Tani, si tutje?

Postuar në 06 Nëntor, 2011 11:10
Agron Bajrami

Gati të gjitha që kanë ndodhur viteve të fundit në Kosovë, por edhe në rajon, edhe të mirat, edhe të këqijat, edhe sukseset, edhe dështimet, janë vepër – të them ashtu – të një ndërmarrjeje të përbashkët të sundimtarëve lokalë dhe mentorëve ndërkombëtarë.

- Politika kosovare është e papërgjegjshme!
- Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në Kosovë!
- Të huajt në momente janë sjellë ndaj kosovarëve gati sikur Slobodan Milosheviqi!
- Ajo bashkësi ndërkombëtare edhe e ka bërë politikën kosovare të papërgjegjshme!
- EULEX-i është buzë dështimit!
- Kosova historikisht kalon nga një krizë në tjetrën!
- Zëvendësimi i krizës me krizë është bërë mënyrë e qeverisjes!
- Sundimi pa përgjegjësi e ka zhvilluar një klasë politike që nuk është në gjendje të marrë vendime!
- Autoritetet kosovare nuk mund të vendosin nëse dikush nuk i shtyn ta bëjnë këtë!
- Kosova është shndërruar në një protektorat modern!
* * *
Jo, jo! Nuk janë këto parulla të zjarrta të shqiptarëve radikalë apo të opozitës nga Kosova prej ndonjë tubimi protestues në Kosovë. As nuk janë pjesë e mijëra raporteve konfidenciale e sekrete për situatën në Kosovë, që mbase presin që “Wikileaks” t’i nxjerrë nga sirtarët e shërbimeve sekrete amerikane, gjermane, franceze, britanike, ruse apo kineze.
Këto janë fjalët e ambasadorit amerikan në Prishtinë të thëna publikisht, në konferencën ndërkombëtare “Kosova talks EU”, të organizuar para ca ditësh në Prishtinë, qëllimi i së cilës ishte të shihej se çka mund të bëhet që Kosova të fitojë njohje të reja të pavarësisë nga disa prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Edhe pse dikush mund t’ia zërë për të madhe ambasadorit në fjalë, Christopher Dell, që tani lexon leksione, marrë parasysh rolin e tij kurrë të sqaruar deri në fund në zgjedhjen skandaloze të presidentit të Kosovës, shkurtin e kaluar, kur me dhunë u votua – e më pas me Kushtetuese u rrëzua – Behgjet Pacolli kontrovers, diplomati amerikan, megjithatë në fjalimin e tij e ka prekur esencën e problemit, për të cilin pothuajse të gjithë nga radhët e pushtetit dhe të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë kanë hezituar të flasin, duke mohuar publikisht se ekziston fare problemi, ndërsa duke e pranuar privatisht se ka një problem, por se nuk ekziston vullneti për ta zgjidhur atë. Ndërsa esenca është fakti i pashmangshëm se Kosova nuk është shtet tërësisht funksional, ndërsa elita udhëheqëse politike nuk ka dije, vullnet e as predispozita për ta zgjidhur atë problem i cili nuk është vetëm politik (me Serbinë) dhe i sigurisë (në veri), por edhe ekonomik dhe shoqëror.
Zor është të interpretohet se çka ka dashur krejt të thoshte Dell! Nëse ka dashur të thoshte se për të gjitha problemet në Kosovë, sikur që është tani ky me veriun, përgjegjës janë edhe pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që kanë sunduar këtu, prej Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s e deri te Bashkimi Evropian? Apo ka dashur të theksonte rëndësinë e rezultatit: se politikanët kosovarë janë të papërgjegjshëm, duke dhënë implikimin e qartë se rreth kësaj çështjeje duhet ndërmarrë diçka radikale?
Por, çka ka dashur të thoshte Dell, dhe nëse ajo që e ka thënë nënkupton edhe ndryshim të lehtë të politikës amerikane ndaj mënyrës së qeverisjes në Kosovë, apo është vetëm një rrëshqitje e vockël e gjuhës në momentin kur mbase ka menduar se në mesin e të pranishmëve nuk ka gazetarë e kamera –është më pak e rëndësishme! Vërtet e rëndësishme është që tani të gjithë të shikohemi në pasqyrë – edhe ne, edhe të huajt – dhe ta shtrojmë pyetjen: tani, si tutje?
Sepse, gati të gjitha që kanë ndodhur viteve të fundit në Kosovë, por edhe në rajon, edhe të mirat, edhe të këqijat, edhe sukseset, edhe dështimet, janë vepër – të them ashtu – të një ndërmarrjeje të përbashkët të sundimtarëve lokalë dhe mentorëve ndërkombëtarë. Kurdo që pushteti “i zgjedhur demokratik” është sjellë në mënyrë skajshmërisht jodemokratike, e ka pasur “pajtimin e heshtur” të shumicës së demokratëve perëndimorë në misionet lokale. Sa herë që mediat ishin në presionin e pushtetit, nuk ka pasur reagime të zëshme diplomatike.
Me rëndësi ishin tenderët dhe jo ekonomia, me rëndësi ishte stabiliteti fiktiv dhe jo zgjidhja e problemit, me rëndësi ishin marrëdhëniet artificiale ndëretnike dhe jo pajtimi i vërtetë! Më të rëndësishëm ishin xhipat e zinj të blinduar sesa kualiteti i shërbimeve publike! Më me rëndësi ishin fotografitë formale të takimeve të pushtetit sesa pamjet nga jeta e rëndomtë!
Më të rëndësishëm ishin pushtetarët – vendorë e ndërkombëtarë – sesa vetë populli!
* * *
Dhe, tani? Si tutje?
Nëse e kam kuptuar mirë, gjithçka varet prej  nesh, sepse këto që do të na i thotë një ambasador – sado të vërteta të jenë – nuk do të ndikojnë që e tërë bashkësia ndërkombëtare të ndryshojë!
Andaj, nëse nuk duam të vazhdojmë kështu tutje, duhet së pari ta ndryshojmë veten, e më pas do të ndryshojë edhe e tërë bota, dhe atë jo vetëm në fjalime!

Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.