Vuçiq, model i politikanit në Ballkan?

Postuar në 18 Mars, 2014 04:28
Beqë Cufaj

Eseisti dhe poeti i madh gjerman, Hans Magnus Enzensberger e ka një thënie të cilën e praktikon jo rrallë. “Unë jam njeri. Dhe kjo më dallon nga lisi. Sepse njeriu lëviz, ecë, ndërron shikimin, botëkuptimin dhe me këtë edhe qëndrimin e tij. Lisi jo. Ai rrin ashtu siç është dhe me këtë edhe nuk lëviz dot!”.

Me këtë mendim të Enzensbergerit ndoshta do të mund të përshkruhej më së miri në njërën anë biografia dhe në anën tjetër politika e Aleksandar Vuçiqit, prej sot, edhe zyrtarisht njeriut më të fortë në vendin fqinj.

Siç edhe pritej, fituesi i zgjedhjeve në Serbi është lideri i “Përparimtarëve” të Serbisë. Do ishte e tepërt të flitet për biografinë e Aleksandar Vuçiqit e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë temë dhe jo vetëm... e medieve të rajonit por edhe botës. Nga një nacionalist dhe shovenist i bindur, por edhe nxënës i përkushtuar i bindjeve politike të Sheshelit e Nikoliqit, Vuçiqi, brenda një periudhe të shkurtër kohore, arriti të bëhet numri një në Serbi. Kjo metamorfozë e tij cila në fillim dukej si e pabesueshme, sot,  është e përkryer dhe gadi e pakthyeshme në rolin e tij si lider i shtetit serb por edhe faktor i rëndësishëm në rajon kur paqja me fqinjët është në pyetje dhe kur reformat e brendshme në Serbinë drejt integrimeve europiane janë poashtu në pyetje. Në të dy këto sfida, Vuçiq del të jetë i pacenueshëm nga brenda dhe pa ndonjë alternativë për partnerët nga jashtë.

Rruga e Vuçiqit drejt këtij triumfi nuk ishte as e thjesht e aq më pak e lehtë. Përkundrazi. Nën hijen e “baballarëve” të tij politikë të sipërpërmendur, për më tepër se një dekadë ai është parë dhe perceptuar gjithnjë si instrumenti i tyre në politikën e Beogradit. Ai ishte gjithmonë i treti dhe mbase për këtë doli edhe i vërteti!

Pas vendimit të dhembshëm të Tomislav Nikoliqit që së pari të ndahej dhe mëpas edhe formonte partinë e tij politike, Aleksandar Vuçiq pat ngurruar t’i bashkëngjitej menjëherë. Kurrë nuk është marrë vesh pse dhe si u bë që vetëm më pas të kalonte në taborin e Nikoliqit. Të ketë parë shansin e tij në ikjen e tij? Si i treti që ishte tek Radikalët- pas Sheshelit (që iku për në Hagë) dhe Nikoliqit që u bë shef de facto, ndoshta e kishte parë shansin e tij që më në fund të merrte karrigen e të parit? Nuk dihet. Por ajo që u bë dihet. E se cila ishte marrëveshja e tij me atë botë themeltarin e “Naprednjak”-ëve dhe sot Kryetarin e Serbisë nuk dihet. Gjithsesi, çfarëdo të ketë qenë ajo, për Nikoliqin doli mëse e bekuar. Sepse me Vuçiqin që mori me vete, të dy këta arritën të bënin një rrugë e dy punë. U ndanë nga Shesheli bashkë me  ideologjinë e tij dhe në të njejtën kohë, radikalët i hodhën në ujërat e anonimitetit. Dorën në zemër, për këtë, u ndihmoi shumë edhe Koshtunica i cili vazhdon të jetë i papërmirësueshmi i  politikës serbe. Ajo që dihet për tandemin Nikoliq- Vuçiq është se në politikën e tyre, qoftë të “pastrimit” nga e kaluara shoviniste ashtu edhe strukturimit të partisë së re, treguan një durim të cilin zor që mund t’ia gjesh shoqin në Ballkan. Për vite e vite të tëra Partia e Përparimtarëve të Serbisë, e ngarkuar nga e kaluara radikale, e denoncuar dhe me këtë edhe njollosur nga “demokratët” e Tadiqit me postulatin si “parti e destabilizimit të Ballkanit” dhe e stopuar nga ndërkombëtarët të cilët bënin çdo gjë që me infuzion t’i mbanin në pushtet pinjollët e Gjingjiqit, ata arritën që megjithatë të bëheshin partia më e madhe në vend dhe në të njëjtën  kohë edhe të duronin mbi supe barrën e të bërit opozitën. Të mos i harrojmë demonstratat e grevat e tyre të urisë. Goditjen fatale që ua dha Tadiqi para pesë vitesh kur lidhi koalicion me socialistët e Daçiqit. Dhe mobilizimin total të para dy viteve kur Demokratët e Tadiqit humbën në zgjedhje, provuan sërish të bëjnë reprizën me Daçiqin duke i ofruar atij “vetëm” karrigën e zëvendëskryeministrit duke ua dhënë kështu shansin e madh të dyve: Nikoliqit e Vuçiqit. Këta të dy, pa ngurruar e bënë atë që pritej: Daçiqit, i cili atbotë kishte fituar vetëm 13 përqind të votave i ofruan shumë më tepër: karrigën e Kryeminsitrit me kushtin që Nikoliqi të bëhej President kurse Vuçiqi zëvendkryeministër i Qeverisë serbe. Çdo gjë që vjen mëpas është histori e afërt të cilën e kemi parë dhe përjetuar.

Tomislav Nikoliqi si President i Serbisë ende nuk mundi që krejtësisht të shkëputej nga e kaluara e tij nacionaliste. Prandaj, jo rrallë ngjet që sidomos në Europë (Berlin e Bruksel) të shihet me mëdyshje. Kjo nuk mund të thuhet edhe për Amerikën ku “Përparimtarët” kanë lidhje të forta dhe me këtë edhe lobues  të cilët ua kanë hapur dyert në Kongres, Senat por edhe State Departament e Shtëpi të Bardhë (e tëra pat filluar me ish- Ambasadorin Amerikan William Montgomery i cili shihet si ndihmaçari i parë i madh i Nikoliqit e Vuçiqit).  Me të njëjtën skepticizëm  në qeverinë e deritashme serbe u pa edhe Daçiqi. Atij, iu dha detyra e negociuesit me Prishtinën, iu ndanë detyra tjera të cilat pak fare pak kishin të bënin me reformat e brendshme administrative, proceset e rënda ekonomike e financiare dhe sidomos me riformatizimin e Qeverisë serbe para 7 muajsh. Të gjitha këto i mori përsipër njeriu i tretë në hierarki dhe ajo që ai bëri si politikan është që në zgjedhjet e djeshme të del si lideri i partisë që mori më së shumti vota në historinë e pluralizmit në Serbi.

Pse dhe si e bëri Vuçiq këtë gjë? Sepse, në cilësinë e Kryetarit të ri të “Përparimtarëve” serb dhe pozitës së Zëvendëskryeministrit, ai arriti i që përmes një sistemi të butë të shkëputet nga nacionalizmi pa u shndërruar në mohues kozmopolit  por duke mbetur një patriot i matur.  Sepse nuk u ndërsye pas pushtetit absolut e aq më pak grindjeve ditore me partnerin e vogël të koalicionit por për këtë u tregua i mençur: vetëm e vetëm që ta çonte “babain” e tij politik në karrigen  e Kryetarit të Serbisë edhe pse me dukshëm më shumë vota se socialistët, pranoi kompromisin  që Daçiqit t’i jepej posti i Kryeminsitrit.

Dhe e tëra nisë nga kjo pikë.

Me një gjuhë të thjeshtë por për këtë sa të vërtetë e aq të dhembshme, qysh nga koha e opozitës, e më vonë edhe shefit të shtetit serb  në hije, Vuçiq bëri diçka që në Ballkan dukej dhe duket e pazakonshme: ai u fliste dhe flet qytetarëve serb për gjendjen e rëndë në të cilën vendi i tyre ndodhej e ndodhet. U thoshte dhe thotë që deshën nuk deshën: kur Kosova është në pyetje duhet të bëheshin dhe bëhen kompromise të rënda dhe të tmerrshme (nga këndi i tyre).

Por ja që ato duhej e duhet të bëhesn në mënyrë që vendi të merr(te) statusin e Kandidatit për anëtarësim në BE. Edhe kjo temë e mbuluar nga ai dhe jo Daçiqi. U thoshte dhe thotë qytetarëve të tij që korrupsioni është një çështje kokash. Kokash të politikanëve e magnatëve (që në Serbi u thonë tajkunë)  por edhe qytetarëve të cilët duhet të mësohen që mund dhe duhet të jetojnë edhe pa korrupsion. Dhe arriti vepronte: arrestonte më të mëdhenjë e Ballkanit siç është një Mishkoviq por edhe përndiqte të tjerë siç është një Shariq. Burgoste ish- Ministra të Tadiqit por edhe largonte nga radhët e veta të korruptuarit e komprometuarit.

Por para së gjithash, ajo që Vuçiqin e karakterizoi dhe tashmë është bërë një gurthemel i politikanit të ri në Serbi dhe nëse doni edhe Ballkan  është sinqeriteti me të cilin ai u flet qytetarëve, vepron në politikë dhe tregon në arenën ndërkombëtare- qoftë në Europë ashtu edhe Amerikë, Azi, e Afrikë.

Dallimi i madh i Vuçiqit me kolegët e tij nga rajoni është pra tek profili dhe puna. Ai nuk flet për "sukseset" e "arritjet" por tek gjuha e tij: skanon situatën e rëndë në vend dhe atë diagnozë ua prezanton qytetarëve të tij për të treguar edhe për hapat që po merr për të ndryshuar gjendjen. Shprehja e tij pas fitores të së dieles që "Qeveria e tij e re nuk do të punojë për të fituar zgjedhjet e ardhshme por për brezat e ardhshëm të Serbisë" është indikatori më i madh se ku don të dalë lideri i ri i Serbisë. Tek një rrugë e gjatë në të cilën ai don t'i prijë popullit dhe qytetarëve të vendit të tij drejt integrimit në Bashkimin Europian!

Nëse këtë e bën për shkaqe nacionaliste? Jo. Them që Vuçiqi ka zbuluar diçka që nuk po guxojmë apo s'po dëshirojmë ta pranojmë. Ndoshta jo edhe aq atë moton e eseistit gjerman Enzensberger sa vet modelin gjerman: serbët si humbë të luftërave ballkanike duan të kthehen po në Ballkan: si fitimtarë në ekonomi e zhvillim! Kjo është e vërteta- na pëlqeu ajo apo jo!  

Marrë nga gazeta Blic

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Mbasi mbrenda gjinit te popullit europian shqiptar po na dalin ne kohet e fundit xhihadista qe bajne dhe nxisin lufte fetare, atehere edhe Daqiçat duhen.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.