Vjelja e pemës ekonomike nga buxheti i shtetit ndër vite
Sa herë kanë paraqitur projekt-buxhetin e shtetit, qeveritë shqiptare janë mburrur se të ardhurat buxhetore të parashikuara shënojnë një rekord historik ne vlere nominale. Përjashtim nga kjo mburrje nuk bën as qeveria aktuale, e cila ka parashikuar në projekt-buxhetin e 2015-ës të ardhura buxhetore rreth 4.1 miliard dollarë – rreth 450 milion dollarë më shumë se sivjet ose rreth 870 milion dollarë më shumë se vjet.
Por krahasimet nga viti në vit, në botën demokratike, nuk bëhen në vlerë nominale të të ardhurave buxhetore, sepse në këtë vlerë ndikojnë edhe rritja ekonomike dhe inflacioni. Për të bërë krahasime kohore të të ardhurave buxhetore, bota demokratike përdor treguesin e përqindjes së të ardhurave buxhetore ndaj Produktit të Brendshëm Bruto. Thënë ndryshe, treguesin e përqindjes së vjeljes së pemës ekonomike nga buxheti i shtetit (nga një pemë mund të vilen nga viti ne vit më shumë kile fruta, thjesht sepse pema rritet dhe/ose ngaqë kokrrat e saj bëhën më të mëdha nga viti në vit).
Duke përdorur treguesin e përqindjes së të ardhurave buxhetore ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, në grafikun e bashkëngjitur, është bërë krahasimi kohor qysh nga viti 2000 deri në vitin 2015. Ky krahasim tregon se në vitet 2000-05, të ardhurat buxhetore kanë qenë në nivelin 24%-25% të Produktit të Brendshëm Bruto. Me rrotacionin e pushtetit, të ardhurat buxhetore u ngjitën në nivelin 26% në vitet 2006-07, pavarsisht se regjimi i taksimit nuk ndryshoi. Një rritje të ndjeshme ato patën në vitin 2008 (arriten në 26.9% të Produktit të Brendshëm Bruto), pas hyrjes në fuqi të paketës fiskale që futi taksën e sheshtë dhe uli taksat e sigurimeve shoqërore e shëndetsore. Por, edhe pse paketa fiskale mbeti e njëjtë, të ardhurat buxhetore patën një rënie graduale, deri sa zbritën në vitin 2013 deri në 24% të Produktit të Brendshëm Bruto. Me pak fjalë, përqindja e vjeljes së pemës ekonomike u rikthye 10 vjet prapa, në nivelin e vitit 2003.
Duke gjykuar nga ecuria e të ardhurave buxhetore të 10 muajve të parë të 2014-ës (rreth 340 milionë dollarë më shumë se një vit më parë), mund të konkludohet se në fund të vitit, ato do të arrijnë në nivelin 26% të Produktit të Brendshëm Bruto (sa ç’ishte në vitin 2006, pas rrotacionit të atëhershëm të pushtetit). Rritja nga 24% (në 2013-ën) në 26% (në 2014-ën), sipas FMN-së, shpiegohet pjesërisht (1/3) me ndryshimin e regjimit të taksimit në fillim të vitit.
Në vitin 2015, sipas relacionit të Ministrisë së Financave që shoqëron projekt-buxhetin, të ardhurat buxhetore do të arrijnë nje nivel rekord relativ -- 27.8% e Produktit të Brendshëm Bruto (pothuaj 1 pikë më lart se rekordi i mëparshëm, ai i vitit 2008). Sipas këtij relacioni, 2/3 e rritjes nga 26% në 27.8% do të vijë nga ndryshimi i ri i regjimit të taksimit që po bën kjo qeveri.
Duke përmbledhur, mund të thuhet se gjysma e rritjes së parashikuar të të ardhurave buxhetore nën qeverisjen aktuale -- nga 24% e Produktit të Brendshëm Bruto (në 2013-ën) në 27.8% (në 2015-ën) -- mund të shpiegohet me ndryshimet e regjimit të taksimit. Gjysma tjetër mund të shpiegohet me vjeljen me efektive të të ardhurave (efektet e rritjes ekonomike dhe të inflacionit janë zhveshur në momentin që krahasimi nga viti në vit bëhet me treguesin e përqindjes ndaj PBB-së dhe jo në vlerë nominale).
Krahasim rajonal: Ne vitin 2013, te ardhurat buxhetore te Serbise ishin sa 40% e PBB-se; te Malit te Zi ishin 37.2%; te Maqedonise ishin 28.4%; te Shqiperise ishin 24%.
Comments
Pyetje ... Ju lutem a mund te
<p>Pyetje ...</p><p>Ju lutem a mund te na thoni se sa eshte kjo perqindje ne Rajon? </p>
Ne vitin 2013, te ardhurat
Ne vitin 2013, te ardhurat buxhetore te Serbise ishin sa 40% e PBB-se; te Malit te Zi ishin 37.2%; te Maqedonise ishin 28.4%; te Shqiperise ishin 24%.
E.Zaloshnja
Add new comment