Raporte elitare vs raporte militante mes shqiptarëve
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4249_4ecdc069-7074-401e-9847-fc5276f6c87d-0-.jpg?itok=rf4r7WN_)
Sa herë afrohen fushatat elektorale apo festat kombëtare thirrjet populiste për “bashkim kombëtar” dhe projekte të shpejta nacionaliste na japin idenë e gabuar se
shoqëritë shqiptare, ajo në Shqipëri dhe në Kosovë, janë të gatshme të marrin përgjegjësitë e një ndryshimi cilësor dhe historik. Nëligjërimin politik thirren në skenë emrat më të njohur të periudhës së Rilindjes Kombëtare apo Periudhës së Pavarësisë dhe kështu, krijohet ideja se elitat gjithnjë e kanë dashur bashkimin, jo si proces mekanik, por si proces mendimi dhe veprimi qytetar dhe evropian.
E njëjta përsëritet edhe në ligjërimin politik të elitave të tranzicionit në dy vendet. Secila flet për shkrirje shpirtërore, secila sugjeron mjetet e ndryshimit dhe ofron këshilla ndaj gabimeve të tjetrit, dhe kështu, krijohet ideja e gabuar e një procesi komplomentar, elitar, institucional dhe konsensual.
Në praktikë bilanci është krejt tjetër. Le të marrim në konsideratënjë aspekt thelbësor: sjelljen mediatike dhe raportin që ajo na krijon me publikun e vendeve tona. Për arsye studimore kam mbajtur shënim të gjithë titujt e mediave të Tiranës lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe anasjelltas, titujt e mediave të Prishtinës ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Përfundimi është shokues: palët operojnë me mjetet e tjetrit, me lajmin e tjetrit pa e verifikuar dhe vlerësuar atë, dhe kështu, gjuha degraduese e debatit ditor përcillet në Prishtinë, dhe anasjelltas. Batutat fyrëse apo akuzat banale midis politikanëve të Tiranës, qofshin ato në replikat parlamentare apo në shënimet në rrjetet sociale zënë vend në të gjitha faqet online të mediave tëKosovës, me të njëjtin titull, me të njëjtën gjuhë, pa redaktim, etikë, verifikim dhe selektim. Rama “tradhtar apo hajdut”, Basha “kryebashkiak koti apo hajdut”, deri edhe Kaci “i zi: apo detajet fyese të dasmës së ministrit i jepen publikut të Kosovës live, si lajm i fundit, si “lajme nga Shqipëria” dhe kështu përmes tyre në Kosovë prezantohet politika, shoqëria dhe shteti i Shqipërisë. E anasjelltë, batutat mes Rramushit e Hashimit, Albinit dhe Isës, replikat e tyre në rrjete sociale apo akuzat e konsumit politik, ofrohen në Tiranë si “lajme nga Kosova”, duke krijuar një imazh të rremë, negativ, dhe denigrues për jetën institucionale, politikën, shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. I njëjti proces shkon edhe më tej, në lajmet rozë mbi veset, tradhtitë, zhveshjen, ndarjet apo skenat që improvizojnë personat publikë, këngëtarë apo sportistë nga dy vendet. Askush në Tiranë nuk është në dijeni p.sh, për programin teatror të Prishtinës dhe anasjelltas, por të gjithë kanë dëgjuar për batutat mes ca vajzave të zhveshura që quhen këngëtare dhe që diskutojnë mbi këmbët e tyre.
Në aspektin teknik raporti midis mediave në Tiranë dhe në Prishtinë i ngjason raportit midis mediave të Tiranës dhe çdo vendi tjetër në botë, dhe anasjelltas. Asnjë gazetë e Tiranës nuk shkon në Prishtinë dhe anasjelltas. Asnjë studio televizive nuk ka zyrë të plotë pune në Prishtinë dhe anasjelltas. Asnjë program mediatik bashkëpunimi nuk është krijuar midis dy kryeqyteteve, asnjë pedagog gazetarie nuk ftohet në Tiranë dhe anasjelltas. Nga Tirana ndodh të ftohen në Prishtinë për të folur mbi politikën komentues që financohen nga një kompani me interesa ekonomike në dy vendet, dhe anasjelltas, secili me skenar të përgatitur më parë dhe në funksion të pushtetarit të radhës. Nuk ndodh që kritika dhe vëzhgimi profesional të arrijë të bëjë dallimin dhe të tejkalojë kufijtë për tu dëgjuar dhe respektuar, të paktën formalisht, siç nuk ndodh që politikanët e Tiranës të kenë autoritet, vullnet apo bindje të ndikojnë me këshilla pozitive tek homologët në Prishtinë dhe anasjellas. Kriza e fundit politike në Kosovë e tregon më së miri këtë. Asnjë nismë nga Tirana, asnjë këshillë, asnjë shqetësim, asnjë lajm as në takimet e shumta midis liderëve tanë. Dhe anasjelltas.
Nëse i besojmë reklamës, sidomos asaj që sjell fitime, gjithnjë gjendet një personazh publik në Tiranë dhe Prishtinë që thotë se produkti i tyre po bën bashkim kombëtar, ngaqë shitet në dy anët e kufirit! Por nëse shohim debatin publik, duke pasur parasysh se problematikat e dy vendeve thuajse janë të njëjta, përveç një replike të nisur elitare dhe për përfunduar me gjuhë populiste midis Kadaresë e Qosjes, nuk ka pasur më asnjëherë përfshirje thelbësore të elitave publike të dy vendeve.
Më shumë se nxitje debati dhe tërheqje opinioni, zërat e Kosovës ftohen në Shqipëri vetëm për të përforcuar opinionin e atyre që i ftojnë, pra për ti dhënë debatit ditor përmbajtjen e një mbështetje “kombëtare”, dhe anasjelltas. Mjafton një detaj: gjuha fyese dhe refuzimi institucional që u përdor midis dy akademive tona të shkencave, të cilat prej kohësh nuk komunikojnë dhe nuk bashkëpunojnë. Natyrisht, për arsye tërësisht jo shkencore, por thellësisht provinciale.
Së fundi, një vlerësim kritik meriton edhe produkti tjetër, ai i librit dhe dijes. Në Tiranë rinia universitare mund të zgjedhë midis 2-3 mijë titujve akademikë, shumica produkte përkthimi, por gjithsesi, tekste të shtypura. Sa prej tyre janë autorë nga Kosova? Sa gishtat e njërës dorë. Në Prishtinë studentët mund të zgjedhin gjithashtu midis mijëra titujsh, edhe aty, shumica produkte përkthimi. Sa autorë janë nga Shqipëri? Sa gishtat e dorës tjetër. Vërtetë ne kemi kaq shumë produkte, kaq shumë autorë, kaq shumë shkencëtar, dhe njëherësh jemi kaq të ndryshëm nëperceptimin e shkencës, sa preferojmë të dublojmë librat, shkencën, përkthimet, pa marrë parasysh koston, dhe dëmit që i shkaktohet sistemit të vlerave, hierarkisë shkencore dhe vetë dijes për brezin e ri? Një student amerikan studion sot çdo libër profesional në qarkullim, pavarësisht nëse është autor gjerman, francez apo britanik. Dhe anasjelltas. Po në botën shqiptare kaq e vështirëështë që minimalisht të lexojmë njeri tjetrin? Sa projekte universitare kemi sot midis dy vendeve? Sa shkëmbime shkencore dhe aplikime për projekte rajonale? Me siguri, më pak sesa gishtat e njërës dorë. Politika lart thotë se gjërat janë në vijë, kur i shikon problemet në rrafshin praktik vija ngjan më shumë si labirint.
Politika në Tiranë ka kohë që flet për Rilindje. Në Kosovë të gjithë e duan Rilindjen, natyrisht atë që njohim të gjithë, të vjetrën, atë që sakrifikoi dhe pati vizionin të krijonte bazën për shtetin, shoqërinë dhe identitetin shqiptar. Jashtë sloganeve dhe premtimeve populiste, a nuk është koha që nga premtimet e mëdha të kalohet tek gjërat e vogla, të përditshme, tek ndryshimet e prekshme, të dukshme dhe më të nevojshme? A nuk mund mundet edhe mediat vetë të heqin dorë nga eksportimi live i të keqes, për t’iu rikthyer misionit informues dhe profesional? A nuk mundemi të pajtojmë akademikët tanë që të takohen e flasin, të bashkëpunojnë dhe të marrin përgjegjësitë e shkencës?
A nuk mund të krijojmë raporte institucionale me vendimmarrjen politike në Kosovë dhe anasjelltas, duke hequr dorë nga praktika klienteliste e shpikjes dhe marrjes në avion apo post të një miku personal nga Prishtina/Tirana në krah si alibi për të thënë se kam Kosovën/Shqipërinë në krah? A nuk mund të mësohemi të respektojmë atë që respekton vetë qytetaria e Tiranës/Prishtinës duke hequr dorë nga mitet dhe dashuritë e përjetshme apriori mbi figura politike, të cilat projektet e mëdha idealiste i përdorën për të vetmin qëllim, forcimin dhe jetëgjatësinë me çdo kusht të pushtetit personal? A nuk duhet të jemi të gjithë më shumë kritik e të vëmendshëm ndaj sistemit të partitokracisë, pashallëqeve partiake, firmave fitimprurëse partiake, që kanë zënë hapësirën, debatin, si dhe kanë kapur shtetin, administratën, sistemin e drejtësisë dhe po krijojnë oligarki të re në Tiranë e Prishtinë?
Në rrethin vicioz ku shoqëritë tona janë futur përmes politikës së keqe, imponimit të oligarkisë, raporteve klienteliste dhe përdorimit të medias si ushqim konflikti, shoqëritë tona po funksionojnë si shoqëri që prodhojnë militantë, jo qytetarë aktivë, të lirë dhe me integritet. Përballë këtij realiteti pyetja dhe sfida themelore mbetet: a nuk kemi nevojë të gjithë të punojmë për një shoqëri më aktive, më të hapur, më komunikuese, më konkurruese, më pak folkloriste, më pak egoiste dhe shumë më tepër qytetare? Diçka që të afron, dhe që të krijon ndjesinë e bashkimit rreth vlerave dhe të mirës.
"Shqiptarja.com"
Add new comment