im bir më pati dhënë për të dëgjuar leksione të famshme të Borgesit të incizuara me kujdes, si bëjnë të gjithë njerëzit me mend për njerëzit me mend. Shkretëtira, vepra e tij dhe leksionet për letërsinë botërore, përbënin një trinitet tjetër. Aso ditësh, mësova sa e nderonte Borgesi Robert Browiningun, të cilit i rrëmbeva një përmbledhje sa u ktheva në San Francisko nga një raft i një bukinisti, së bashku me poezitë e zonjës së tij Browining. Që atëherë çifti Browining u lidh për mua në një trinitet me një nga qytetet më të bukura kaliforniane. E kujtova këtë për të besuar edhe vetë që ne e krijojmë si të duam trinitetin e kuptimësimeve dhe interpretimeve të mëdha ose vetjake. Pa këtë trinitet, nuk mund të ketë lëvizje mendimi, përthyerje të plota, si mekanika e parë e botës. Në kinematografi dhe në dramaturgjinë e saj, kësaj i thonë intriga –‘in treco’. Por kjo është një lëvizje që të çon drejt prozës. Ndërsa triniteti vetë është botë poetike, ku secili e kupton se është i ndërsjellë me të tjerët. A nuk tingëllojnë herë pas here si trinitet fjalët liri, barazi dhe vëllazëri, që dëshirojnë të rezistojnë edhe në Tiranë, paçka nga buzëqeshjet nën buzë si për gjithçka të largët të kohëve të ikura?! Por ku të lë Gazmendi, që na i sjell të kaluarat deri sot, si nxënës i Markezit. Është ky i fundit ndoshta që vazhdon të na thotë që nga atje ku ka ikur, se ne shqiptarët e kemi vetë fajin për fantazitë tona përderisa nuk e gjetëm plotësimin e plotë të një triniteti, kur thirrëm, liri- demokraci. Fjala e tretë ka qenë gjithnjë vetëm e nënkuptuar si trinitet. Ndoshta kjo fjalë edhe atëherë quhej Shqipëri. Por duket se nga atdheu, dashur pa dashur gjithnjë na ka ardhur turp, si mund të na vijë po të mos na afrojnë ende në BE. Piktura sfidon të flasë për këto gjera. Piktura është e vetmja që e tejkalon madje BE-në, politikën e ditës. Nuk përfshin as ndonjë lloj thirrjeje brendapërbrenda, as shfaq ndonjë tregim deri në fund. Piktura nuk flet për miq pa kufi dhe për armiq pa kufi. Triniteti, po.
Pikërisht për këtë i duhet edhe një fjalë tjetër për t’u plotësuar. Miq pa kufi. Armiq pa kufi. Fatkeqësi e madhe. Amshimi i pikturës është tjetër. Ai e kapërcen edhe fatkeqësinë, si politikën.
Dhe nuk ka amshim më të fuqishëm sesa ai që mbetet në telajo, qoftë kur loja mbërthehet në etatizëm; le ta kthejmë kështu çdo ngjyrë dhe dritë pamjeje që kërkon të ngulet në hapësirë si vepër piktorësh. Pikërisht kjo lojë therëse i ka bashkuar kësaj here edhe Gazmend Leken, Aleksandër Filipin dhe Besim Tulën. Piktura nuk diferencon, duket na thonë së bashku të tre piktorët. Atje të gjithë janë njësoj, fragmente që mund të lexohen, si ta thotë një shpirt i përbashkët.
Thellësinë e tregon më mirë kinematografia dhe volumin skulptura. Hyjnizimi i botës bëhet, ndoshta kur kohët kapërcejnë njëra- tjetrën. Ma ka enda të flas edhe për pikturën, pse jo? Për këtë janë ekspozitat të të vënë në mendime. Por mua mendja më fluturon përsëri te triniteti.
Burri, gruaja dhe fëmijët e familjes së sotme. Nëna, gjyshja dhe unë, triniteti i poezive të mia të para. Rrënjët, trungu dhe degët në një dhe frutat. Deri te tri pushtetet, ai legjislativ, ekzekutiv dhe ai i drejtësisë, pa zënë në gojë edhe dy pushtete të tjera. Atë mediatik dhe atë artistik. Ylli i hebrenjve që paralajmëron shumëkuptimësitë, aq sa kanë dashur ta zhdukin. Bota e re, si mund të quhet deri sot kontinenti i zbuluar nga Kristofor Kolombi, me aq ndërthurje prej të gjitha kontinenteve racave dhe konfigurimeve të ndryshme të ngjashme me veshjet sipas stinëve, nëpër rituale pompoze nga më solemnet, si në rastin e Budës, e plot e plot të tjera që zgjerojë gjithnjë e më tepër domethëniet e mbyllura dhe të kufizuara, që nga Salome e Gazmend Lekës. Ndoshta që nga Polinezia, ku Gogen mund të shihet si refugjat, mbi kokat e grave të mbushura me lule, mund të kuptohet edhe më mirë çfarë merr përsipër dhe zgjeron edhe forma e Pentagonit, e cila sot për sot dhe prapëseprapë, pas goditjeve, ka krijuar një trinitet tjetër, që nuk mund të kuptohet pa “11 shtatorin” dhe aleancat e reja, nga më të përkohshmit në një botë që pret të qetësohet dhe të mirëkuptohet.
Dhe përsëri i kthehemi Yllit të Davidit dhe që nga Ylli i Davidit mund të shkojmë deri te Skënderbeu, i cili e ka pranuar diku si shenjë. Dhe pastaj na përafrohet përsëri koncepti i ri i goditjeve të sotme ndaj kësaj figure të madhe, si shenjë triniteti tjetër.
Vajza e Vaçe Zelës më ka treguar një ditë se kundërshtimet e pafundme nuk kanë të mbaruar, madje nga të njëjtët njerëz, sa herë bie fjala për të nderuar emrin dhe veprën e këngëtares së madhe. Së fundi e kanë quajtur faj, - pas ca polemikave të gjata, - edhe dashurinë e saj të shprehur në ditët e fundit të jetës. Përpiqem t’i gjej ndonjë lloj triniteti ndonjë kritizeri të tillë. E pamundur! Përpiqem t’u gjej ndonjë shenjë tjetër të shprehur të paktën me katër cepa, si anët e horizontit. E pamundur! Ata që nuk pëlqejnë asgjë, pëlqejnë të gjenden fare vetëm, pa asnjë trinitet fare, dhe kjo me sa duket u duket e madhërishme, megjithëse është dështimi më i madh. Ne mund t’u këmbejmë vendin gjërave, t’i rendisim si të kemi dëshirë, por nuk mund të mos i pranojmë fare.
I kthehem edhe një herë ekspozitës së piktorëve; jo për të komentuar veprat një pas një, pasi kjo është punë e kritikëve të arteve pamore, por për të treguar se si shfaqet herë pas here i lodhur a i freskët edhe flamuri shqiptar, ai flamur që nuk është më patetik, por që gjithsesi jeton si një pikë e vogël. Në pikturën e Besim Tulës, “Adoleshenti”, e pashë shqiponjën pothuajse të shkatërruar nga një vrull dhe forcë djaloshare, aq e vendosur për të çarë të ardhmen pa e ditur se si. Shfaqet shpesh një tablo e vetme si flamur i gjithë botës. “Krim/krijim” quhet një tablo e Gazmend Lekës. Elementin e tretë duhet ta gjesh vetë. Thika, të vendosura njëra pas tjetrës, shpata nga ato që vrasin, janë vënë në rregullsi artistike pranë një koke skulpture. Pra janë bërë të bukura, si bën arti çdo gjë. “Bukë, kripë dhe zemër, për lajmësin”, quhet një pikturë tjetër. Përsëri një trinitet, plus lajmësi si mosshfaqje që do të pritet patjetër, ndonëse sjell gati kërcënimin e zhdukjes.
Pikturat e Gazmend Lekes duket sikur fërkohen me baltën dhe dheun shqiptar për të krijuar çikatricet e tyre artistike, vendosmërisht të bashkuara në këtë ekspozitë me jetën urbane të Aleksandër Filipit, dhe gjendjet jashtë kohe, por therëse, pasi amshimi artistik kapërcen gjithçka.
“Përmbytje” quhet një tablo e Besim Tulës, deri në sfidim të fatkeqësisë pothuaj të përvitshme, madje edhe dramacitetin e parë të Noes. Koka të rinjsh nuk shprehin asnjë gjendje të lindur nga përmbytja, asnjë frikë dhe asnjë kërcënim, si të presin ndonjë kumt tjetër, që çan drejt së ardhmes.
Piktorë, Markez, trinitet. Ndonjëri prej këtyre përcaktimeve mundet të lëvizë qoftë edhe brenda një dite. Diçka mund të hiqet, diçka mund të shtohet, për të marrë një kuptim të ri. Markezi ndoshta. Ka mundësi ta zëvendësojë supermarketi.
Pse jo, edhe kur të gjitha këto figura njerëzore të pikturave të tre piktorëve shqiptarë janë prej tyre që hyjnë në supermarket. Madje edhe Salome vetë. Supermarketi na bashkon më tepër se arti dhe se politikanët. Figurat artistike të piktorëve tanë që presin në trotuare, ne i pranojmë, pasi e dimë se shkojnë edhe për të blerë bukën e tyre të përditshme. Raca që sot për sot nuk para hyn në piktura, është ajo e politikanëve, pavarësisht se Napoleoni ka hyrë edhe në pikturë duke kryer vetë ceremoninë e kurorëzimit. Supermarketi është një medium i atyre njerëzve që janë rëndom objekt i artit të sotëm. Është, si të thuash, një demokraci qesharake kjo, e bazuar në supermarket. Por demokracia prandaj është demokraci, pasi pranon çdo gjë. Supermarket ndoshta është i bukur, se triniteti zhduket fare ose nuk mund të ekzistojë. Ai zhvillohet si një kundërpërgjigje. Ai na tregon një botë më të madhe dhe të shumëllojshme, që ndërthuret me xhepin dhe duket sikur e përjashton urinë.
Mallrat e supermarketit, të çfarëdollojshme dhe të nevojshme gjithsesi, janë e kundërta e çdo lloj triniteti, ose të barasnivelueshme me politikanët, që nuk mund të përbëjnë ndonjë trinitet personal, me përjashtim të ndonjë tragjedie që bashkoi së bashku Stalinin, Ruzveltin dhe Çurçillin. Por politikanët janë më të shumëllojshëm se mallrat e supermarketeve. Nuk ka aleanca politikanësh sa do të na i thotë goja, por aleanca trepalëshe ose pesëpalëshe, G8-she që mund të bëhet 7, ose vendeve 20. Pra bota ka ndryshuar shumë, së bashku me pop-artin, që nis nga supermarketet. Është bukur ta lidhësh shkrimtarin Markez edhe me pop-artin e madh.
Vrasim mendjen t’i gjejmë plotësinë në trinitet, parasë dhe pushtetit. Turpin e madh. Ngulmojmë të gjejmë një treshe të bindshme. Në fund të fundit jemi në kohën 3 D. Na takon ta kërkojmë deri në fund edhe dimensionin e tretë. Po sulemi ta shijojmë.
Faleminderit, Gazmend Lekës, Aleksandër Filipit dhe Besim Tulës, që vendosën edhe për mua një trill të tillë trinitetesh, me një ekspozitë. Më kujtojnë tre musketjerët, Atos, Portos dhe Aramis. Gjithsesi ekziston edhe D’Artanjan, kryeheroi i tyre, që gjendet si shtojcë apo si fillim dhe që tregon se edhe mundësia është e zëvendësueshme dhe krejt e hapur. Ja përse këto ditë për rastësinë e vdekjes shtohet edhe nderimi për Markezin pranë tre piktorëve, trinitetit dhe supermarketit. Pasi ky emër e nderon një ditë që fillon me komentet e disa pikturave dhe tre piktorëve të trinitetit të tyre të veçantë dhe përfundon me një supermarket, si për çdo njeri tjetër edhe më larg nesh.
Po, një betejë është të mbash më këmbë së bashku edhe shkrimtarin Markez, edhe trinitetin, edhe supermarketin, nëpërmjet tre piktorëve të njohur shqiptarë.
"Gazeta Shqiptare"
Comments
znj. Lako, në kërkim të
znj. Lako, në kërkim të Trinisë, ndoshta do të konsideronit teologjinë e krishterë që e ka rrënjosur trininë me konceptin e Perëndisë triun: Ati-Biri-Shipirti i Shejtë. Për shembull, ja një rresht nga Letra e II-të drejtuar Korintasve: "Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia me Shpirtin e Shenjtë qofshin me ju të gjithë!" (2 Korintasve 13:13).
Add new comment