Majlinda, ja tani u rrëfeve...Sikur të mos dilje më në media ca kohë! Si mendon?

Postuar në 10 Dhjetor, 2016 18:51

Si fundjavë që është, leximi i mediave është më i çlirët dhe priret të drejtohet nga lajme me pehash politik neutral. Kjo është arsyeja që sot kureshtja u kënaq që në mëngjes me një titull që fillonte me: Rrëfehet...

Sapo mendja të thotë se kemi të bëjmë me ndonjë dossier, fjala e dytë urdhëron përgënjeshtrimin përmes emrit kumbues: Majlinda Bregu. 

Majlinda ka qenë ministre, sevdalleshë e madhe e politikave të Partisë Demokratike në kohën kur ishte në qeveri, e tanimë një endëse e dalluar kritikash që bëhen paradite, filtrohen si lajme bombastike titujsh të tillë si ky: “shpërthen Majlinda” e diçka e tillë, e mandej pasi janë pjekur në zhegun e budallallëkut mediatiko-politik të përditshëm, dalin nga furra pasdite. Për këtë kujdeset vetë Majlinda, të cilës ndoshta mundet edhe t’i flasim Linda, meqë kaq shpesh ka dalë nga një faqe në tjetrën, nga një titull në tjetrin, saqë të duket se po nuk të foli në rrugë i ka mbetur qejfi me ty.

Linda pra pasditeve e gjen me siguri një dritare prej nga ku do kollisë lajmin e ripunuar, që sorollatet sa nga veshët e pozitës aq edhe të opozitës. Sqaron, trajton, flet me terminologji tjetër nga koha kur ishte në pushtet: Lindën e ka zënë meraku së fundmi se mos Shqipëria mbetet pa integruar, se ndaj grave është rritur dhuna. Ajo ka marrë një rol publik të cilin ia japin publikut disa media që janë bërë si ditare personale të kësaj deputeteje.

Kujdesi shkon edhe për foton. Politikanet shqiptare dihet që janë shumica gra zonja, veshje të shtrenjta, aksesorë të kombinuar, tak tak, troku i ecjes së tyre në oborrin e Parlamentit. Dielli po ashtu po ngroh këto ditë dhe ja sikur gëzohet njeriu i shkretë me këtë oaz të shqiptarisë oksidentale.

Por sot ish-ministrja nuk ja kishte qëlluar: Fotoja bardh e zi servirur në media, paraqiste një femër të menduar me dorën në mjekër – shenjë kjo intelekti – me balluket hedhur më një anë, e cila sepse të ngjan me një gjimnaziste të cilës i ka dalë bursa e studimit, por është në dilemë të madhe se cilën degë të zgjedhë.

Ky individ sot rrëfehej. Dhe me kurajo shumë befasuese fliste edhe për një gjë të tillë si “fati im politik”. E kishte fjalën për veten të cilës i ka ngjitur atribute që sikur rëndojnë shumë. Fati politik u takon njerëzve që përfaqësojnë diçka më shumë sesa veten. Ndoshta deputetja që jeton me frekuencën e ministres në kokë e ka fjalën për fatin e karrierës së saj që po vendoset në këtë lojë të vockël varavingo mes PD-së e PS-së, që janë në duar të tre-katër njerëzve.

Lexuesi pra duhet të besojë se ka të bëjë me një rrëfim, a thua kemi ndonjë mëkatar që duhet të japë llogari para shoqërisë. Ky është një problem i medias - disave që janë kthyer në sisteme qarkullimi të ujërave të ndotura të politikës – që shërben në mënyrë hiperbolike shfaqje personale arrvistësh që kanë të përbashkët me kryeministrin e shumëadhuruar në këtë vend vetëm një gjë: mosmirënjohjen.

Sepse çfarë përfaqëson zonja Bregu, apo Mesila Doda, përveçse aksidente në politikë? A nuk janë aty ato për shkak të vullnetit të një individi dhe asgjë më shumë? Njësoj nga krahu i PS-së, ku gjallon statistika europeiste e barazisë gjinore thjesht numerike e mbi të cilat është Vjehrrë dhe Vjehërr kryeminstri i Lavdishëm?

Këtu – dhe seriozisht pa ironi – zonjës Bregu i kërkojmë ndjesë nëse sadopak mundet ta kemi fyer apo kemi bërë që ndonjë fjalë ta bëjë të ndihet keq. Por nuk kemi gjë më të: Fundja ajo politikane është, kështu thotë – dhe siç e ka zakoni i këtij zanati, sa më shumë të dalësh, aq më mirë është. Po qe se është kjo e dyta, atëherë ja edhe ne e nxorëm, sado që më modestisht sesa e kërkon sëra e politikanes në fjalë. 

Problemi është me mediat, që krijojnë axhenda imagjinare rrëfimesh, mistikash e legjendash urbane që në të vërtetë nuk janë asgjë më shumë sesa nevoja të përbashkëta të njerëzve që kanë si biznes njeriun Sali

Shaptilografisti 

Comments

Submitted by Qejfliu (not verified) on

Ka ca kohe, jo shume, 4-5 vite, qe kjo majlinda, ne keto mediat qe ju thoni, quhej mafioze. A mendoni se ka dijeni ambasadori Lu per keto lidhje? Do sjelle demokracia te ambasada amerikane ne Tirane :)

Submitted by Qejfliu (not verified) on

O cunat e respublica, ore e keni menduar si do e hani ju me ligjin e ri te Bregut? Hahahha, do jete gallate perplasja juaj me keta.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.