Traktati i Elizesë dhe projekti europian
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/7391_traktati-i-elizese.jpg?itok=78PufdKi)
22 janari shënon përvjetorin e Traktatit të Elizesë, i cili përbën themelin e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve tona dhe simbolizon transformimin e një marrëdhënieje të gjatë urrejtjeje që bëri të shpërthejnë konflikte të përgjakshme në një periudhë kohore prej 80 vitesh, në një miqësi shumë të frytshme në të mirë jo vetëm të dy vendeve tona, por të të gjithë kontinentit Evropian. Në vitin 2013, me rastin e 50-vjetorit të Traktatit, u organizuan aktivitete të shumta dypalëshe, nga të cilat një vizitë shtetërore në Francë e Presidentit të Republikës Federale gjermane, z. Joachim Gauck, gjatë së cilës ai vizitoi fshatin martir të Oradour-sur-Glane, vizitë kjo shumë prekëse dhe emocionuese. Shumë aktivitete u organizuan për festimin e këtij përvjetori nga shoqëritë civile të dy vendeve tona. Fakti që marrëdhënia jonë e ngushtë dhe miqësore shkon përtej dy qeverive tona duke përfshirë qytetarët, autoritetet lokale dhe të rinjtë, është një gjë shumë e rëndësishme. Nëse kemi parasysh peshën e rëndë të së shkuarës, nuk do të kishte qenë e mundur që dy vendet dhe dy popujt tanë të pajtoheshin pa mbështetjen aktive dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Aktualisht, kjo marrëdhënie e rrënjosur thellë është një forcë e madhe dhe një garanci për të ardhmen. Që prej fillimit të marrëdhënies sonë të re në vitet ’50 dhe ’60, vështrimi drejt së ardhmes ishte njëkohësisht pjesë e procesit të pajtimit dhe një sfidë nxitëse. Franca dhe Gjermania kanë hedhur – së bashku me katër vende partnere fqinje – themelet e atij që më vonë do të bëhej Bashkimi Europian. Ato kanë menduar gjithmonë se kishin një përgjegjësi të veçantë në vazhdimin e ndërtimit të Europës. Pavarësisht situatave dhe pikëpamjeve të ndryshme, dy vendet tona kanë vazhduar ta ushtrojnë këtë përgjegjësi edhe gjatë krizës financiare dhe ekonomike që prej vitit 2008: pas viteve të para, gjatë së cilave solidariteti evropian me shtetet anëtare më të prekura nga kriza u realizua nëpërmjet një ndihme pragmatike urgjente, 2013-a ishte viti i vënies në lëvizje të mjeteve që realizonin njëkohësisht solidaritetin dhe aftësitë e përhershme të zonës euro për t’u bërë ballë krizave të ardhshme. Siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, edhe këtë herë u vërtetua se konvergjenca e dy vendeve tona vazhdon të mbetet një faktor vendimtar për funksionimin e Europës. 2014-a do të jetë një vit i rëndësishëm për Europën, për arsye të zgjedhjeve për Parlamentin Europian dhe rinovimin e Komisionit dhe të Presidentit të Këshillit. Por akoma më e rëndësishme është të vazhdojmë të angazhohemi me imagjinatë në përpjekjen për rimëkëmbjen e ekonomisë, punësimit dhe konkurrueshmërisë. Pjesa më e keqe e krizës është lënë pas dhe shenja rimëkëmbjeje ekonomike dallohen qartë në horizont, por gjëja më e rëndësishme në këtë moment është të vazhdojmë reformat e nevojshme me qëllim krijimin e një baze të zhvillimit të qëndrueshëm. Ne duhet që jo vetëm të përfundojmë krijimin e mekanizmave të rinj, siç është Unioni Bankar, duhet që qeveritë jo vetëm të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të kontrolluar borxhin publik dhe deficitin buxhetor, por vendet europiane duhet gjithashtu të përshtaten me realitetet e reja që janë shfaqur në botën që na rrethon. Në rendin e ditës ne kemi konsolidimin e zonës euro, si dhe projekte që do t’i japin një shtytje të re ekonomisë. Mesazhi ynë themelor për partnerët tanë më të prekur nga kriza është si më poshtë: ne vlerësojmë shumë përpjekjet e mëdha, të dhimbshme dhe të guximshme që juve u është dashur të bëni, ne do të vazhdojmë të jemi përkrah jush, në solidaritet të plotë në këtë ndërmarrje, ne besojmë në suksesin tuaj, i cili do të jetë suksesi i të gjithëve ne! Por ne kemi përballë dhe një sfidë tjetër, që i përket më shumë fushës së psikologjisë. Kriza ka bërë të shpërthejë një valë e re “europiano-pesimiste” në gjirin e opinionit publik të shumë shteteve anëtare. Bashkimi Europian ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë gjatë ekzistencës së tij 60-vjeçare, si për nga përmasat ashtu dhe nga përbërja, organizimi apo mjetet me të cilat ushtron solidaritetin e tij – bota rreth tij gjithashtu ka ndryshuar rrënjësisht. Për shkak të problemeve aktuale, të shumtë janë ata që harrojnë se BE-ja është në të vërtetë një “success-story”: ajo ka realizuar atë që shumë breza kanë ëndërruar, do të thotë një hapësirë paqeje, sigurie, të fqinjësisë së mirë, të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të prosperitetit ekonomik, të drejtësisë sociale, të kulturës, inovacionit dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, një forcë e së mirës në botë. Ne nuk mund të lejojmë – dhe nuk do ta lejojmë – që qytetarët europianë të humbin besimin në projektin europian! Europa është më shumë se një treg i përbashkët dhe se një monedhë e përbashkët – Europa është shpresë për një të ardhme të përbashkët dhe kjo është shumë e rëndësishme edhe për vende të cilat, si dhe Shqipëria, kanë hyrë në rrugën e integrimit të Bashkimit Europian. Dy vendet tona, ashtu siç kanë vepruar gjithmonë, do të bashkojnë forcat së bashku me të gjithë partnerët e tyre, për të fituar gjatë 2014-ës betejën e “euro-optimizmit”.
*Shkrim i përbashkët i Ambasadorëve të Francës, Christine Moro, dhe të Gjermanisë, Hellmut Hoffmann
Nga Gazeta "Mapo"
Add new comment