“Shpëtimtarët” e historisë
Prof. Dr. ANA LALAJ
Më 14 prill, në dy të përditshme, njëra gazeta “Shekulli” dhe tjetra “Shqip”, na u dha rasti të lexojmë dy intervista që prof. Paskal Milo u ka dhënë këtyre gazetave. Në të parën mësojmë se kryeministri ka ngritur një grup ekspertësh, ku prof. Milo është vënë në krye të këtij grupi me objekt Reformën në Sistemin e Shkencës, ndërsa në të përditshmen e dytë mësojmë se Ministria e Arsimit dhe e Sporteve ka ngritur një komision, i cili është ai që do të hartojë tekstet e historisë së popullit shqiptar për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Edhe në rastin e dytë mësojmë se përsëri në krye të këtij grupi është vetë prof. Milo. Pra, këtu ka dy njoftime: njëri për reformën e pritshme në institucionet shkencore dhe tjetri për tekstet. Meqë reformimi në shkencë meriton të trajtohet veçmas, në këtë shkrim do të flas vetëm për pikën e dytë, atë të teksteve të historisë së popullit shqiptar.
Lidhur me këtë çështje marrim vesh se një grup historianësh, midis të cilëve Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Afrim Krasniqi, Bernd Fischer etj., ka filluar me kohë nga puna dhe tekstet do të jenë gati për t’u diskutuar dhe miratuar në vjeshtë, që i bie t’u jepen nxënësve në vitin shkollor 2015-‘16. Po ashtu pritet që midis dy Ministrive të arsimit, të Shqipërisë dhe të Kosovës, të ketë një takim në muajin maj, me qëllim që të dyja vendet të kenë programe dhe tekste të unifikuara. Megjithatë ende nuk del e qartë nëse edhe në Kosovë do të përdoren tekstet e hartuara nga historianët e Tiranës, apo në këtë rast do të krijohet një grup tjetër me pjesëmarrje nga të dyja vendet. Në pikëpamje të përmbajtjes, prof. Milo nuk jep shumë shpjegime, përveçse thotë se “ka një objektiv që këto tekste të zhvishen maksimalisht nga interpretime subjektive, t’u japin mundësinë nxënësve të të gjitha niveleve që të kenë mundësinë ta njohin historinë e popullit shqiptar në dimensionet e saj sa më realiste, pa politizime dhe pa urrejtje e keqinformime për vendet e tjera.” Një shpjegim më të zgjeruar na jep bashkautori tjetër i teksteve të pritshme, prof. Pëllumb Xhufi, në një intervistë të tij në “Gazeta Shqiptare”, më 16 prill. Sipas tij, nevoja e ndryshimit vjen nga fakti se “vetëm disa vjet pas lançimit të së ashtuquajturës reformë të altertekstit, lënda e Historisë, që duhej të ishte lënda më e dashur për nxënësit tanë, rezulton të jetë kthyer në një lëndë të bezdisshme dhe të pakuptueshme për ta”. Nga termat e përdorur, (“e ashtuquajtura reformë”, “ofiçina e altertekstit” etj.) autori lë të kuptojë se është edhe kundër altertekstit si praktikë.
Pra, problemi që kemi ne si shoqëri, nxënës, mësues, prindër, studiues, është se, duke e perifrazuar prof. Milon, historia që jepet sot në shkollat tona nuk është realiste, është me politizime dhe përmban urrejtje për vendet e tjera. Ndërsa e thënë drejtpërdrejt nga prof. Xhufi, “shtëpi botuese dhe historianë të besuar të pushtetit”, si pasojë e reformës me tekstet, “nxituan t’u ngulitnin nxënësve versionin e tyre të historisë, ku shpeshherë heronjtë bëheshin tradhtarë dhe tradhtarët bëheshin heronj, ku virtytit i thuhej ves dhe vesit i thuhej virtyt, ku fshiheshin të vërtetat dhe shpaloseshin të pavërtetat dhe ku periudha të tëra historike, si Antikiteti dhe Mesjeta shqiptare, janë shkruar nga njerëz me formim dhe aftësi të kufizuara.” Thënë shkurt, nuk ka si bëhet më keq.
Le ta marrim të mirëqenë, qoftë dhe për një çast, se tekstet e Historisë për shkollat parauniversitare janë ashtu si thonë zotërinjtë Milo dhe Xhufi. Dhe duke qenë të tilla, e mira e do të ndërhyhet sa më parë për t’u ndrequr. Por pikërisht këtu lind edhe problemi, pasi ndërhyrja në çdo rast duhet të jetë ligjore. Pra, çështja e parë është raporti me ligjin. Në rastin në fjalë ka një problem dhe ky është alterteksti, që Xhufi e sheh si burimin e së keqes, ndërsa Milo e injoron si problem, nuk e përmend fare. Në fakt, alterteksti është një reformë e rëndësishme për shkollën tonë. Por po aq ne vërejmë se ai është duke shfaqur disa efekte anësore dhe jo vetëm në tekstet e Historisë. Me sa di, mësuesit ankohen edhe për disa nga tekstet e Abetares, të Matematikës etj. Megjithatë, me sa shihet, alterteksti nuk do të preket. Mua më vjen mirë që kryeministri i vendit në një takim të këtyre ditëve me drejtorët e drejtorive dhe të zyrave të arsimit në rrethe dha një mesazh thelbësor, se shoqëria zhvillohet e reformohet duke i mbrojtur reformat dhe jo duke i zhbërë ato. Së paku, kështu e kam kuptuar unë, kur ai foli për “një ristrukturim të qenësishëm të politikës së altertekstit”.
Flasim për raportet me ligjin dhe më duhet të them se Ligji nr. 69, datë 21. 6. 2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” neni 47, përmban tri pika të rëndësishme: 1. Tekstet për nxënësit janë alternative; 2. Numri i alternativave të teksteve shkollore për lëndë dhe klasë nuk kufizohet; 3. Tekstet sigurohen nga shtëpitë botuese me konkurrim të barabartë dhe transparent. Në kundërshtim me këtë ligj, Ministria e Arsimit në katalogun që u dërgoi shtëpive botuese kohë më parë nuk i kishte përfshirë tekstet e Historisë për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Lajmi se një komision i ngritur nga ministria po punonte për një tekst të vetëm, sipas klasave, i vuri në shqetësim shtëpitë botuese. Më pas ministria i riktheu përsëri tekstet në katalogun e botimeve. U duk ky si reflektim i ministrisë, ndërsa lajmi për një grup të ngritur enkas për këto tekste, u kalua si thashethem. Tani ka një deklarim publik, sipas të cilit, “një komision që është ngritur nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, në të cilin bëjnë pjesë një numër ekspertësh specialistë në fushën e historisë së popullit shqiptar, mes të cilëve ka edhe dy ekspertë të huaj, njëri amerikan dhe tjetri gjerman, në përputhje me platformën e qeverisë, kanë marrë përsipër të hartojnë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar tekstet e historisë së popullit shqiptar”. (Gazeta Shqip, viti IX, nr. 97 (2902), 14 prill 2014, faqe 4). Ky deklarim është në gojën e Paskal Milos. Përderisa dikush nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nuk e ka përgënjeshtruar, atëherë lajmi është i vërtetë dhe arsyeja pse tekstet e hequra u rikthyen në katalogun e botimeve është një masë e përkohshme, për shkak se tekstet nuk mund të jenë gati këtë shtator.
Kemi të bëjmë, pra, hapur me devijim nga ligji. Dhe kjo është përgjegjësi e ministrisë. Sepse nuk është në të drejtën e saj të ngrejë komisione për të hartuar tekste. Dikush mund të thotë se shteti vepron me akte zyrtare dhe nuk ka një akt që të tregojë se është ngritur vërtet një komision për qëllimin në fjalë. Arsyetimi është i drejtë, por pikërisht kjo e implikon edhe më keq ministrinë. Në ç’kuptim? Ka shumë mundësi që vërtet të mos ketë një akt administrativ, për shembull, një urdhër të ministrit, akte që kanë gjithmonë një formë shkresore, ku tregohen arsyet pse nxirret akti, baza ligjore dhe përmbajtja e tij. Në rastin në fjalë nuk ke ku e gjen referencën në ligj dhe për shkak të kësaj mungese veprohet me porosi verbale, që është mënyra më e keqe e administrimit të punëve të shtetit. Këto rrugë tinëzare nesër do të procedojnë me një kontratë me njërën nga shtëpitë botuese dhe për më tej, nëse formalisht tekstet alternative nuk do të hiqen nga katalogët, do të jenë vetë shtëpitë botuese që do të tërhiqen nga tregu, për shkak se ministria do të orientojë tekstet që vetë ajo ka porositur.
Sa herë shkelet një ligj, ka gjithmonë një ose disa arsye. Nëse arsyet janë madhore, atëherë Ministria e Arsimit dhe e Sporteve e ka në dorë të ndërmarrë nismën për ndryshimin e ligjit, qoftë dhe me arsyetimin e ankesave nga prindër e mësues, apo me arsyetimin tjetër se shoqëria nuk është ende e përgatitur për reformën me tekstet. Por ministria nuk po e bën këtë dhe me të drejtë. Atëherë cila është arsyeja ose arsyet që ajo zgjedh rrugët informale? Në pamje të parë përgjigjja është në deklarimet e profesorëve Milo dhe Xhufi. Ata shkruajnë qartë se tekstet e Historisë janë të politizuara, se nuk janë realiste, janë të deformuara në përmbajtje, të bezdisshme në anën metodike etj., etj. Që tekstet e Historisë së popullit shqiptar kanë nevojë t’i unifikojnë disa prej qëndrimeve lidhur me ngjarje dhe figura historike, kjo është e drejtë. Që në këto tekste ka ende reminishenca politizimi, diku i vjetër e diku i ri, edhe kjo është e vërtetë. Që gjuha e teksteve dhe aparati metodik mund të jenë edhe më tërheqës, po e pranojmë se ka vend për përmirësime. Po që gjendja të jetë kaq e nxirë sa e bëjnë, më duket disi e tepruar. Dy vite të shkuara, në medie u bënë kritika për ndonjërin nga tekstet, ku përfshihej dhe konstatimi që e thotë Xhufi se, “shqiptarët përshkruheshin si popull i egër malesh, që jetonin duke plaçkitur dhe pushtuar territore të fqinjëve të tyre sllavë e grekë”! Ose që periudha e pas nëntëdhjetës në ndonjërin prej teksteve është dhënë mjaft e politizuar. Këto kanë ndodhur. Por në tekstet e tanishme këto janë korrigjuar, madje teksti në fjalë nuk është i përfshirë as në katalogun e botimeve për vitin e ardhshëm. Kësisoj mendoj se problemi mund të quhet i tejkaluar. Vite të shkuara është folur edhe për shfaqje nacionalizmi në disa tekste dhe jo vetëm të Historisë. Por edhe në këtë pikë janë bërë korrigjime, aq sa grupe vëzhgimi të ngarkuara nga Këshilli i Evropës e kanë shënuar përparimin që ka bërë Shqipëria.
Megjithatë prof. Xhufi ka mendimin se “periudha të tëra historike, si Antikiteti dhe Mesjeta shqiptare, janë shkruar nga njerëz me formim dhe aftësi të kufizuara”. M’u desh të merrja katalogun e teksteve alternative që janë dhënë për botim për vitin shkollor 2014-2015 dhe pashë se kapitujt për Antikitetin dhe Mesjetën i kanë shkruar autorët e mëposhtëm: Muzafer Korkuti, Petrika Thëngjilli, Bernard Zotaj, Menduh Dërguti, Ferit Duka, Llambro Filo, Dritan Egro, Neritan Ceka dhe Pëllumb Xhufi. Kuptohet, të gjithë njësoj nuk janë, por nuk di cilin prej tyre do të veçonte Xhufi si “njerëz me formim dhe aftësi të kufizuara”? Jo, kjo nuk është modeste!
Nuk është qëllimi im të bëj oponencën e një ose dy intervistave që janë dhënë deri më tani në medie, por detyrohem ta bëj këtë në mungesë të referencave zyrtare. Ajo çka bën përshtypje është tërsëllëmi me të cilin vijnë këta “çlirimtarë” në emër të një nevoje emergjente për të shpëtuar historinë e nëpërkëmbur, historinë që, sipas Xhufit, “politika shqiptare, ajo më vulgarja, e ka trajtuar si grua të përdalë”. Sigurisht, kjo taktikë trysnuese është duke i shtyrë strukturat e shtetit në gabime, madje në faje. Po pse duhet ta bëjnë ata këtë gjë? Cilat janë motivet? Përsëri Xhufi thotë se ky “nuk do të jetë më një operacion biznesi, por një detyrë fisnike, ku autorët e teksteve do të vendosin faqen, nderin dhe integritetin e vet, profesional dhe moral”. E them me bindje se nuk dyshoj në integritetin moral të Pëllumb Xhufit. Por as unë nuk do të doja të isha e përgojuar në pikëpamje integriteti, për shkak se jam bashkautore në njërin nga tekstet e derisotme, ku bën pjesë dhe vetë zoti Xhufi. Nuk kam të drejtë të vë në dyshim as integritetin e të tjerëve, cilëtdo qofshin ata. Por një llogari kemi të drejtë ta bëjmë. Nuk është pak për një shtëpi botuese një tirazh me mbi 130 mijë kopje. Nuk janë të pakta as fitimet, thuaje po deshe përfitimet, kur është fjala për një grup të kufizuar autorësh në kushtet e jokonkurrencës në treg.
Megjithatë kjo është e keqja më e vogël. Fola deri më tani për anën ligjore të problemit. Po kështu, vetëm sa e ceka fryrjen e qëllimshme të asaj që është quajtur helmim i teksteve të Historisë. Por të këqijat që rrjedhin prej këtej nuk janë vetëm këto. Sot gjithandej, në Rusi dhe jashtë saj, flitet për reformën që Vladimir Putin ndërmori me tekstet e Historisë, që e inicioi në shkurt të vitit që shkoi. Kritikët thonë se po rikthehen nostalgjitë, se tekstet e reja kanë për qëllim të kultivojnë shërbëtorë të bindur të shtetit dhe jo qytetarë të lirë etj. Çfarë bëri konkretisht Putini? Ai vuri kryetarin e Dumës ruse, Sergei Naryshkin, në krye të një grupi të gjerë akademikësh, historianësh, mësuesish, nxënësish, të hartonin një platformë të unifikuar për historinë e Rusisë dhe për mësimdhënien e saj. Në pesë muaj u mbajtën tryeza diskutimesh, u diskutua në medie, në rrjetet sociale dhe në tetor Shoqata e Historianëve të Rusisë e miratoi platformën. Në janar Putin orientoi që mbi bazën e platformës të fillonte përgatitja e një serie të re të teksteve të Historisë. (http://eng.news.kremlin.ru/news/6536) Kështu bëri Putini. Dhe ai nuk është shembulli më i mirë. Të paktën ta bënim si ai! Paskal Milo flet për tekstet që do të hartohen “në përputhje me platformën e qeverisë”(!). Po ku na qenka kjo platformë, që ne nuk e kemi parë gjëkundi?
Njësimi i qëndrimeve për historinë e vendit që duhet t’u japim fëmijëve tanë nuk është e njëjta gjë me një tekst të vetëm, që rreken të bëjnë një grup studiuesish. Kërkesa për qëndrime të njësuara është e drejtë, por ka një keqkuptim jo të vogël që kërkesat e drejta të prindërve për të shpëtuar fëmijët e tyre nga çoroditjet përkthehen pa të drejtë gjoja si kërkesa për t’iu kthyer teksteve të vetme. Këtë psikologji e ushqejnë për fat të keq edhe disa mësues, të cilët për shkak të dembelizmit të tyre mendor, i shmangen përzgjedhjes apo punëve të tjera që ata duhet të kryejnë.
Flasim për njësim qëndrimesh, gjë që bëhet vetëm në mënyrë të drejtuar. Do t’ia vlente një grup pune vetëm për këtë gjë. Për shembull, prof. Xhufi ndalet në periudhën e debatuar të sundimit osman, e cila, sipas tij, nuk mund të paragjykohet as si periudhë për t’u harruar e aq më pak periudhë për t’u urryer. Edhe në Greqi brezi i ri i studiuesve grekë i është kthyer asaj periudhe, dikur të lënë në harresë. Unë nuk jam specialiste e Mesjetës dhe i bindem kompetencës së Xhufit, por më shumë i bindem parimit. Që do të thotë se rivlerësimet për periudhën e sundimit osman mund të vijnë vetëm pas debateve të hapura, tryezave profesionale me osmanistë dhe studiues të tjerë të Mesjetës dhe të Rilindjes. Më tej, në vijim të kësaj ideje. Kur flet për Luftën e Dytë Botërore, Xhufi thotë shkarazi se “në asnjë kohë dhe në asnjë vend nuk u është rezervuar kuislingëve ndonjë vlerësim tjetër përveç stigmës dhe përçmimit”. Që do të thotë se tek fëmijët e shkollave edhe më tej do të përçojmë të njëjtën gjë: stigmën dhe përçmimin. Unë mendoj ndryshe. E para, në Evropë prej kohësh është duke u rivlerësuar roli i qeverisjeve lokale nën pushtim. Kujdes, thashë rivlerësuar dhe jo rehabilituar! Më 2002-shin, unë vetë kam qenë në një konferencë për Luftën e Dytë Botërore pikërisht me këtë temë, mbajtur në Antwerpen (Belgjikë) dhe ku merrnin pjesë studiues nga më të njohurit. E dyta, termat e përdorur, stigmë dhe përçmim janë kategori emocionale, që përdoren në letërsi, filma, ose në propagandën e deridjeshme. Historia duhet rrëfyer mundësisht sa më bukur, por thelbi i saj është racionaliteti. Askush nuk duhet përçmuar, përfshirë dhe kuislingët. Ata duhen vendosur në kohë dhe zgjedhja e tyre do shpjeguar, por dhe aktet e tyre, për mirë ose për keq. Kështu mendoj unë, por kjo nuk do të thotë se ky version është më i drejti. Kësisoj, përfundimet përsëri vijnë pas debateve, të cilat edhe mund të jenë të nxehta, por me siguri shumë më të pranueshme.
Së fundi, një problem tjetër, për mua thelbësor. Për më shumë se njëzet vjet, mirë a keq, jemi duke u përpjekur të rishkruajmë historinë e këtij vendi dhe populli. Në këtë proces gjithkush prej nesh ka vërejtur sa produktive janë debatet shkencore dhe sa joproduktive janë pasionet “shkencore”. Mësimi i historisë në shkolla është pjesë e këtij procesi. Në fillim të viteve ’90-të, një grup pune hartoi tekstin e Historisë së Popullit Shqiptar për maturën e asaj kohe. Duhej bërë me patjetër. Por teksti u hartua me ngut dhe për më tepër në grupin e punës kishte edhe fanatikë politikë. Qeverisja socialiste ngriti një grup tjetër dhe doli një tekst i ri, më i ekuilibruar, por edhe ai me të meta. Tani jemi në fazën e teksteve alternative, që pa dyshim kanë dobësitë e tyre. Në këto kushte i rikthehemi një precedenti që e kemi menduar të mbyllur. Tani vjen një grup që përgatit një tekst të ri. Të tjerët që do të vijnë nesër në pushtet, kurdo që të vijnë, do të kenë të drejtë ta rrëzojnë këtë tekst dhe të ngrenë një grup të ri. Kjo është keq të ndodhë. Të kuptohemi, ky grup i ri i ka aftësitë të hartojë një e disa tekste, madje dhe të mirë. A është ky grup i gjithëpranuar? Jo, nuk është. E para, përbërja e grupit. E shfletova përsëri Kristo Frashërin dhe shkëputa një thënie të tij, që asokohe më është dukur e tepruar. “Vazhdimisht kam menduar, - shkruan ai, - se historiani për të qenë objektiv duhet të mos aderojë në asnjërën parti.” (Kristo Frashëri, Mbi historinë e Ballit Kombëtar, Botimet Dudaj, Tiranë, 2012, f. 19) E pra, emrat që na janë bërë të njohur janë më shumë se anëtarë të thjeshtë partie. E dyta, mënyra si vjen në fushën e lojës ky grup. Jo vetëm në anën formale të çështjes, që sigurisht është e rëndësishme. Por, mbi të gjitha në frymë. Sjelljet arrogante prej “shpëtimtarësh” nuk bëjnë tjetër, veçse u vënë minat përpjekjeve fisnike për ta shkruar të gjithë bashkë historinë. Historinë që na përket të gjithëve.
"Gazeta Shqiptare"
Comments
C'pune ka qeveria me

C'pune ka qeveria me historine? Thenia e Milos, qe do e bejme historine sipas platformes se qeverise eshte skandaloze ne nje qeveri demokratike. Qeveria e Edi Rames, politika, po patronizon cdo gje, cdo gje, edhe kulturen edhe historine. Roli i nje qeverie eshte te krijoje infrastrukturen qe mundeson zhvillimin - prandaj dhe qeverite e ministrat e kryeministrat ne nje shoqeri demokratike jane anonime dhe jo pulla te cdo aktiviteti, qofte edhe te nje inaugurimi libri. Per fat te keq edhe ministra e kultures eshte bere pulle poste ne cdo aktivitet kulturor, si per te na kujtuar se ku i ka kufijte artisti ne Shqiperi. Qeveria dhe politika shqiptare popullohet nga delirante, narciste, autoritare dhe paternaliste/nacionaliste.

...beji m***n nje historie te

...beji m***n nje historie te shkruar nga Paskal Milo

Akoma me keto plehra do edukohet brezi i ri?

le te shkruajne historine e

le te shkruajne historine e partise se punes

po koco kokedhima cfare vendi

po koco kokedhima cfare vendi ze ne histori.

ae di marko dajti kush e hodhi enverin ne gjanice

ae di marko se koco pasi hengri mire nga berisha kerkon te rrije ngrohte tek koqet e edit e te markos

ti marko je me enverin apo me kocon

sa koco qe ke patur ne ppsh o marko

3million koco

hipokrit.

ne duam nje parti ndryshe nuk duam kocopartite o marko.................

AGRESIONIN E PAMERITUAR TE

AGRESIONIN E PAMERITUAR TE NJEREZVE TE XHAFERR DEVES ASHTU EDHE TE ENVER HOXHES E KAM PERBALLUAR UNE SI ASNJE TJETER AGRESION I SHKAKTUAR NGA TY PASKALINA PAS BISEDAVE ME PERGJUESIN E QYTETIT I CILI TE KA DOREZUAR DOSJEN TIME ME VLERESIME JO TE VERTETA TE BERA NGA SPIUNET E FIERIT QE KISHIN MARRE NE MBROJTJE HAJDUTET E MILIONA DOLLAREVE QE ISHIN ANETARE TE PPSH DHE GJITHASHTU TE KISHIN DHURUAR NJE APARTAMENT FALAS TEK GRUMBULLIMI SI DHE DISA MONSTRAVE TE TJERA SI TY.

PASI YT ATE ME NGULI LAPIDARIN NE BAHCEN TIME TI SHKOVE EDHE ME LARG SE YT ATE MORE NE MBROJTJE NJEREZIT E ERDOGANIT SI DHE HAJDUTET E NNI QE NDERTONIN NEN HUNDEN E ENVERIT PALLATE PALEJE DHE I SHISNIN ME LEKE NE DORE PER XHEPIN E TYRE DHE PER TA MBYLLUR MESELENE U KE THENE PASKALINES TI DHE SHPURA JOTE SE NE CESHTJEN NNI UNE ISHA FAJTOR.

MERRI PROVAT TANI TEK AGJENTURAT E HUAJA KUSH SPIUNOI DHE TREGO MOTIVIN PSE I MBROJTE HAJDUTET DHE PSE ME SHPALLE MUA FAJTOR KUR NUK JAM I TILLE >DHE PER ME KEQ ME DERGOJE ATA PROSTATAXHINJTE E RAMIZ-ENVERIT ME NE KRYE SKILEN TENDE PER LAPIDAR TE RI.

KESHTU QE JENI SHTEPI E FIS AGJENTESH E SPIUNESH DHE MBI TE GJITHA NUK THONI E SHKRUANI TE VERTETEN.

JU E HIQNI ATE KONSULLATEN E ALBANISTANIT VERTET POR MOS HARRO SE NE DO TE KERKOJME MBROJTJE KUDO KU DO TE MUNDEMI.DHE ME THOSHJE THUAJ "NUK E DI"

UNE E DI MORE EDI SE UNE NUK JAM I PERLYER SI TI MORE QE PUNOJE SPIUN SI SHTEPI E FAMILJE DHE SE NUK KAM GABUAR ASNJEHERE.

TURP PER TY MORE STREHE SPIUNESH QE KERKON TE COSH NJEREZIT ME TURP NE MBYET.

DO TE BEJME PARA SHTEPISE MONUMENTIN E XHERXHINSKIT TA PUTHESH E TJA COSH BABAIT TEND SPIUN QE AQ SHUME DONTE KARRIGEN E PUSHTETIT PA E MERITUAR ATE.

GUR HALEJE JENI SI SHTEPI KU HYPIN SHQIPTARE E TE HUAJ QE PEGEJNE MBI NJEREZIT E PAPERLYER SE JENI MONSTRA NGA SHPIRTI.

KRIMINEL.QEN I RAFINUAR.

LAGJA 1MAJ FIER

SHKO SQARO NJEREZIT E XHAFERR DEVES E TE ENVERIT TANI SIDOMOS ATE MBRICEN DHE BANORET E RRUGES KONTI CIANO(JANI BAKALLI) QE DONIN TE QININ MOTRAT E MIJA SI REZULTAT I LETRAVE PORTOKALLI QE U BERE TI SHKAK SEPSE KE GENJYER ATA QE TE KANE PYETUR.

LAPIDARIN MARKOJA TA VEJE TEK BALLISTo-KOMUNISTI QE KAPRIVATIZUAR LAVANTERINE.

NUK KA LAPIDARE PER JU SPIUNE TE PUSHTUESVE QE E SHISNI VETEN PER AR.

KESHTU PERVEC TEJE MENJEHERE MBAS NGJARJEVE TE NNI NJE HAJDUT TJETER I NNI NGA PERMETI KA SHTUAR GJITHASHTU VLERESIM JO TE MIRE NE DOSJE PER PUNEN TIME

PER TE ME DREJTUAR TEK SHTATE PENXHERET PER TE MBYLLUR GOJEN PER NJE FRONT TJETER TE MADH VJEDHJESH (BASHKE ME GRUPIN E TIJ) NE FABRIKEN KU ERDHI RAMIZI DHE E PRITEN HAJDUTET E SHTETIT.

KJO ESHTE HISTORIA E SHQIPERISE QE KERKON PASPELA TE NA I SHESE SIPAS MIDESE SE TIJ.

TRIBUNALI I KRIMEVE MONSTRUOZE TE NDODHURA NE SHQIPERI I DUHET SHQIPERISE E JO KOSOVES

MORE LAJKATAR I TE HUAJVE E I VENDASVE.

SHQIPERISE I DUHET TRIBUNALI TE HEQIM QAFE TERRORISTET E ZYRAVE E TE RRUGES TE LIDHUR ME TA QE KANE MARRE JETE TE PAFAJSHMISH DHE JANE RREZIK AKTUAL EDHE SOT.

NATYRISHT TI SPIUN DUHET TE MBROSH NJEREZIT E ERDOGANIT ARMIQ TE ENVER HOXHES SE NJE TE TILLI I KE DHENE MOTREN......................TI KOMUNIST I BETUAR MEGAFON SHPIFJESH.

GJEJE ORE BYTHQIR KUSH SPIUNOI TEK RESHAT LESKAJ ATA HAJDUTET QE TE DHANE TY SHTEPI.

TEK KUSHERIRI I MILTO KORDHES UNE NUK KAM HAPUR GOJEN SE KRISTAQ THANASI ME DERGOJI
KRYETARIN E SIGURIMIT TEKNIK PER MBYLLJE GOJE DHE GJOBE250LEKE9nje dite pune) NJERI I LILALIT FHE HIMARJOTIT QE BANONTE PRAPA SHTEPISE TENDE O LEGEN O I DEGJENERUAR(KISHTE HYRE KOLLOVAR TEK ATA QE BENIN CAK CUK ME CEKAN)

Add new comment