Siguria Kombëtare, një ligj që Presidenti duhet ta kthejë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/9323_0_32.jpg?itok=7AVzRkll)
Presidenti Nishani ftoi në Presidencë një grup njerëzish të shoqërisë civile për të diskutuar me ta ligjin e Sigurisë Kombëtare, të përgatitur nga qeveria dhe të kaluar tashmë nga Kuvendi. Në një të enjte ku limontia e fundit të verës dhe vapa që ende nuk është thyer, përplasen kokë më kokë, ai takim dukej si paradhoma e përplasjes së re Presidencë-Qeveri. Në një stil që tashmë është kthyer në ritual, qeveria e majtë mbështetur nga një supermazhorancë e kahut të vet në parlament, hartojnë ligje e bien dakord mbi to duke ia përcjellë më pas sipas një procesioni të ngulitur demokratik Presidentit të Republikës.
Kreu i shtetit i ka kthyer një pjesë syresh për mangësi të argumentuara dhe ndonjë e ka shtyrë teposhtë në heshtje. Duke e dhënë disaprovimin e tij me një prej formave që i lejon ligji. Nëse ligji i reformës territoriale, ai për policinë e disa të tjerë, e patën kaluar rrebeshin e përplasjeve mazhorancë-opozitë, një kalimtar i heshtur është futur e ka dalë në ingranazhet e makinerisë qeveritare e legjislative pa zhurmë, drojë, as frikë. Sikur të mos kish qenë nuk është debatuar për të. Strategjia e Sigurisë Kombëtare.
Se pse një dokument i tillë, i cili të paktën në emër të intrigon e ‘rrënqeth’ me termat Siguri dhe Kombëtare, ka kaluar pa zë si të ish procesioni i varrimit të një njeriu-pa-njeri që e varros Bashkia, nuk është shqetësimi i këtij shkrimi. Po të mos ish tryeza këshillimore e Presidentit, i cili zgjedh të ushtrojë institucionin e konsultës së hapur, edhe ky ‘i kaluar’ nga mazhoranca do ish skeduar në tabelën e ngërçit Presidencë-Qeveri. Presidenti ka bërë mirë që e ka hapur lojën duke informuar mbi tekstin e këtij dokumenti të rëndësishëm një palë të tretë, një grup interesi, atij publik, në këtë rast përfaqësues të shoqërisë civile. Të cilët në takimin me Presidentin nuk kanë mënuar ‘të padisin’ hartuesit e kësaj Strategjie me një numër shkeljesh. Autori i këtyre radhëve, i pranishëm në këtë takim, në dy pika e konsideron ligjin e kaluar në Kuvend si të një naiviteti traumatik.
Të dyja foshnjëritë e këtij teksti i gjeni te kategorizimi i risqeve që me gjasë i kërcënohen Shqipërisë dhe renditja e tyre sipas emergjencës. Te risqet e kategorisë së parë listohet një sulm i mundshëm kibernetik ndaj vendit tonë, ndërkohë që si risk i një niveli më të ulët, të dytë, shpaloset rreziku i fondamentalizmit fetar (islamik). Kush e di kontekstin teknologjik, gjeografik, historik dhe religjioz të Shqipërisë, e kupton se këtu ka ose një lajthitje në konceptimin strategjik të risqeve, ose një përshpejtim e shkujdesje gjithsesi të pafalshme. Të flasësh për rrezik kibernetik ndaj Shqipërisë duhet së pari të kesh një stok teknologjik, teknik, militar, inteligjence të tillë që e bën të lakmueshëm këtë arsenal ose e dëmton kapacitetin e strukturave shtetërore dhe kombëtare. Të gjithë e dimë, Shqipëria nuk futet tek ato vende me kapacitete apo rezerva të tilla. Në fakt, vjedhja e ndodhur në Bankën e Shqipërisë dëshmon se te ne, ende dëmet e mëdha mund të bëhen me mjete e mënyra artizanale dhe kibernetika është e një të ardhmeje.
Një rrezik më serioz paraqet pikërisht fondamentalizmi, atë që ekspertët hartues të Strategjisë e zhvendosin në rend të dytë. Kjo edhe për atë se terrorizmi ka si thelb të operacionalitetit të vet pikërisht mjetin artizanal, mendësinë guerrilase, jokonvencialitetin. Fondamentalizmi i shfaqur në formën e tij më të egër, terrorizmin, është një nyjë strategjike që shqetëson sot të gjitha vendet e botës: e ka merituar tashmë fatkeqësisht gradën e riskut të parë. Ne nuk e kemi luksin ta këmbejmë me kibernetikën. Spam-i apo viruset në kompjuterin e ‘gjenive’ që kanë hartuar Strategjinë nuk përbën rrezik kombëtar.
Edhe më naiv dhe i sipërfaqshëm është rreziku i hamendësuar i emigracionit. Po, po, i përmbytjes së Shqipërisë nga emigrantët e huaj. Ka shumë mundësi që edhe kibernetika, edhe emigracioni si kërcënim të jenë marrë copy/paste nga ndonjë strategji amerikane. Ka mjaftuar vetëm përkthimi dhe, lumi e marrtë kontekstin e përveçëm. Për të mos harruar se kërcënimin e emigracionit e kanë vetëm vendet e lakmuara. Kur kjo tokë të jetë e synuar nga të huajt do të mund të themi se Shqipëria, më në fund, u bë. Askush nuk don të emigrojë në Kubë, Pakistan apo Kore të Veriut. Në Amerikë, Angli e Gjermani, po.
Presidenti ka në dorë një ligj që mund ta kthejë lirisht. Mazhorancës i nevojitet një lexim përtej optikës partiake dhe një rishikim i ligjit duke imituar Presidentin me konsulta të hapura dhe përfshirje. Ose të zgjedhë shtegun e rezistencës më të vogël: ta akuzojë Presidentin si të PD dhe të mbajë një ligj të PS. Strategji Kombëtare dhe as e sigurt, ama kjo nuk ngjan.
nga Mapo
Comments
Mos ki merak Alfred se dhe pa
Mos ki merak Alfred se dhe pa ja kerkuar ti do e krheje. Se mos ka kaluar ndonje
Cfare shoqeri civile ishte
Cfare shoqeri civile ishte tek presidenti, ishin ca funderina me pagese te pd-se.
Add new comment