Travaje Gjinore midis Biologjisë dhe Kondicionimit Social - Pjesa II

Postuar në 20 Qershor, 2015 11:10
Atena Bishka

Klara Wieck Schumann, Gruaja në Karrierë e Shekullit të 19-të

"Të jesh grua është tmerrësisht punë e zorshme, meqë kjo kryesisht do të thotë të merresh me burra". Joseph Conrad

Duke dashur të rikthehem pak më vonë te përsiatjet e nyjëtuara prej lartësisë së shekullit të 21-të, dua tani të zbres dy shekuj më poshtë për të sjellë në vemendje rastin e një gruaje me karrierë të spikatur artistike. E kam fjalën për Klara Wieck Schumann. Kjo pianiste e shquar e erës romantike të shekullit të 19-të, aftësitë interpretuese të së cilës Europa e muzikës elitare i çmoi qëkur ajo nisi karrierën koncertale në moshën 11 vjeç, ashtu si dikur vogëlushi Mozart në shekullin e 18-të, ishte epiqendra e vemendjes, përkushtimit dhe synimeve për lavdi e kamje e të jatit, pedantit Friedrich Wieck. Edhepse ky, sikurse Leopold Mozart dikur, u soll si diktator me të bijën dhe talentin e saj, personaliteti i Klarës së bukur dyzyar mes modestisë, bindjes ndaj autoritetit, detyrimit dhe nderimit për të jatin nga njera anë dhe shtysës që e grishte drejt lirisë personale dhe dëshirave të zemrës nga ana tjetër, nuk u shndërrua megjithatë në kanarinë në kafaz të pronarit. Klara Wieck është përshkruar nga bashkëkohës e historianë si grua e vetëdijshme për talentin muzikor, famën, vlerën dhe bukurinë e vet, me vetë-besim të spikatur dhe sjellje të shpenguar në shoqëri, e cila në rastin e saj duhet kuptuar si shoqëri burrash – prej moshës së njomë kur i jati e hoqi nga shkolla për ta formuar intelektualisht me anë të tutorëve privatë e deri kur emri i saj u shndërrua në wunderkind, celebrity brand e socialite në sallat e koncerteve e mbrëmjet muzikore në hollet e shoqërisë së lartë europiane.

Kur Klara 21 vjeçare, kundër dëshirës dhe urdhrave të së jatit, e kulmoi në lidhje martesore njohjen dhe historinë e gjatë të dashurisë me Robert Schumann-in 30 vjeçar, ishte koha kur publiku si yll të muzikës çmonte Virtuozen e Hijshme Klara Wieck, jo Schumann-in. Në qarqet muzikore të kohës, ku suksesi ishte kryekëput provincë mashkullore, emri Schumann ende nuk shenjonte më shumë sesa thjesht Burri i Klara Wieck, një farë gazetari, redaktori a kritiku letrar i muzikës, paçka se atëbotë ky ish rrugës duke e ndërtuar vetëtimthi (me produktivitetin kreativ galopant prej maniaku depresiv) karrierën si kompozitor kalibri duke i hapur kështu vetes vend nderi në të njejtin panteon ku dje, sot, e përgjithmonë rrinë emra mjeshtrash lavdiplotë sikurse Liszt, Chopin, Wagner, Mendelssohn, Berlioz e Brahms, pa të cilët muzika klasike Europiane nuk mund të perceptohet siç e njohim sot, pra si korpus i çmuar që vijon të përcaktojë standarde të pavjetërsueshme krijimtarie, duke ofruar modele të asaj muzike që përpara se të jetë akt kënaqësi-sjellës, emocion-ndjellës, dekorues e dëfryes është dorësëpari akt spiritual që fton mendjen të ri-përmasohet intelektualisht, edukon ndjesitë të shtyhen ndër kufij të epërm estetikë dhe i thërret transhendentalisht kapacitetit shpirtëror për t’u transformuar përmes bukurisë tingullore. Mirëpo asgjë nga këto s’do të ish e mundur pa Muzikën e Shkruar që këta kompozitorë të shquar për fat të mirë ia kanë përcjellë brezave. Përkundrazi, për fat të keq Klara Shcumann-i (me përjashtim të një grushti kompozimesh) pak muzikë të shkruar ka lënë pas. Në fakt sot atë e njohim jo si kompozitore, por si instrumentiste e kalibrit të lartë, vetëm duke i besuar rrëfimeve dhe duke marrë të mirëqenë dokumentacionin historik. Përndryshe, vetëm me mend mund ta marrim bukurinë e tingullit që me siguri do të kenë sendërtuar gishtat e saj mbi tastierë, ngase për fat të keq regjistrimi i zërit ishte ende projekt teknologjik i së ardhmes në kohën kur Klara qe gjallë.

Po t’i përmbahemi asaj perspektive socio-ideologjike, e marinuar sidomos në post-srukturalizmin e mesit të shekullit të 20-të, sipas së cilës njeriu lind tabula rasa ose si kovë bosh në pritje për t’u mbushur më lëng social, dhe identiteti, përfshirë edhe ai gjinor, janë produkte të kondicionimit social, siç e ilustron edhe një shprehje en vogue “një grua bëhet, nuk lind”, atëhere ngrihet vetiu pyetja:  Përse një muzikante kalibri si Klara Schumann nuk u angazhua në kompozim, duke qenë se si profesioniste por edhe si karakter e personalitet u mëkua në humus tejet kreativ brenda një mjedisi stimulues mes kompozitorëve e instrumentistëve më të mirë të shekullit të 19-të, me shumë prej të cilëve ajo edhe i shoqi kishin miqësi personale? Përse, kur fundja edhe nga pikëpamja e trajnimit muzikor si Klara ashtu edhe i shoqi e njëkohësisht kolegu, Roberti, ishin në masë të konsiderueshme produkte të farkëtuara në të njejtën punishte muzikore e prej së njejtës tutele të rreptë stërvitore të ish-teologut shndërruar në mësues muzike, Friedrich Wieck? Përse, kur nuk i munguan shtysat që ia orientonin ambicien për nga krijimtaria si prej të jatit, ashtu edhe e sidomos prej të shoqit? Përse nuk iu përkushtua kompozimit, duke qenë se si artiste e rafinuar nuk ish se nuk e pati përjetuar, madje sidomos lakmuar, kënaqësinë e ngjitjes në shpat të mundimit e durimit pa të cilën zor të vlojë motivimi a të gjallojë shpirti i krijimtarisë brenda cilitdo që dergjet kokëngultazi e pa kushte mbi shkronja e fjalë, ngjyra e penele, nota e tinguj, imazhe e ide. Një shënim në ditarin e saj në vitin 1853 thotë: "S’ka asgjë që të tejkalojë gëzimin e krijimit, qoftë edhe vetëm sepse nëpërmjet tij fiton orë të tëra vetë-harrimi duke jetuar në botën e tingullit.”

Përpara se t’i qasem pyetjeve të tilla, e kryesëpari duke pranuar se synimi im përsillet te nyjëtimi i diskutimit e jo doemos te rrekjet për të gozhduar përgjigje që mund t’i tejkalojnë kufijtë e këtij shkrimi, shumëkush mund të ma presë fjalën krejt me të drejtë e të më kujtojë me çudi: Të ishe në shekullin e 19-të pianiste me karrierë të ndërtuar përmes kalendarësh të ngjeshur turesh koncertale, e mirëpritur dhe duartrokitur në skenë si rock star-ët e sotëm, a nuk ishte kjo arritje sa e mjaftueshme aq edhe e admirueshme, ashtu sikurse është përnjimend mbresëlënëse edhe sot për një grua (a për një burrë)?  Natyrisht që, PO! Aq më tepër duhet thënë PO, po të mbash parasysh se epoka historike kur Klara Wieck konkurronte me burrat si grua në karrierë, ishte gati 200 vite larg prej kohës kur, bie fjala, një tjetër grua në karrierë si p.sh., ish-Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, edhepse nga një vend i vogël si Shqipëria ku misogjenët nuk mungojnë, u shqua për profesionalizëm që përballë maçizmit vulgar e sabotues shqiptar ndriti edhe më fort nëpërmes personalitetit të saj të rezervuar prej manjole të çeliktë; siç ishte po aq larg prej kohës kur një tjetër grua në karrierë me personalitet hiper asertiv e jo-apologjetik sikurse ish-shefja e doganave, Elisa Spiropali, e cila duket se e ka pranimin a nisjen e një posti në rang të lartë kombëtar po aq të kollajtë sa ka edhe ndërprerjen e beftë (për të mos thënë misterioze mes një kaosi informimi sa i takon mbarë(keq)vajtjes së doganave), ashtu si duket ta ketë po aq të lehtë kujdesin me “kohë + të plotë” për foshnjen e porsalindur, sa edhe kthimin “nalt-e-posht” në arenën e fushatave politike dhe mediatike.

Në kontrast me shembujt e mësipërm e mundësitë që ofron për gratë shekulli i 21-të, madje edhe në vende si Shqipëria, dihet se në shekullin e 19-të kur karriera e gruas përsillej në një qerthull ku s’kish vend për veprimtari të tjera përtej kënaqjes së burrit, lindjes së fëmijëve, mirëmbajtjes së familjes dhe në përgjithësi mirë-administrimit të mjedisit shtëpiak dhe marrëdhënieve familjare, pak shembuj modelesh femërore mund të numërohen në shteg të suksesit në art a në shkencë. Klara Wieck e shekullit të 19-të ishte kështu jo vetëm e krejtësisht e ndryshme prej një gruaje çfarëdo të asaj kohe, por ndoshta edhe prej grave me mundësi e kushte më të favorshme për pavarësi e emancipim. Nga ana tjetër ka rëndësi të vihet në dukje se në jetën e Klara Wieck mungonin modelet dhe prania femërore. Lindja e fëmijëve e gjeti të pamësuar. S’e kish idenë e ushqyerjes me gji, as predispozicionin. (Një muaj pas lindjes së parë, Klara shkruan në ditarin e saj: “Është koha të marr një mëndeshë tjetër, përndryshe kjo – duke iu referuar së voglës - ka për të vdekur urie.”) Identitetin si muzikante e kishte më të fortë se identitetin pre nëne. Duke ri-nisur turet koncertale kur fëmija i parë s’ish as 3 muaj, e pati të vështirë – njësoj si një nënë moderne sot – të baraz-peshonte jetën profesionale me atë personale. Ndryshe nga bashkëkohëset e saj, ajo nuk qe e mirë-përgatitur për përgjegjësi shtëpiake, sepse nuk vinte nga një mjedis familjar orientues për rolin kokulur e shërbim-dhënës të bashkëshortes, nënës dhe amvisës. E rritur pa praninë e s’ëmës, e nisi regjimin e rreptë të edukimit muzikor qëkur ish 5 vjeç (madje dokumentet tregojnë se fatin si muzikante i jati ia pat përcaktuar qysh para se të lindte). Muzika ishte ajri. Letërsia e poezia ishin peizazhi. Detyra dhe fantazia: t’i ngjitej majës së suksesit si muzikante. U mësua qysh fëmijë të interpretonte, të mbante vemendje e vështrime mashkullore mbërthyer pas vetes dhe artit të saj, të hynte shpengueshëm në biseda e të komunikonte në sallone ku tymosej puro, edhe ku duke ia admiruar hijeshinë, virtytësinë dhe virtuozitetin, i vinin rrotull burra hijerëndë me mjekër e mustaqe, prej të cilëve pasi u martua kish syresh që duke vështruar nga i shoqi e pyesnin, “Po ai tipi aty me kokën mënjanë, vallë cili të jetë…? Ah, qenke e martuar!? Si ta quajnë burrin?”

Si grua, Klara Wieck, ishte kështu përjashtim jo vetëm nga mënyra sesi ish rritur por edhe sidomos sa i takon shkallës së suksesit në profesion. Si pianiste që duartrokitej në mbarë Europën, si të ishte bie fjala virtuozi Glenn Gould në shekullin e 20-të ose ndoshta një Grigory Sokolov sot, Klara e shekullit të 19-të jo vetëm që kish kapërcyer rolin ose pozitën e gruas bashkëkohëse, por ishte thuajse e pakonkurrueshme edhe midis talenteve mashkullorë. Megjithatë, kompozimi qe gjithaq ndjellës për instrumentisten virtuoze, që shkruante në vitin 1846: “S’ka gëzim më të madh sesa kur kompozon dicka dhe pastaj e dëgjon.” E çmonte krijimtarinë dhe dukej se nuk i mungonte as zotësia, as intuita dhe as tharmi për ta ushtruar. Mirëpo nuk e sfidoi veten intelektualisht e s’iu qas kompozimit po me atë ngulmim e përkushtim si kolegët e saj burra. Përse? Ndoshta Camille Paglia do të përgjigjej: “S’kishte Mozart femër, për të njejtën arsye që Jack Gjakatari s’ishte femër.”

Qoftë ditarët e rregullt personalë të Klarës dhe Robertit, qoftë ditari i përbashkët bashkëshortor (ku shtjellonin për njeri-tjetrin ato mendime, përsiatje e pyetje të cilat s’i rroknin dot me bashkëbisedim a nyjëtim gojor) , tregojnë se së paku gjatë viteve martesore përpara vdekjes së trishtuar të Schumann-it 46 vjeçar, dhe atëhere kur peripecitë, sëmundjet mendore, tragjeditë dhe vdekjet ende s’kishin vërshuar në jetën e saj, Klara jo vetëm kishte dëshmuar talent në kompozim por, çka është e rëndësishme në këtë parashtresë, kishte edhe mbështetjen dhe inkurajimin e të shoqit. Për shembull, në 1840-n, pak muaj para se të martoheshin, ky i shkruan Klarës, të cilën e adhuronte jo vetëm si grua por e çmonte edhe si kolege: “Klarë e dashur, a nuk do të më japësh ca kompozime për revistën (është fjala për revistën Die Neue Zeitschrift für MusikRevista e Re për Muzikën, që drejtonte Schumann-i)?  Përse dembelosesh e nuk provon të kompozosh? Ke për të parë se po ia hyre punës, s’ke për t’iu ndarë!“  Por, Klara, në kulm të famës dhe energjive artistike edhe ende pa fëmijë, e me kohë të lirë nëpër duar, siç nuk do ta kishte më kurrë, i përgjigjet duke u ankuar: “Oh, nuk mundem. S’është se jam përtace… Nuk kam talent. Kompozimi është punë serioze... Të kompozosh këngë? Mbi një tekst të tërë? Oh, po, kjo kërkon zotësi dhe intelekt të lartë!” A mos kemi të bëjmë me sjellje prej të llastuare? Ishte po kjo Klarë, muzë e Shcumann-it, ajo që e nxiste të shoqin, ashtu si vetëm gratë dinë të mbjellin e ushqejnë farën e ambicies për arritje te partnerët, të hiqte dorë nga kompozimi i lieders (këngë të ndërtuara mbi poezi romantike të shoqëruara me piano) e t’i kushtohej krijmtarisë së epërme për orkestër e simfoni, duke i shkruar kështu në ditarin e përbashkët: “Mos ma merr për ters, por mua më ka kapluar dëshira për të të inkurajuar që të shkruash për orkestër. Imagjinata dhe frymëzimi yt janë tëpër të mëdha për të ngecur te pianoja modeste!“

Do ndalur pak te përgjigjja “nuk mundem… nuk kam talent…” e Klarës ndaj ftesës së të shoqit për kompozim – përgjigje sa e vjetër aq edhe e re.  Tingëllon sikur fare mirë mund të kishte dalë prej gojës së një gruaje të shekullit të 21-të, kur këtë e nxisin t’i hyjë rrugës për t’u përgatitur si neurokirurge, specialiste në fizikë teorike a matematikë të lartë, inxhiniere në gjuhë programesh informatike, apo konduktore orkestrash simfonike, ose qoftë si drejtoreshë nacionale e administrimit të taksave, apo kryetare bashkie, sa për të marrë ca shembuj. Natyrisht, gra që i lakmojnë, kërkojnë ose i pranojnë role të tilla e që mund t’i bëjnë edhe më mirë se burrat sigurisht që ka, por këtu pyetja e pa-anashkalueshme është: përse janë (kaq) pak?  A mos përgjigjja e Klarës do parë në funksion të kontekstit social- historik dhe të barrierava kulturore? Në vitin 2015 shumëkush do të arsyetonte: përgjigje të tilla janë pasoja të pabarazisë gjinore, kjo barrierë që pengon gruan, gjysmën e popullsisë, edhe sot e kësaj dite të arrijë lirisht majat e profesionit dhe pushtetit, ashtu dhe aq sa i takon, pra jo më pak se burrat! A mos vallë është tutje përballë sfidës intelektuale? Apo mungesë motivimi dhe interesi? Duket se në nivel të përgjithshëm kemi të bëjmë me pak nga të gjitha. Por, mendoj se në rastin konkret të Klara Wieck Schumann, sa i vjetër aq edhe i ri, kemi të bëjmë veçanërisht me dy pyetjet e fundit.

Disa muaj pas sugjerimit lutës së të shoqit, Klara duke punuar fshehurazi e befason Robertin me disa kompozime të cilat ai i çmoi përnjimend, duke shkruar në ditarin e përbashkët martesor: "Janë të mbushura plot me zjarrin e saj të kahershëm rinor, e në të njejtën kohë tregojnë se është bërë më e pjekur si muzikante.”  Do thënë se edhe pse në ditarin e saj Klara dëshmon pasiguri dhe inferioritet duke shkruar, “Sapo Roberti dilte nga shtëpia unë e kaloja kohën duke u rrekur të kompozoja. Më në fund ia dola të përfundoja tri këngë, qe dua t’ia dhuroj për Krishtlindje. Mbase s’kanë grimë vlere, e mbase s’janë veç përpjekje të dobëta, por unë mbaj shpresë tek zemërgjerësia e Robertit. Ki mëshirë, i dashuri im, edhe këqyri me dashamirësi këto dhurata modeste që unë t’i fal me dashuri!” kompozimet e saj, edhepse sporadike, sipas vlerësimeve të bashkëkohësve, historianëve dhe kritikëve të muzikës, nuk konsiderohen të jenë inferiore. Përkundrazi, ato dëshmonin se Klara e kishte kapacitetin dhe talentin për të kompozuar, ndoshta jo më pak se i shoqi.  Për shembull, në një nga projektet e para të përbashkëta me të shoqin, në bocetat ku s’dihet për ç’arsye nuk figuronin emrat e tyre si autorë – për kënaqësinë dhe zbavitjen e bashkëshortëve – redaktorë e kritikë s’kishin mundur të shquanin për nga cilësia e niveli artistik se cilat kompozime ishin të Klarës e cilat të Robertit.  Ndërsa, kritiku britanik i muzikës, J. A. Fuller Maitland pati shkruar para një shekulli për Klarën: “Lista e vogël e kompozimeve të saj përmban gjëra me ndjenjë aq të thellë, fuqi aq reale dhe cilësi aq të lartë, saqë për t’i rënë krejt drejt: asnjë dokumentim i muzikës gjermane… s’do të ishte i plotë pa i përmendur ato.”

Pra, sërish, përse Klara nuk iu dedikua më shumë kompozimit sa kohë që aftësia s’i mungonte, aq më tepër kur i shoqi shumë më mendjehapur dhe pa komplekse sesa bashkëshorti tipik jo vetëm i së djeshmes por edhe i së sotmes (si p.sh. Gustav Mahler-i që në fillim të shekullit të 20-të ia mbyti sakaq së fejuarës, Alma Schindler, dëshirën e vullnetin për të kultivuar talentin muzikor qysh në fillim të lidhjes) e nxiste përnjimend Klarën të zhvillonte aftësitë krijuese edhe të mbrothësohej profesionalisht?

Arsyeja se përse Klara Schumann, tashmë me pjekuri në profesion, edhpse jo më shumë se 21-22 vjeç, nuk iu dedikua kompozimit nuk mund të shpjegohet plotësisht duke ngritur kartën e kontekstit social historik i cili e pengonte gruan, posaçërisht gruan e martuar, të dilte përtej kornizave të rolit të nënës e mirëmbajtëses së familjes dhe bashkëshortit. Ky argument pa dyshim ka peshë edhe qëndron, ashtu siç nuk mund të lihet jashtë diskutimit edhe fakti se gjendja financiare e familjes varej kryesisht nga të ardhurat prej debutimeve artistike të Klarës, jo prej shkrimeve e kompozimeve të Robertit, të cilat shpërbleheshin pak. Me kalimin e viteve, për Klarën me shumë fëmijë (tetë fëmijë prej të cilëve katër vdiqën përpara saj) e të mbytyr në halle, kompozimi afërmendsh që do të bëhej gjithnjë e më fort aspiratë e pa-arritshme. Por ky arsyetim mbetet gjithësesi i pamjaftueshëm për pjesën e parë të jetës kur dielli i gëzimit, energjisë dhe shpresës ende shndrinte. Shënimet e Klarës dëftojnë se ajo s’kish besim të plotë te intelekti dhe zotësia vetiake edhe i mungonte interesi ose motivimi i mjaftueshëm për t’iu qasur sfidës së kompozimit si veprimtari me vend qendror në karrierën e saj.

Referenca:

·         Blerina Goce, Elisa Spiropali në Pritje të Një Vajze, 29 dhejtor 2014, Gazeta Panorama
Elisa Spiropali Jep Dorëheqjen Nga Doganat, 7 mars 2015, Gazeta Panorama
Glenn Gould, J. S. Bach Variaciones Goldberg (BWV 988) Glenn Gould (1981)
Grigory Sokolov plays Prokofiev piano sonata No. 7
Horwitz, Joe - Presenting Mahler’s Marriage, ArtsJournalBlogs, Nov. 28, 2011
Maitland, F, J. A. - Masters of German Music (London: Osgood, McIlvaine & Co., 1894)
Reich, N. B. - Clara Schumann: The Artist and Woman (Ithaca and London: Cornell University Press, 1985)
Vijon nesër...

Comments

Submitted by Natyrshem, buku... (not verified) on

Ishte kenaqesi, Atena...
Sa shume mire do ju bente kolegeve, kudo ku inspirohen, dhe jo me pak admiruesve dhe dashuroreve te tyre...
Do behemi me shume te vertete, si njerez...
urime,
ef em music

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.