Zhvillimet në Krime në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare

Postuar në 20 Mars, 2014 05:03

Ksenofon Krisafi 

Një kompleks ngjarjesh dramatike mbushën këto ditë skenën ndërkombëtare duke pasur si epiqendër gadishullin e Krimesë, si dhe Ukrainën dhe Rusinë. Ato patën impakte të drejtpërdrejta dhe shkaktuan turbulenca të fuqishme politike edhe në vende të tjera, në organizata ndërkombëtare, universale dhe rajonale. Pas trazirave të përgjakshme në Kiev dhe përmbysjes së ish-presidentit Janukoviç, Krimea, me nxitjen e Rusisë, organizoi në rrethanat e një situate konfuze dhe të paqëndrueshme, një referendum, i cili miratoi shkëputjen e saj nga Ukraina dhe daljen si shtet i pavarur. Në vijim, sipas një ceremoniali të përcaktuar saktësisht dhe nëpërmjet një vargu procedurash të kalkuluara, që dalloheshin ndër të tjera edhe për një ngut të jashtëzakonshëm, parlamenti i Krimesë iu kërkoi menjëherë OKB-së dhe shteteve të tjera njohjen ndërkombëtare. Ai shpalli ndërkohë nacionalizimin e pasurive të shtetit ukrainas në Krime, çmobilizimin e njësive ushtarake ukrainase, shfuqizimin e ligjeve dhe akteve të tjera juridike të Ukrainës, anulimin e çdo pushteti të autoriteteve ukrainase, kalimin në përdorimin e rublës si mjet shkëmbimi në veprimtaritë bankare në Krime, pa harruar madje edhe kalimin në sistemin e orës ruse, duke e zhvendosur me dy orë akrepin e saj. Në fund të të gjitha këtyre, pa pritur ndonjë zhvillim në përgjigje të thirrjeve për njohjen ndërkombëtare, erdhi kërkesa për bashkimin me Rusinë. Presidenti Putin iu kërkoi organeve kompetente ta miratonin atë. Forcat politike ruse e përshëndetën me entuziazëm. Ish-presidenti Gorbaçov e konsideroi bashkimin e Krimesë me Rusinë si korrigjimin e një padrejtësie që ishte kryer në vitin 1954, pa marrë pëlqimin e popullit të saj. Autoritetet ruse kanë pretenduar se në qëndrimin e tyre ndaj ngjarjeve në Krime zbatuan normat e së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht parimin e vetëvendosjes. Në fakt ndodhemi përpara një spekulimi, sepse nuk janë as kushtet dhe as rrethanat në të cilat mund të zbatohet parimi i vetëvendosjes. Nëpërmjet organizimit të një referendum juridikisht të paligjshëm, u dhunua kushtetuta e Ukrainës dhe e drejta ndërkombëtare, siç i deklaroi shefit të Kremlinit, Putinit, presidenti Obama, në bisedën telefonike të ditëve të fundit. Prandaj SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do ta njihnin rezultatin e tij. Megjithatë ai shprehu gatishmërinë, e bashkëpunimit për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mbante në konsideratë edhe interesat e Rusisë dhe shfaqi gatishmërinë që John Kerry të negocionte me Sergei Lavrovin për identifikimin e kësaj zgjidhjeje. Putini iu përgjigj se referendumi ishte në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe se ishte vepruar si në rastin e Kosovës, përgjigje kjo që vështirëson mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm. Qoftë edhe nga një vështrim i shpejtë nuk dallohet asnjë paralelizëm ndërmjet rastit të Krimesë dhe atij të Kosovës, e cila ushtroi realisht të drejtën e vetëvendosjes, në përputhje me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në Kosovë prej gati një shekulli, nëpërmjet një politike sistematike shtetërore, janë kryer akte të rënda çnjerëzore, që përfaqësojnë genocid, krime lufte e krime kundër njerëzimit, janë shfarosur masivisht mijëra njerëz. Ishte kjo arsyeja pse veproi bashkësia ndërkombëtare. Në Krime ndërhyri një shtet dhe cenoi integritetin territorial të një shteti tjetër sovran, Ukrainës, për t’i shkëputur asaj një pjesë, e cila ndryshe nga sa parashikohet nga e drejta ndërkombëtare për zbatimin e parimit të vetëvendosjes, nuk rrezikohej të humbiste identitetin etnik, fetar, kulturor, gjuhësor dhe as të drejtat dhe lirinë e saj. Në Kosovë u aplikua drejt, pa abuzime, pa falsifikime, parimi wilsonian i të drejtës së vetëvendosjes, i përmendur vazhdimisht në një varg rezolutash të OKB dhe i sanksionuar nga Deklarata mbi parimet e të drejtës ndërkombëtare në lidhje me marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, e vitit 1970. Kurse në Krime, jo. Madje rasti i saj përngjason me disa precedentë historikë ekstremë, që kanë kompromentuar kuptimin e referendumit dhe procedurat e zhvillimit të tij, precedentë këta që janë stigmatizuar si shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare. Të tillë ishin pushtimi nga Hitleri i Austrisë, në korrikun e 1938 dhe i Çekosllovakisë, në marsin e 1939, pas referendumeve të falsifikuara të organizuara nën terrorin e ushtrisë pushtuese gjermane. Pothuajse identik ishte edhe i ashtuquajturi bashkim personal ose real italo-shqiptar, në vitin 1939, pas pushtimit fashist të 7 prillit. Dy tre ditë më vonë një asamble kushtetuese kuislinge u mblodh në Tiranë dhe i ofroi Viktor Emanuelit të Tretë të Italisë kurorën mbretërore të Skënderbeut, të cilën senati italian e miratoi menjëherë.
Edhe në Krime Rusia veproi pothuajse njëlloj. Përveç trupave që kishte atje prej kohësh, në kuadrin e marrëveshjeve që ekzistonin ndërmjet saj dhe Ukrainës, dërgoi edhe disa mijëra forca të tjera ushtarake, avionë, tanke e mjete luftarake, duke krijuar një situatë terrori e frike të përgjithshme dhe duke kompromentuar e paravendosur kështu rezultatin e referendumit, i cili u krye sipas skenarit të orkestruar nga Moska. Siç shihet, ngjashmëritë janë gati identike si në anën formale ashtu edhe në shkeljen brutale të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Është e vështirë të bëhen parashikime për rrjedhën e mëtejshme të zhvillimeve në rajon. Ajo që dihet është se kanë filluar të dëgjohen zëra në Ukrainën lindore, të banuar me shumicë ruse, për institucionalizimin e “Federalizimit ekonomik” dhe të “Sovranitetit linguistik”, që mund të jenë shenjat e një acarimi të pritshëm. Nuk përjashtohet që zhvillime violente të ketë edhe në vende të tjera me situata të ngjashme.
Ato që ndodhën në Krime përfaqësojnë shkelje të parimeve dhe të normave themelore të së drejtës ndërkombëtare, për organizimin e referendumit, të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje etj. Zgjidhja normale e tyre mund të kryhet vetëm nëpërmjet restaurimit dhe zbatimit të normave ndërkombëtare. Insistimi i palës ruse në qëndrimet e veta, në se do të vazhdojë, mund të shoqërohet me pasoja të padëshiruara. Një prej tyre, jo aq i papërfillshëm, mund të ishte aplikimi i sanksioneve ekonomike, tregtare, financiare, bankare, bllokimi i lëvizjes së mjeteve, kapitaleve dhe individëve etj., disa prej të cilave kanë filluar të vihen në jetë. SHBA dhe BE deklaruan se bllokuan lëvizjen, llogaritë bankare dhe pasuritë e 21 rusëve dhe ukrainasve të akuzuar si shkaktarë të shkëputjes së Krimesë nga Ukraina. Rusia u pezullua nga pjesëmarrja në G 8.
Edhe Moska ka avancuar propozimin e saj për zgjidhjen e krizës. Ajo i ka kërkuar Ukrainës të miratojë një kushtetutë të re, në të cilën të sanksionohet epërsia e të drejtës dhe e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të garantohet struktura e një shteti demokratik me sovranitet, me status dhe me politikë neutrale të garantuara nga Rusia, BE dhe SHBA. Kushtetuta duhet të njohë gjuhën ruse si gjuhë zyrtare krahas gjuhës ukrainase. Kërkesat e mësipërme janë konsideruar si ultimatum nga Kievi dhe si të tilla janë refuzuar. Zëdhënësi ukrainas iu ka bërë thirrje autoriteteve ruse që të ndalojnë agresionin dhe të tërheqin forcat e armatosura duke i rikthyer në bazat e tyre. Mirëpo, duke djegur me shpejtësi etapat dhe duke mos lënë kohë për reflektime me qetësi e gjakftohtësi, Krimea dhe Rusia nënshkruan më 18 mars 2014, një marrëveshje për aderimin e Krimesë dhe qytetit të Sebasopolit në Federatën Ruse. Në vorbullën e këtyre zhvillimeve shqetësuese nuk është e lehtë të parashikohet se cilat do të jenë pasojat në të ardhmen për Ukrainën, rajonin, paqen dhe stabilitetin në përgjithësi dhe cila do të jetë zgjidhja. Le të shpresojmë se politika ruse do t’i rikthehet restaurimit të normave të dhunuara të së drejtës ndërkombëtare dhe respektimit të tyre me korrektësi.
*Autori është pedagog i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Europian të Tiranës

 

"Mapo" 

Comments

Submitted by Gio (not verified) on

I nderuar profesor, nuk ve ne dyshim pergatitjen tuaj teorike dhe as informacionin qe keni mare nga mediat e pozicionuara lidhur me kete ngjarje.
Une kam lexuar komente te specialisteve te tjere perendimore te se drejtes nderkombetare qe mendojne ndryshe .
Ne se e keni studiuar kete ngjarje, mendoj se lexuasve do ti interesonte nje analize perse u arrit ne kete pike dhe pse pikerisht ne kete moment?
Biellorusia, Ukraina dhe Moldavia kane sherbyer vazhdimisht si kushineta ndermjet Rusise dhe Europes perendimore.
Duke patur parasysh konfliktet para dhe pas dy luftrave boterore pyetjet shtrohen:
- Zgjerimi i Natos drejt lindjes a respekton te drejtaten nderkombetare kur imponohet me refernedum nen presionin ekonomik?
- ky zgjerim me vendosjen e raketave ne Poloni e ne Ceki dhe me joshjen qe po i behej Ukraines a cenon interesa te shteteve te tjera?
- Cfare roli nxites e provokueas luajti rezimi me puc i Ianukovicit dhe zevendesimi i tij me ekstremiste pas ardhes te nazizmit?
- A nderhyne shtetet europiane per terheqjen e Ukraines nga vetja dhe a mbeshteten forcat e dhunes ne Kiev me preteksin e rezimit te Presidentit te Koruptuar?

Ka edhe plot te tjera dhe nuk po rendia ato qe i takojne pales Ruse se gazetat jane plot me renditjen e interferencave te saj.

Nuk justifikoj as nje lloj dhune dhe nderhyrje sikurse nuk justifikoj asnje lloj manipulimi hapur apo fshehur nga njera apo nga pala tjeter. Nuk besoj se e drejta nderkombetare eshte vendimet qe marin liderat e zyrtaret e cfaredolloj forumi qofshin, por zbatimi me nje standard i principeve themelore te kartes se kombeve. Sot po perdoret si retorikat elektorale per te justifikuar veprimet. Timori i lindjes, Afganistan, Vietnam, Irak, Kosove e shume shtete te afrikes, e se ffundmi Krimea, jane me ngjarje e me kushte te vcanta por dhe me aplikime te ndryshme te standarteve themelore.

Ukraina eshte shesh veprimesh i nje rivaliteti te vjeter ndermjet Rusise dhe Natos (shba) dhe nuk filloi sot. Ngjarjet jane komplekse me truke e intriga nga te dy krahet.
Filozofi rus Ivan Ilin (anti nazist dhe anti komunist) nder te tjera ka shkruar para viti 1954 , nje analize me titull Rusija. Tre fjele. Ju sugjeroj ta lexoni dhe do te gjeni te reflektuar ngjarjet e sotme.

Pozicionimet e sheqerosura lerjani politikes.

Na beni nje analize profesionale e te pa aneshme qe te mesojme edhe ne injorantet e mos coroditemi nga propaganda.

Sinqerisht me respekt
Gio

Submitted by Stefan H (not verified) on

<p>E ke kot o Ksenofon qe e quan te padrejte votimin e e Krimese dhe te drejten per vetevendosje. Ty e di shume mire se sado here te zhvillohet referendumi, ka per te dhene te njetin rezultat prandaj leri genjeshtrat dhe degjo gorbacovin: perderi sa nuk eshte bere ndonje referendum kur krimeja ju bashkua Ukrahines, cdo lloj ndryshimi i ardhshem gjeopolitik do ta sllte ate ne drite. Zgjidhja qe u be eshte me e drejta. Perendimi duhet ta ndale ekspansionin ndaj rusise dhe te respektoje sferat e influneces. kriza ne fjale eshte rezultqa i nje destabilizimi qe erdhi nga perendimi. Pse Kosova morri aprovim nderkombetar per tu shkeputur? thjesht rezultati ishte opjese e nje loje gjeopolitike qe kete here ishte ne fatin e saj.</p>

Submitted by Niko Maloku (not verified) on

<p>Megjithe respektin per Krisafin, me duhet te them se analiza nuk ishte fare ne binaret e se Drejtes Nderkombetare por ne hulline e qendrimeve politike aktuale. Nese don te besh juristin e se Drejtes Nderkombetare duhet te citosh nenet dhe konventat nderkombetare qe e ndalonin nje akt te tille. Edhe perpjekjet per te bare dallimin me Kosoven jane te sforcuara dhe aspak bindese. E drejta e vetvendosjes nuk ka te beje me faktin se si trajtohesh brenda nje shteti. Ajo eshte universale. Ndersa trajtimet e karakterit politik qe kamlexuar deri tani jane te mjera. Nuk mund te japin leksione demokracije ata qe nxisin, organizojne dhe duartrokasin rrezimin me dhune nga pushteti te atyre qe jane zgjedhur me vote te lire. Kjo eshte taksative.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.