Blushi ka kujt i shkruan

Postuar në 15 Prill, 2014 05:28
Alqi Koçiko

Duhet të ishim mësuar tashmë: Sa herë Ben Blushi “nuk i ka mirë punët” në zanatin e tij të parë, në politikë, deputeti-shkrimtar vjen me një libër. Në fakt, unë nuk kam ndonjë informacion nëse ai është ftohur sërish apo ka ndonjë fërkim me kryeministrin Rama, përtej mospëlqimit që dha hapur për dy kandidatura ambasadorësh; por seç kam një ndjesi se edhe çështja e këtyre të dyve (Ardian Ndrecës dhe Ermir Gjinishit) mund ta ketë nxitur të shkruajë, apo më saktë të përfundojë përmbledhjen dhe rishikimin e atyre 19 eseve që përbëjnë librin e tij të ri “Hëna e Shqipërisë”. Është, thanë rezymetë e kolegëve gazetarë, një parashikim pesimist mbi të ardhmen e afërt të vendit, lidhur me pabarazinë e thellë sociale, konsolidimin e ndërthurrjes së biznesit të madh me politikën për të formuar një elitë që i merr frymën vendit, ndikimin që fetë po ushtrojnë në shoqëri, me tendencën madje për të shkuar drejt formacioneve politike (e ka fjalën kryesisht për islamin në hapësirën shqiptare); pa harruar gjithashtu pikëpyetjet e një bashkimi hipotetik me Kosovën.

Menjëherë më pas pati komente dhe analiza, dhe për shkak të reagimit, ndonjë konstatues sipërfaqësor mund të thoshte se Blushi ja arriti qëllimit. Pra të shkaktojë debat dhe të shesë librin. Vihet re se nuk munguan qëndrimet kritike (madje këto ishin të parat) jo drejtpërdrejt për tezat apo parashikimet e Blushit (ky nuk është një libër profetik, paralajmëron ai) por për vetë autorin. Si i drejtohet lexuesit Blushi, si deputet, si politikan apo si shkrimtar e mendimtar i lirë? A nuk ha ai bukën e hyqymetit ndërkohë që shkruan libra (Agim Baçi), kur duhej të bënte deputetin dhe politikëbërësin? Pse nuk i ezauron këto shqetësime madhore me partinë dhe qeverinë e vet? Apo përkufizimi tjetër, ai i Dom Gjergj Metës, që sheh tek Blushi “dëshirën e një politikani për t’u bërë prift”; pavarësisht se nga ana tjetër, unë besoj që publiku nuk sheh asgjë të keqe tek dëshira e Dom Gjergjit për t’u bërë opinionist e publicist. Përkundrazi.

Megjithë narrativën e përpunuar dhe elegante të këtyre autorëve, kjo nuk e fsheh faktin që ata merren me Blushin dhe jo me atë që thotë Blushi. Është fjala për disa shqetësime konkrete që në një mënyrë a një tjetër, diskutohen sot e gjithë ditën mes nesh, herë me ndonjë shkrim, e shumë herë në biseda të lira. Shkrimtari-deputet bën një sintezë të tematikave që përmenda më lart, dhe na thotë: Ja, këto janë rreziqet drejt të cilave po shkon vendi dhe shoqëria. Një plutokraci politiko-ekonomike që po thellon pabarazinë sociale, një popull njerëzit e të cilit ende mendojnë largimin, një Shqipëri që po “turqizohet”, me faktorin fetar islamik që së shpejti do tentojë përfaqësimin direkt politik duke shfrytëzuar terrenin që ka krijuar pikërisht ky 23 vjeçar i politikës post-komuniste etj.

Duhet thënë se duke shmangur etiketimin e një libri profetik, Blushi shpreson që të paktën disa nga këto “profeci” të mund të devijohen, të shmangen. Ndërkaq, nëse duhet debatuar mbi çështjet që ngrihen në esetë e tij (fjala vjen, unë do të shpresoja shumë që Blushi të vuajë nga alarmizmi i tepruar, por e di që nuk është kështu), atëherë le të merremi pikërisht me to dhe jo me autorin. Këtë bën Mentor Kikia, kur thotë të vetën në një artikull, dhe pohon në mënyrë të goditur se, më shumë se rreziku që islami radikal të kalojë në politikë, shoqërinë shqiptare e kërcënon e anasjellta: Politika e korruptuar është duke u shndërruar në fenë mbizotëruese të shoqërisë, duke nisur nga brezat e rinj. Po, kjo është e vërtetë. Sot është dukuri e rrallë të gjesh të rinj që ëndërrojnë të bëhen mjekë a inxhinierë (po përmend profesione gjithsesi fitimprurëse), sepse ëndrra e fshehtë në sirtarin e një gjimnazisti a studenti është t’i hyjë politikës me një mënyrë a tjetrën, dhe të gdhihet drejtor. Aq më mirë deputet. Vlen edhe rruga tjetër: Të bëhet “i fortë”, pastaj biznesmen, pastaj politikan. Puna është se në këtë konstatim, Blushi dhe Kikia janë komplementarë dhe jo kundërthënës. Sepse politika e korruptuar vërtet po ofron modelet mbizotëruese, por në turmën e madhe janë të paktë ata që ja arrijnë. Pjesa dërrmuese, të zhgënjyerit, margjinalizuarit, të grabiturit, janë lënda e parë ideale për anën tjetër të ekuacionit.

Duke u kthyer edhe një herë në fillim, nuk e vë dot dorën në zjarr mbi “ekzilin politik” që e shtyu Ben Blushin të prodhojë “Hënën e Shqipërisë”, (një vend, ashtu si njeriu mund të jetë me hënë; apo në daçi, Shqipëria lunatike). Mbase “vëllazërimi” i kryeministrit me homologun turk Erdogan mund të jetë një arsye ftohjeje mes tij dhe Ramës. As nuk pres që shqetësimet që Blushi mendon se duhet t’i ndajë me gjithë shoqërinë shqiptare, t’i ezaurojë së pari brenda grupit parlamentar. Por nuk shoh asgjë të keqe që një deputet që rastis të jetë edhe shkrimtar, publicist dhe qenie e shqetësuar shoqërore, t’i hajë pak kohë “deputetllëkut” për t’u kthyer me mesazhe të tilla. E keqja e vetme është se kemi shumë pak të tillë.

Revista Klan nr.865

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

E keqja nuk qendron te puna ne se Ben Blushi dashka te bahet prift o nuk dashka te bahet prift.

E kujt i prishe pune At Ben Blushi, perderisa kemi At-in e vetshpallun Nikoll Markun si kemi permateper shume hoxhallar te vetshpallun te cilet organizojne rinine muslimane sunnite shqiptare te shkojne ne Siri ne lufte fetare kundra muslimanve sunnit krahas organizates terrorriste islamike arabo-saudite te Al-Qaedes per te formue aty nji shtet Sheriatik tue perfshi edhe Irakun etj?

Ketu e ka me te drejte Ben Blushi !!! Dhe te gjithe e kuptojne mire se ku e ka Ben Blushi, por done ta devijojne vemendjen nga rreziku i ketyne muslimanve sunnit qe neser mund te bajne te njajten lufte fetare me SHQIPTAR JOMUSLIMAN(qafirat e pa fè) dhe LIFTE FETARE kundra Kushtetutes LAIKE Shqiptare. Keto forca antishqiptare antierupine DHE kundra te drejtave te njeriut, kan per qellim qe te krijojne ne Bashkimin Europian nji SHTET ISLAMIK SHERIATI= KALIFAT.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.