Zoti Ministër, ikët nga kolltuku pa më dhënë përgjigje

Postuar në 18 Shtator, 2016 16:37
Gjergj Frashëri

Para pak ditësh, ministri Haxhinasto e braktisi papritur zyrën e tij qeveritare të radhës. M’u shfaqën gjeneralët e bujshëm të Romës antike, të cilëve, sapo kishin fituar betejën e çastit, u vinte me urgjencë urdhri nga Perandori që të hidheshin me furi në betejën tjetër, për shembull të bindnin me dhunë popullin e provincës që të votonin Çezarin dhe jo Pompeun.

Iku papritur – por si përherë duke na lënë shumë suksese. Mjafton t’i hedhësh një panoramë – ekonomisë që na rrethon, asaj që mbulon mjediset urbane të rilindura anembanë qyteteve të atdheut demokratik, ashtu edhe asaj që lulëzon në hapësirat peizazhore rurale të katundeve dhe fshatrave të stolisura me parcela kanabisi, në pritje të gjeneralëve të bujshëm për beteja zgjedhore mjegullore, me oratori demokratike. Interesant, sa shumë çmohen komisarët me vizion për mbledhje votash partie – më shumë se puna e një ministri që po lulëzonte ekonominë e këtij vendi!

 

U hodha një sy bëmave të këtij ministri tepër të çmuar në këto momente të flakta revolucionare të vendit, në njërën anë i përfshirë në beteja reformash të thella europianizimi dhe amerikanizimi, në anën tjetër i përshkuar prej atmosferës së thyerjeve rekordesh botërore për dërgata legjionesh me refugjatë drejt Gjermanisë e gjetkë, të pocaqisur për një “copë bukë” dhe, me ndihmën e Zotit, edhe për një “copë punë”. Nuk e kam marrë me mend se të merrje diplomë për Gjuhën angleze apo franceze në vitet ‘80 paskësh marrë çelësin për të hyrë në pallatin e karrierës politike, si anëtar i qeverive karnavale të Katowice-s në Shqipëri pas vitit 1991.

Në kohën e shkollimit tonë, kjo diplomë ishte kryesisht për profesionin e mësuesit. Por për kohën pas 1991-shit, kjo lloj diplome paskësh qenë flori – pasaportë për të bërë dezhurn si ministër, apo roje nderi në zyrat e mëdha të rangut shtetëror. Nuk e kisha kuptuar, se me diplomën e Gjuhës angleze ose franceze në dorë do të përzgjidheshe me preferencë në epokën e Katowices për t’u bërë çfarëdo ministri, jo vetëm ministër i Jashtëm po e po, madje diplomat dhe ambasador, por edhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë, Energjisë, Transporteve, Kanaleve, Punëve Publike etj., etj, si për shembull ministri i talentuar në fjalë.

***

Por në të vërtetë fjalën e kisha, se ministri Haxhinasto iku nga Ministria pa më dhënë një përgjigje të detyruar. Jo vetëm mua, por edhe vetes! Më 28 korrik 2015, Shoqëria “AKeR” sh.p.k., ku unë punoj, mori pjesë në një tender në fushën e arkeologjisë me titull “Përgatitja e Vëzhgimit Intensiv Arkeologjik për Projektet e Ujësjellësit të Durrësit dhe Kanalizimeve në Zonën Ura e Dajlanit-Plepa, Durrës” (WSIP/NCS/001). Tenderi ishte i Bankës Botërore. Ekzekutuesi ishte Drejtoria e Përgjithshme Ujësjellës-Kanalizime pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, e udhëhequr nga strategu i lartpërmendur. Për vendosjen e tubacionit të ujësjellësit të ri, projekti parashikonte një rrjet shpërndarës të ujit në gjatësi prej 63 km, me anë të një kanali me gjerësi 1,5 m.

Para fillimit të punimeve për hapjen e kanalit të ujësjellësit, ishte planifikuar nga Ministria e Kulturës të kryhej një Vëzhgim Arkeologjik në linjën e furnizimit me ujë të Durrësit nga Lumi i Matit deri në Porto Palermo dhe më tej në zonën e Plazhit. Vëzhgim arkeologjik (survey) do të thotë që arkeologu të vëzhgojë sipërfaqen e tokës pa e prekur atë, të shohë nëse ka shenja të objekteve arkeologjikë apo jo. Gjithashtu, të marrë të dhëna arkeologjike nga burimet e ndryshme historike për sipërfaqen në fjalë. Vëzhgimi arkeologjik nuk është kryerje sondazhesh dhe as gërmim, por vetëm shikim me sy dhe matje topografike me GPS.

Pra detyra e tenderit në rastin konkret ishte që arkeologu duhet të kryente vetëm shikim sipërfaqësor në shiritin me 1,5 m gjerësi, ku do gërmohej më vonë kanali i ujësjellësit. Për më tepër, kanali për vendosjen e tubacionit të Ujësjellësit të ri do të hapej në pjesën më të madhe mbi sipërfaqen e rrugëve të asfaltuara. Këtu arkeologu nuk mund të bëjë asnjë lloj vëzhgimi arkeologjik, por vetëm të nxjerrë të dhëna burimore historike nga arkivi apo literatura. Gjithashtu, vëzhgimi arkeologjik nuk kryhet edhe në segmentet ku tubacioni kalon në kanalet e vjetra, sepse aty substanca arkeologjike është e shprishur nga gërmimet e mëparshme.

Po ashtu, ai nuk kryhet edhe në ato segmente ku tubacioni kalon përmes shtratit të lumenjve. Pra nga i gjithë projekti, mbetej për t’u vëzhguar nga arkeologu në terren një shirit toke jo më shumë se 20 kilometra dhe 1,5 m gjerësi, vetëm në pjesët ku tubacioni ishte parashikuar të kalonte në zonat e paasfaltuara. Mbi bazën e këtij volumi pune në terren dhe në arkiv, kompania jonë përgatiti çmimin e tenderit prej 284.246 lekësh të rinj. Këtu patëm parasysh edhe eksperiencën tonë 25- vjeçare në arkeologjinë e Europës Qendrore, kryesisht në Gjermani, ku ky projekt me të tilla kushte nuk arrin çmim më të lartë se sa 3.000 €.

Hapja e ofertave u bë më 29 korrik 2015 në Drejtorinë e Përgjithshme të UjësjellësKanalizimeve, me pjesëmarrjen e drejtorit të përgjithshëm të kësaj drejtorie, zotit Ardian Allushi. Rezultati ishte i paharrueshëm. Kundrejt vleftës ofertë prej 284.246 lekësh të kompanisë sonë, vlera konkurruese e kompanisë që u shpall fituese e tenderit ishte në lartësinë prej 8.978.143 lekësh. Oferta jonë përbënte pra, rreth 3% të vleftës së ofertës të dhënë nga kompania konkurrente. E thënë ndryshe, për të njëjtin produkt, ne kërkonim të paguheshim me 3 lekë, ndërsa kompania që fitoi tenderin kërkonte të paguhej me 100 lekë nga i njëjti shitës.

Pa dyshim rezultati i tenderimit ishte alarmant. Ankimi ynë u kthye në detyrim qytetar. Tashmë çështja nuk ishte pse nuk fitoi oferta jonë, por denoncimi i rezultatit brutal financiar të tenderit. Së pari iu drejtuam me shkrim (30.07.2015) drejtoreshës së Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA) pranë Ministrisë së Kulturës, zonjës Rudina Zoto, si drejtuesja e zyrës më kompetente dhe e përgjegjshme ligjore e Republikës për mbrojtjen dhe shpëtimin e pasurisë arkeologjike të nëntokës. I shprehnim shqetësimin mbi diferencën alarmante financiare të tenderit.

I kërkonim, që si institucion ministror, të ushtronte kontrollin shtetëror mbi kërkesat e këtij tenderi që binin ndesh me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore, si dhe me Rregulloren dhe Udhëzimet e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA). I kujtonim se ishte detyrë e shtetit, që çmimet të kontrolloheshin nga Ministria për të penguar korrupsionin. Por ASHA nuk dha kurrë përgjigje, ashtu siç bën për projekte edhe më groteske në shpërdorim të pasurisë arkeologjike të nëntokës.

Tenderin në fjalë e denoncova personalisht në një mbledhje të KKA-së, ku u ndodha për mbrojtjen e një ekspertize (02.09.2015). Iu drejtova direkt ministres, zonjës Mirela Kumbaro, duke i tërhequr vëmendjen me ton kritik, se është përgjegjësia e Ministrisë së saj që lejon të hartohen kërkesa mbi aktivitetin arkeologjik me çmime të shthurura dhe në kundërshtim me ligjin. Mjerisht pata folur, si të thuash, me murin.

***

Çështja vazhdon të jetë edhe sot pas një viti shumë serioze. Në vendet e Europës Qendrore, një rast i tillë, kur dy subjekte paraqesin për të njëjtat kërkesa të projektit diferenca vlerësimi grotesk financiar në raportin 3 me 100 njësi, çështja bëhet automatikisht objekt shqyrtimi i organeve kontrolluese financiare të shtetit. Më datën 07.09.2015, Zyra e Avokatisë të shoqërisë sonë i dërgoi ankesë Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe Komisionit të Prokurimit Publik Tiranë.

Përgjigje erdhi vetëm prej Komisionit, i cili pranonte faktin se procedura e ndjekur nga organe të shtetit ishte bërë e heshtur dhe e papublikuar në portalin elektronik të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Ankesë iu dërgua edhe Autoritetit Kontraktor – Drejtorisë së Përgjithshme të UjësjellësKanalizimeve, për shkelje të ligjit për prokurimin publik; për faktin se ai kishte shpallur fitues jo ofertën më të ulët, por kishte përdorur në dokumentet e tenderit kritere antiligjore; sepse kishte pranuar ofertën ekstremisht më të lartë se çmimet e këtyre kontratave në vendet e Europës së zhvilluar; dhe se kriteret dhe kërkesat e tenderit nuk ishin vendosur në përputhje me ligjin, të cilat i përgatit për çdo projekt Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) nën drejtimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA) pranë Ministrisë së Kulturës, ndërsa udhëzimet financiare i jep shteti.

Mjerisht, përgjigjja e kësaj ankese nuk erdhi kurrë nga Drejtoria e Ministrisë së Transportit deri sa zoti Haxhinasto ishte në detyrë. Duke qenë se tenderi ishte i Bankës Botërore, kërkesë ankimore iu dërgua edhe Prezencës së saj në Shqipëri (15.09.2015), së cilës i kërkohej të vinte në lëvizje proces auditimi për të hetuar mbi shkeljet e kryera për këtë projekt. Të them të drejtën, nuk e kam besuar dhe nuk e besoj edhe sot, që Banka Botërore nuk do të reagonte ndaj këtij ankimi. Ankesa jonë ra këtu në vrimë të zezë. Paratë e financuara prej saj për këtë projekt janë borxhe të shqiptarëve.

Në parim një borxhdhënës duhet të ndjekë dhe të përgjigjet me interes se si përdoren paratë për të ndihmuar ekonominë e një vendi të varfër, që ato të mos zhubraviten, lahen apo thahen gjatë rrugës. Shoqëria jonë bëri gjithashtu kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe punonjësve të Njësisë së Prokurimeve pranë kësaj drejtorie, për shpërdorim detyre, për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera etj. Prej një viti pritet me shpresë reagimi nga Prokuroria e Tiranës.

Por më mirë se të gjithë, të vërtetën e di ministri i porsaikur i Transportit. Një tender i dreqosur nuk është e mundur të gëlltitet kaq me guxim nga një drejtor i përgjithshëm i një drejtorie ministrie, po nuk e pati kapërdirë më parë kafshatën vetë ministri i tij, i cili është betuar për ndershmëri në detyrë. Kemi pyetur te ministria e tij – pse ajo paguan 100 lekë në vend që të paguajë 3 lekë për të njëjtën punë?

Pse nuk jepet përgjigje? Këtu dyshohet për shpërdorim flagrant parash të taksave dhe të borxheve, prej të cilave i vete rroga edhe kolltukut të ministrit. Vals me Bankën Botërore për të mos dhënë përgjigje?! Solidaritet me Ministrinë e Kulturës, e cila veçanërisht në tre vjetët e fundit është shquar për shpërdorimin e pasurisë arkeologjike të Shqipërisë si kurrë më parë! Furnizohen kërkesa monstruoze tenderash arkeologjie nga Ministria e Kulturës, që tenderi t’i shkojë ndërmarrjes së ndërtimit dashnore.

Solidaritet i Tepsisë ndërinstitucionale! “Të bashkuar nuk na gjen gjë – thoshin romakët 2070 vjet më parë – edhe po të godasim njëherësh me thika Çezarin”. “Nuk na hyn gjë në këmbë për të bërë pará në emër të arkeologjisë, po të kemi solidaritet të çeliktë” – thonë ministrat e qeverisë së sotme të Shqipërisë.

***

Por shpërdorimi financiar për Vëzhgimin Arkeologjik në projektin e Ujësjellësit të Durrësit paska qenë vetëm një karamele! Del në dritë se vizionarët e këtij projekti paskëshin konceptuar si detyrim arkeologjik edhe dy faza të tjera deri në përfundim të projektit. Faza e dytë është titulluar “Kryerja e sondazheve arkeologjikë”, për të cilën marrim vesh se qenka planifikuar një shumë prej gati gjysmë milion eurosh. Ndërsa faza e tretë qenka titulluar “Kryerja e gërmimeve arkeologjike të shpëtimit”, ku sipas të dhënave jozyrtare qenka planifikuar një shumë prej gati një milion eurosh.

Ç’janë këto kërkesa? Shpikje nga Shpella e Ali Babës! Udhëzimet e Arkeologjisë Europiane e ndalojnë aplikimin e Sondazheve apo të Gërmimit Arkeologjik për rastet e hapjes së kanaleve infrastrukturore me gjerësi 1,5 m. Me logjikën profesionale, hapja e një kanali kaq të ngushtë është vetë Sondazh dhe vetë Gërmim arkeologjik. Gërmimi i kanaleve me makineri bëhet nga firma ndërtuese. Arkeologu i shoqëron ato duke vëzhguar paralelisht nëse ka ndonjë shenjë arkeologjie, apo nuk ka. Nëse dallon të tilla shenja, ai ndalon përkohësisht gërmimin e makinerisë dhe me lejen e ndërtuesit dokumenton sa më shpejt substancën arkeologjike që shfaqet.

Ky proces quhet Shoqërim Arkeologjik i Punimeve Ndërtuese Infrastrukturore. Pra, në rastin konkret, arkeologu shoqëron (dokumenton) punimet e gërmimit për hapjen e një kanali kur del në dritë gjurmë arkeologjie. Kaq! Në Gjermani, për një shoqërim arkeologjik të punimeve infrastrukturore (archäologische Baubegleitung) me kushtet e projektit në fjalë të Durrësit nuk mund të kushtojë më shumë se 40.000 euro netto (sidoqoftë, jo 1,5 milion euro sa në Ministrinë e Haxhinastos dhe të Kumbaros, të përkrahur nga Borxhdhënësi. Ata shkruajnë hesape sikur kanalin e gërmon njëherë Arkeologu dhe mbasi ai e mbyll prapë, pastaj e gërmon rishtas Ndërtuesi!).

Futja teorike e këtyre dy fazave arkeologjike në këtë projekt përbën një hap të pashembullt korruptiv në historinë e arkeologjisë, për përvetësime flagrante parash nën emrin e arkeologjisë. Këtu nuk është përzierë vetëm Ministria e Haxhinastos, e cila ka kërkuar të marrë para për një punë që nuk ka mundësi të bëhet edhe sikur të dojë dikush ta bëjë, por edhe ministrja Kumbaro, e cila e ka hartuar ose gëlltitur këtë skenar të shtrembër profesional.

Çështjen e mësipërme e denoncova gjithashtu në mbledhjen e KKA-së të përmendur më sipër (02.09.2015). Mjerisht fola atëherë, përsëri, me murin. Zoti ministër Haxhinasto, qëndroj në pritje të përgjigjes suaj kudo që të filloni dezhurnin e ri politik. Për pjesën e Ministrisë së Kulturës jam i detyruar të njoftohem edhe një herë.

"Panorama"

Comments

Submitted by Ska Nder BEGU (not verified) on

I nderuar Gjergj !
Me kot ankohesh per Haxhinaston !
POSTET BLIHEN, E PER TE BLERE DUHEN PARA.
TE PAKTEN BOTIMI I KETIJ SHKRIMI DO VEPRIM NGA INSTITUCIONET PERKATESE ..................E NESE NUK VEPROJNE, SHKRIMI YT DUHET TE TE SHERBEJE PER TE MESUAR SE CFARE SHTETI KEMI NDERTUAR.
KAQ

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.