Që fëmijët tanë, fjalën 'tranzicion' ta gjejnë vetëm në librat e historisë**

Postuar në 25 Prill, 2015 09:35

E kujtoj Tiranën e para 25 viteve, e zhytur e gjitha në atmosferën e heqjes së pistoletave nga brezat e punonjësve të policisë dhe krekosjen e tyre me shkopinjtë e dhunshëm të gomës. Vizita e pritshme e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Shqipëri në mesmajin e viti 1990 duhej shoqëruar me pamje sa më pak represive e totalitare. E për këtë arsye, në fillim të atij maji të largët, u ndryshua legjislacioni penal me heqjen e nenit të tradhëtisë ndaj atdheut.
Por “izaurat”, furgonët famëkeq të policisë, gjithsesi lëviznin kudo nëpër Tiranë për të ndaluar, rrahur e mbajtur nën mbikëqyrje të gjithë të padëshiruarit e regjimit. E duket se fraza e diplomatit peruvian Perez de Kuelar, se “është për t’u vlerësuar evoluimi hap pas hapi i Shqipërisë”, është shndërruar në lajtmotivin e këtyre 25 viteve demokraci e tranzicion për vendin tonë.
Sepse neve na është vlerësuar gjithnjë evoluimi, por rezultatet varet se nga cili kënd i shohim. Kemi bërë shumë e kemi dalë jashtë natyrës sonë për të mirën e shoqërisë dhe vendit? Apo e kemi nisur nga hiçi dhe sado pak të kemi bërë, gjithsesi do të kishte ndryshim? Nuk mendoj se ndonjëri prej nesh këtu hyn në radhët e pesimistëve, por jemi të gjithë të aftë të analizojmë me skepticizmin e nevojshëm atë që është arritur, apo nuk është arritur në këtë çerek shekulli.
Unë jam financiere në profesion dhe nuk marr përsipër për asnjë moment të bëj historianen apo gjykuesen. Ne të shifrave e kemi më racional mendimin, jemi në gjendje të kuptojmë instinktivisht trendet pozitive apo negative të përparimit të një shoqërie.
Megjithëse Shqipëria duhet marrë si një shembull më shumë se pozitiv në rajon, pasi në një panoramë të përgjithshme, vendi ynë ka dalë nga krizat e viteve ’90, me një nivel të rafinuar demokracie, i paprekur nga konfliktet etnike, nacionaliste apo fetare, gjatë tranzicionit të gjatë nëpër të cilin Shqipëria kalon kemi parë që disa sisteme, në vend që të ngriheshin duke funksionuar sipas një modeli perëndimor, ose degraduan rëndë, ose u karaketerizuan nga një kalbëzim sistematik, akoma pa u ndërtuar mirë.
Me sisteme si ai i drejtësisë apo i shtetit të së drejtës, me trashëgiminë kulturore apo pasuritë tona nën e mbi tokë, jo vetem që u abuzua, por kjo u justifikua si një gjë e bërë në emër të tranzicionit, të shkeljes në rrugë të paditur e shpesh herë në emër të disa fjalëve inflacioniste si: demokraci, popull, liri etj.
Çdo njëri prej nesh duhet të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe pjesën e vet të detyrimeve. Të asaj që shkoi dhe të asaj që vjen. Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veç asaj të të bërit shtet, të largimit një orë e më parë nga rruga e gjatë e tranzicionit, për t’u bërë një vend i drejtë, normal, i begatë e i mirëqënë dhe po ashtu i sigurtë.
Në këtë frymë reforma vazhdon të mbetet një fjalë kyçe, pa të cilën nuk do mund të shkojmë shumë larg. Por të mos harrojmë se një reformë e shtyrë në kohë bën më dëm se një reformë e pa nisur. Pasi çdo gjë që i lemë pasardhësit dhe shoqërisë është një akumulim që kërkon kosto gjithmonë e më të larta.
Amullia dhe rrezultatet modeste të reformave në këto vite mendoj se i bënë shqiptarët më shumë të ndërgjegjshëm në kërkesën e tyre për reforma reale, paçka se të dhimshme. Tranzicioni i pa fund, shoqëruar me një lëngatë të gjatë, nuk po zgjidhte dhe nuk do të mund të zgjidhte thuajse asnjë prej problemve tona. Por shoqëria jonë ka ndjeshmërinë dhe zgjuarsinë e mjaftueshme për t’i kuptuar vendimet e drejta.
Theksoj gjithashtu se në gjithë këtë cirk dhe kaos të tranzicionit dhe demokratizimit të Shqipërisë, lidhja shpirtërore me Europën ka qenë absolutisht e pacënuar. Perëndimi është parë si ideal, shembull, model dhe synim. Kuptohet që kaq nuk ka mjaftuar, për sa kohë që ne jemi këtu ku jemi dhe ndoshta, po të kishim bërë zgjedhje më të mira gjatë këtij çerek shekulli, do të ishim më mirë e më të zhvilluar.
Në fakt, shpesh herë pranohet lehtësisht se krizat ekonomike, ideologjike dhe shoqërore, i shtyjnë njerëzit drejt ideologjive apo veprimeve të ekstremit. Por ne shqiptarët, megjithëse eksperimentuam shumë politikisht, asnjëherë nuk u dhamë të drejtë përfaqësimi ekstremeve. Dhe kjo është një vlerë të cilën duhet ta mbajmë fort afër vetes, madje ta ruajmë dhe zhvillojmë.
Do të doja të ndalesha pak edhe në të mirat e të këqijat e lëvizjeve migratore të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, si procese thelbësisht të lira, por për fat të keq të ndikuara nga kushtet e vështira ekonomike të shoqërisë.
Nëse deri para 25 vjetësh, lëvizja brenda vendit ishte e kontrolluar, kurse jashtë ishte e pamundur, në 1991 gjithçka iu la në dorë rrëmujës që akoma na karakterizon. Dhe të gjithë të lëvizurit, ndihmuan ekonomikisht familjet që kishin lënë pas. Nga veriu në jug. Një trend gjithëpërfshirës dhe human deri në detaje.
Sot, ky fenomen po bëhet shqetësues, pasi lëvizja e lirë e njerëzve nuk presupozon qëndrimin me synim jetesën në vendet e Europës perëndimore. Por më lejoni të bëhem pak kontroverse dhe të vë në dukje faktin se drejt cilit rajon synojnë instinktivisht shqiptarët? Shqiptarët që kërkojnë Perëndimin, megjithë shqetësimin e madh që krijojnë, janë një shembull shumë më i mirë se ai grusht njerëzish që shkojnë drejt Lindjes fanatike fundamentaliste.
Unë mendoj se shprehja e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që vlerësonte evoluimin hap pas hapi të Shqipërisë, përveç kujdesit diplomatik të kohës dhe kontekstit të thënë ndaj personave të një prej diktaturave më të egra, nuk mjafton.
Im bir ka lindur, është rritur dhe bërë burrë duke ndjerë, perceptuar e dëgjuar fjalën tranzicion. Detyrimi ynë si pushtetarë sot është të flasim me gjuhën e rezultateve, për ta bërë Shqipërinë një vend të aftë që të shfrytëzojë zotësitë e veta dhe t’i transformojë ato në histori suksesi ekonomik dhe shoqëror, me qëllim që fëmijët e djalit tim fjalën tranzicion ta gjejnë vetëm në librat e historisë.
*Fjala e ministres së Mbrojtjes në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë: “Transformimi i Madh: 25 vjet përvoja shqiptare e tranzicionit dhe demokratizimit”
**Titulli është i redaksisë

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Ky nuk asht TRANZICION, por asht KONTINUITET. E kan ne te gjitha librat femijte tone, ashtu si e kemi pase edhe na dikur, por me emna te tjere dhe me ca maska bashkekohore.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.