Shënime të përsëritura rreth "privatizimit total"
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6496_who-benefits-from-privatization.jpg?itok=x70h9Ojy)
Në programin ekonomik për periudhën 2014-2016, së bashku me një panoramë të politikave ekonomike dhe prioriteteve afatmesme për zhvillimin e vendit, qeveria ka parashikuar edhe privatizimin e aseteve dhe të aksioneve të mbetura në duart e shtetit, në sektorët strategjikë dhe ato jostrategjikë. Sipas të njëjtit program, gjatë këtij procesi, pritet që në buxhet të arkëtohen rreth 172 milionë euro. Ndër pjesët e mbetura në pronësi të shtetit mund të përmendim: Albtelekom sh.a., ARMO sh.a., OSSH sh.a., si dhe një kompani ende 100% publike (Albpetrol sh.a.), pa folur për asetet e sektorëve jostrategjikë të ekonomisë sonë kombëtare. Nisur nga programi elektoral dhe qeverisës i mazhorancës së sotme, por edhe nga përvoja e akumuluar në vendin tonë përgjatë afro çerekshekulli në tranzicionin e zgjatur drejt një ekonomie të tregut të lirë, në vijim po rendis disa komente, që mendoj se vlejnë në dobi të vendimmarrjeve të ardhshme të qeverisë në këtë fushë.
Qysh në fillim, dua të vë në dukje se, personalisht preferoj të qëndroj jashtë debatit shterpë puro ideologjik apo “pronësisë” së një politike të tillë privatizimesh, jo sepse ka qenë shpallur me të madhe edhe nga qeveria paraardhëse, as se ajo nuk tingëllon aq shumë si politika qeverisëse “majtiste” apo “socialdemokrate”. Në këtë rast, interesi madhor duket se edhe në qeverinë aktuale, njëlloj si në të mëparshmet, mbetet sigurimi i sa më shumë mjeteve financiare në buxhetin e shtetit, me qëllim përmbushjen e programit të vet politiko-qeverisës. Nisur nga një optikë e tillë, dëshiroj të sqaroj disa implikime të mundshme të kësaj politike privatizimesh të shpallur më lart.
***
Nëse dominimi i sektorit privat në ekonominë tonë kombëtare është padiskutim arritja më e madhe e gjithë procesit transformues, sfida më e madhe mbetet krijimi i një mjedisi biznesi që krijon, nxit dhe mbështet konkurrencën. Dobësitë në politikat rregullatore dhe dominimi i tyre nga karakteri represiv i administrimit fiskal, në kushtet e një sipërmarrjeje “pa rregulla të qarta loje”, si dhe problematika serioze në funksionimin e enteve rregullatore, nuk i kanë dhënë hapësirën e nevojshme konkurrencës. Një shembull: privatizimi total në sektorin bankar, duke përfshirë edhe bankën më të madhe në vend që administronte kursime monetare të qytetarëve dhe bizneseve, mund të konsiderohet ndër shkaqet kryesore të mungesës së konkurrencës ndërmjet bankave tregtare, si dhe për normën e lartë në vite të interesit (yield-it) të bonove të thesarit. Madje, për një periudhë kohe, kjo normë ka qenë edhe më e lartë se norma bazë e interesit bankar dhe se ka pasur edhe dyshime e janë kryer hetime për mundësinë e një situate oligopolitistike në këtë treg. Nisur nga ky rast, me të drejtë shumëkush mund të thotë se diversiteti i formave të pronësisë (lënia e njëkohshme e disa formave të pronës, duke përfshirë edhe atë publike), krijon një mjedis konkurrues. Ndërsa privatizimi total (i atyre pjesëve të aseteve dhe aksioneve në të cilat shteti është aktualisht bashkëpronar), nuk mendoj se garanton këtë mjedis. Madje prania e një operatori publik jep mundësinë e ndërhyrjeve në tregje (siç ndodhi javën e shkuar me tregun e sigurimeve, kur “shkëputja” e INSIG-ut nga një praktikë antikonkurruese, ndikoi në “shkrirjen” e oligopolit të përkohshëm të dyshuar ndërmjet operatorëve përkatës, ndonëse ende nuk ka ndonjë raport zyrtar se cilat ishin shkaqet e vërteta, gjithsesi joekonomike, që çuan në rritjen me 45% dhe vetëm për një apo dy ditë të çmimit të TPL-ve në tregun shqiptar).
***
Siç dihet, pritshmëritë kryesore nga privatizimet e kryera deri më sot, lidhen me sigurimin e njëkohshëm të injektimit të kapitalit të freskët në buxhet, përmirësimin teknologjik dhe menaxhimin sa më bashkëkohor të shoqërive strategjike dhe jostrategjike mbas privatizimit të tyre. Ajo që mund të thuhet me siguri, është se ndër këto tri synime kryesore, synimi i parë ka qenë dhe mbetet determinant, të paktën në këndvështrimin e qeverisë e pse jo edhe të “këshilltarëve institucionalë” të kontraktuar të saj si FMN-ja, Banka Botërore etj. Por, ndër problemet kryesore të privatizimeve të kryera deri më sot nga shteti shqiptar, sipas mendimit tim, mbeten dobësitë e institucioneve mbikëqyrëse e rregullatore, hartimi i kontratave të pabalancuara, shumë herë në disfavor të interesave të palës shqiptare (qeverisë dhe punëtorëve të punësuar në shoqëritë publike), madje edhe në dëm të eficiensës së përdorimit të aseteve të rëndësishme publike (si p.sh. në sektorin minerar, në naftë etj.), që çdo vend me qeveri të përgjegjshme do t’i mbronte ato ligjërisht dhe institucionalisht.
Ndërkaq, mendoj se kryesisht nga synimi i sigurimit të të ardhurave suplementare e të menjëhershme në buxhetin e shtetit është motivuar dukshëm edhe politika e privatizimeve e shpallur së fundmi në programin ekonomik të qeverisë për periudhën 2014-2016. Edhe duke e marrë të mirëqenë këtë proces, përsëri lind një problem, ndoshta tipik “shqiptar”, që lidhet me kontrollin fiskal mbi operatorët ekonomikë që kanë fituar pjesërisht e që pritet të fitojnë plotësisht pronësinë mbi shoqëritë publike strategjike dhe jostrategjike. Sipas mendimit tim, pjesëmarrja e shtetit, qoftë edhe me një pjesë të vogël aksionesh, mbetet e rëndësishme për të pasur akses në informacionin financiar të këtyre shoqërive (shumëkush kujton trokitjen në “vesh të shurdhër” të autoriteteve shtetërore te CEZ-i, për sigurimin e bilanceve dhe të informacionit përkatës financiar në momentin e marrjes në administrim nga shteti shqiptar të kësaj kompanie, një problem që nuk besoj të jetë zgjidhur edhe sot e kësaj dite). Kështu që privatizimi total, sipas mendimit tim, e zvogëlon mundësinë e aksesit në informacionin financiar të shoqërive strategjike dhe rrit hermetizmin e tyre, që në një gjuhë më të thjeshtë përkthehet në më shumë evazion fiskal të supozuar/pritshëm prej tyre. Sepse, për të gjithë duhet të jetë e qartë se aktualisht kanë ndryshuar shumë edhe shtrirja dhe format e evazionit, sidomos atij tatimor, dhe në vlerësimin tim evazioni nuk duhet kërkuar aq në mënyrën “tradicionale” (te shitësit e rrugës, shërbimet e transportit pa licencë etj.), por te kompanitë e mëdha. Këto të fundit, përmes përfshirjes në forma të ndryshme në media, në politikë etj., në nivel kombëtar e më gjerë, pengojnë jo vetëm hetimet e institucioneve ligjzbatuese ndaj tyre, por mbajnë “sekret” ndaj publikut dhe qeverisë edhe veprimtarinë e tyre ekonomiko-financiare (p.sh. ndonjë kompani e nxjerrjes së naftës e atakuar publikisht në Kuvend nga përfaqësues të mazhorancës së sotme), por ndaj tyre ende nuk ka asnjë nismë ligjore për nxjerrjen e shumave kolosale të evazionit të pretenduar të jetë kryer prej tyre…
***
Problemi tjetër me privatizimin total të shpallur nga qeveria, lidhet me specifikat e shoqërive publike, që mendohet të sjellin një kontribut të rëndësishëm në buxhetin e shtetit, gjatë tre viteve të ardhshme.
Duke qenë mbështetës i procesit të privatizimit dhe i bindur në përparësitë e padiskutueshme të sektorit privat ndaj atij publik, nuk mund të mos konstatoj se, me kuadrin ligjor në fuqi për sektorin e kërkimit, nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe të gazit, minierave, prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, etj., në të cilat operojnë disa prej shoqërive që qeveria pretendon të hedhë në treg pjesët e mbetura të aksioneve apo aseteve të saj, suksesi kryesor i pritshëm (sigurimi i të ardhurave suplementare në buxhet) është dukshëm i rrezikuar. Për më tepër, që asete shumë të vlefshme të ekonomisë kombëtare, siç është nxjerrja dhe përpunimi i naftës dhe shpërndarja e energjisë elektrike, ndodhen në statuse pronësie të paqarta. Kështu, ARMO sh.a. në procese gjyqësore kombëtare e ndërkombëtare, nën sekuestron gjyqësore në favor të tatim-taksave apo “e transformuar” “juridikisht a shqiptarisht”? (përndryshe në treg me emër tjetër). Askush nuk mund të japë një përgjigje të qartë… CEZ Shpërndarja është në fundin e periudhës ligjore të “administrimit të përkohshëm” nga autoritetet shqiptare dhe ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar mbi ecurinë e negociatave mbi të ardhmen e kësaj kompanie. Nuk po flas për privatizimin e Albpetrol sh.a., një proces që meriton një vëmendje të posaçme institucionale, por që mendoj se më përpara se të hidhet përsëri në privatizim, ka nevojë të “zbardhet” nga dritëhijet e procesit të dështuar të vitit 2012.
***
Së fundi, një argument tjetër që nuk duhet injoruar: nëse qëllimi legjitim i qeverisë aktuale është të sigurojë gjatë tre viteve të ardhshme, të ardhura suplementare në buxhetin e shtetit për të realizuar në këtë mënyrë programin e vet politiko-qeverisës, kjo nënkupton maksimizimin e vlerës së tregut përmes çmimit më të lartë të mundshëm të aseteve dhe aksioneve strategjike dhe jostrategjike që do të privatizohen. Unë nuk besoj se kjo periudhë është periudha më e favorshme për këtë qëllim. Këtë vit, dhe po kështu edhe gjatë 4-5 viteve të ardhshme, vendi ynë, në rastin më të mirë, do të mund të shënojë atë nivel të rritjes ekonomike të periudhës së para krizës (minimumi 6% rritje vjetore).
Nisur nga ky këndvështrim, ajo që mund t’i rekomandohet qeverisë është, jo thjesht përsëritja e praktikave të nxituara për privatizimet në sektorin publik, por rishikimi, plotësimi dhe përmirësimi i kuadrit rregullator dhe institucional që mundëson një proces privatizimi konkurrues, jokorruptiv e transparent ndaj publikut, si dhe eficent, duke marrë në konsideratë implikimet eventuale në të ardhurat buxhetore dhe evazionin fiskal, si dhe një shqyrtim rast mbas rasti të dobësive të aseteve dhe aksioneve të mbetura nga sektorët publikë. Çfarëdo nxitimi në këtë fushë, nuk bën gjë tjetër veçse ruan situatat monopolistike dhe oligopolistike në sektorët e ndryshëm të ekonomisë, ushqen dhe nxit korrupsionin, deformon më tej funksionimin e tregjeve dhe nuk u jep përgjigje sfidave të mëdha aktuale të ekonomisë sonë kombëtare, që lidhen me perspektivën e shfrytëzimit të pasurive kombëtare; me harmonizimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e punëzënies mbi këtë bazë; me shtimin e prodhimit vendas dhe të eksporteve shqiptare në rajon e më gjerë, duke sjellë në këtë mënyrë rritjen e aftësive konkurruese të kësaj ekonomie, si parakusht për integrimin ekonomikisht të saj në Bashkimin Europian.
Shqip
Add new comment