Ukraina, Ballkani dhe integrimi në BE

Postuar në 06 Mars, 2014 17:20
Eduard Zaloshnja

Nobelisti 91-vjeçar Henri Kisinger dha këto ditë një opinion të tij (në Washington Post) rreth zgjidhjes së krizës së Ukrainës. Në thelbin e opinionit të tij, është bindja se, pavarsisht nga ndryshimet e dekadave të fundit në idelogjinë strumbullare të Rusisë, Ukraina mbetet një zone e interesit të veçantë të kësaj perandorie të vjetër. Bash për këtë ai shprehet kundër aderimit të saj eventual në NATO. Ai thjesht e sheh Ukrainën si një urë mes Perëndimit dhe Rusisë.

Ky opinion i Kisingerit të kujton një memorandum të klasifikuar të tij të vitit 1969, kur ishte Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Nikson, në të cilin theksonte se Rusia dhe Kina duhen trajtuar si perandori të vjetra dhe jo thjesht si shtete të reja komuniste. (Ky memorandum u deklasifikua pas 25 vjetësh). Sipas Kisingerit, tërheqja e SHBA-së nga Vietnami atëherë nuk do të sillte ekspansion të komunizmit (siç kishin frikë shumë), por thjesht do të sillte një konflikt mes Kinës (perandori e vjetër) me fqinjin e vogël armik shekullor (Kina dhe Vietnami e filluan luftën me njëri-tjetrin vetëm 4 vjet pas largimit të trupave amerikane). Gjithashtu, sipas tij, mes popujve “komunistë” polakë, çekë, e hungarezë, nga njëra anë, dhe atij rus, nga ana tjetër, një ditë do të kishte ndarje, sepse për qindra vjet kishin qenë në luftë me njëri-tjetrin.

Në lidhje me Ballkanin, Kisingeri parashihte atëherë që, në një të ardhme jo të largët, do të kthehej në një shesh konkurence mes Rusisë dhe fuqive perëndimore, siç ka qenë për qindra vjet. Dhe, duke iu referuar eksperiencës gjermano-austro-hungareze, ai shihte rumunët, grekët, kroatët, boshnjakët e shqiptarët si popuj që duheshin inkurajuar për afrim me perëndimin, si kundërpeshë e influencës ruse në Ballkan.

Aktualisht, Greqia, Rumania dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s dhe BE-së, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe pranë kandidaturës për në BE, ndërsa Bosnja multietnike po përpëlitet në rrugën drejt antarësimit në të dyja. Përtej parashikimit të Kisingerit, Bullgaria është sot anëtare e NATO-s dhe BE-së, ndërsa Sërbia dhe Mali i Zi kanë filluar negociatat për antarësimin në BE.

Por pavarsisht nga ky avancim strategjik i Perëndimit në Ballkan, projekti i integrimit euro-atlantik të Ballkanit është ende larg përmbylljes. Për këtë janë më se të ndërgjegjshëm vendimarrësit kryesorë perëndimorë, aq më tepër pas kambanës aktuale të alarmit në Ukrainë. Dhe kjo është një gjë që duhet ta mbajnë mirë parasysh politikanët tanë, tani që na ndajnë vetëm pak muaj nga vendimi për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nga BE-ja.

Fletë-rrufetë në FaceBook kundër komisionerit Fyle apo sjellja arrogante ndaj opozitës nuk i ndihmojnë vendimmarrësit europianë që të na japin statusin e vendit kandidat për në BE. Llogaritë e vogla parokiale politike duhet t’ia lenë vendin punës së përbashkët për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor!

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.