Vizita e Papës si katarsis shpirtëror dhe i qytetit

Postuar në 22 Shtator, 2014 05:40
Alfred Lela

Historia i ka kapur në banalitet administratorët shqiptarë. U desh ardhja në Shqipëri e një pape që një nga sheshet kryesore të Tiranës të çlirohej, të meremetohej, të pastrohej e të kthehej në normalitet. Ironia e historisë është se ka qenë projekti i një italiani, arkitektit Armando Brasini, që u sendërtua në atë bulevard dhe shesh të çliruar dje më 21 shtator me rastin e meshës së shenjtë të mikut të rëndësishëm nga Vatikani.

Përndryshe vizita e Papa Françeskut ka qenë shkëlqimtare. Qyteti i kredhur në hirin e një thuajse  pagëzimi kolektiv po i zbulonte banorëve të vet një anë dhe pamje që ata as që besonin se e kish përnën shtresat e disa regjimeve dhe njëqind shkujdesjeve etike dhe estetike. Festa pat filluar që mbrëmjen e së shtunës me rikthimin e ‘xhiros së madhe’ të Tiranës, sikur qyteti nxitohej ta kapte veten në një orë të lumtur: pa makina, pa pluhur dhe pa zhurmë. Bulevardi i madh shtrihej nën një qiell muzeor: portretet e mëdha të 40 klerikëve të martirizuar nga komunizmi. Poshtë portreteve, si dicitura të fotove dhe të fateve, shkruheshin fjalët e fundit të tyre.

E diela e gjeti Tiranën si një qytet që nuk e ka zët, madje i shkon e krishtera, edhe pse simbol i qytetit është minareja e një xhamie, e cila tregon edhe origjinën e një fshati otoman të Shqipërisë së mesme që më vonë u bë qyteti i të gjithëve. Pritja prej tri orësh për ardhjen e papës dhe orën e meshës dëshmonte dëshirën për një takim jashtë radhe dhe të munguar me të shenjtën. Të cilin papa e dha ndër të tjera edhe duke thënë se duhej hequr dorë nga idhujtaria e parasë dhe pushtetit. Përforcuar nga imzot Rrok Mirdita, i cili theksoi në takimin e mbajtur në katedralen e “Shën Palit” se materializmi ideologjik i komunizmit është zëvendësuar nga materializmi konsumerist i tranzicionit.

Vizita e papës është sigurisht brenda shpirtërores, por edhe më shumë se kaq. Zgjedhja e Tiranës si i pari destinacion europian për t’u vizituar i mëshon së pari pikërisht asaj se Shqipëria është një vend europian. Vlerat e saj janë të tilla dhe harmonia fetare i rri në krye këtij vlerësimi. Papa erdhi edhe për grigjën e vet: katolikët shqiptarë. Një popullsi që u bë minorancë dhe u përball dy herë me historinë në orët më të zeza të saj. Në fillim u shty thellë në male për të ruajtur besimin e vet përballë otomanes dhe 500 vjet pas kësaj u ndesh me një dogmë tjetër sërish e importuar por e interpretuar me zjarr e hekur, jo nga të huajt por nga shqiptarët. E gjunjëzuar, por e pashfarosur doli edhe nga kjo ndeshje sërish e pabarabartë me komunizmin.

Portretet e atyre klerikëve katolikë të vrarë nga komunistët nën të cilët kaloi edhe papa Françesku janë megjithatë në një garë, në dukje demokratike, me të tjera portrete. Urrejtja e këtyre pankartave rrjedh nëndheshëm si një Had hakmarrës. E djeshmja me të djeshmen; xhelati me viktimën; vrasësi me martirët; Enver Hoxha me Vincens Prendushin, Lazër Shantojën, Bernardin Palajn, e sa shumë të tjerë.

A ka ndodhur pra pajtimi? Nëse ka ndodhur mes dogmave fetare, pse jo mes ideologjive? Papa nuk mund ta zgjidhë këtë, por prania e tij e ndritshme e thekson terrin e nostalgjikëve të Enver Hoxhës.

Ata kanë ngritur krye dhe kanë shfaqur inspirim me ardhjen në pushtet të së majtës. Një kryeministër si Edi Rama që pati guximin intelektual dhe politik të radhitet me ‘pakicën’ duke u shpallur si katolik, dhe duke kumtuar se Shqipëria nuk është vend mysliman, por europian; a do të lejojë që të fitojë terren një pakicë e cila, dikur ishte shumicë, i shtypte të tjerat? Pra fantazma fyese e enverizmit. Sigurisht, jo duke u dërguar policinë nëpër ëndrra.

 

mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.