Psikologjia e stereotipeve veriorë/jugorë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/7786_download102_0.jpg?itok=lHtfEp4k)
Sa herë shkruhet për veriorët dhe jugorët, për virtytet dhe veset e tyre, ligjërimin publik e përshkon një tallaz që përcjell nervozizëm dhe agresivitet. Shqetësimi shfaqet më dukshëm në shënimet që bëjnë lexuesit anonimë përfund shkrimeve online, por nuk mungon edhe në reagime “emergjente” emrash të njohur.
Ky trazim, para se të artikulohet në ligjërimin publik dhe të synojë ndikim e pushtet, ngjizet mbi një proces psikologjik individual. Pasoja e parë e këtij procesi është zbehja e vlerave njohëse të emërtimeve verior/jugor dhe aktivizimi i tyre në funksione stereotipesh.
Në kuptimin e parë këta emra përdoren për të treguar diçka që ekziston në veri apo në jug, ose që vjen prej andej. Në kontekstin që po diskutojmë shenjojnë banorë që jetojnë në zonat mbi/nën Shkumbin ose që e kanë origjinën prej andej. Por kur këta dy emra përdoren jo për të emruar por për të stereotipizuar përftojnë kuptime të dyta, shenjojnë edhe mjaft tipare të tjera të këtyre grupeve, tipare që edhe kur nisen nga ndonjë zanafillë objektive e ekzagjerojnë deri në shpërfytyrim.
Fjala vjen, je larg të vërtetës kur i percepton veriorët si të mbyllur e jugorët si të hapur dhe mbi këtë përgjithësim, të ngrirë në kohëra dhe tejet të ekzagjeruar, gjeneron tipare të tjera stereotipizuese si:veriorët primitivë kurse jugorët modernë, të parët të sinqertë kurse të dytët dinakë, këta të besës kurse ata të dredhisë, të pushkës vs të penës, të zakonit vs të ligjit etj. etj. Dhuna ndaj së vërtetës merr trajta edhe më të thekshme kur cilësi të tilla u atribuohen individëve të veçantë, pavarësisht se kush janë e çfarë bëjnë, por vetëm e vetëm pse janë nga Veriu apo nga Jugu.
Kur stereotipizojmë nuk nisemi aq nga realiteti i gjërave, nuk jemi aq të preokupuar për të thënë me çdo kusht të vërtetën, përkundrazi e lëmë disi mënjanë dhe shpesh e zbehim deri në zhbërje. Stereotipizimi më shumë se sa funksione njohëse kënaq nevoja psikologjike që lidhen me marrëdhënie ndërpersonale, më shumë se në rrafsh konjitiv funksionon në rrafsh motivor.
Për ta perceptuar këtë ndihmon teoria e identitetit social përpunuar nga Henri Tajfel në vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Sipas kësaj teorie, njeriut jo rrallë i duhet të përballet me pyetjen kush jam, përgjigja e së cilës natyrshëm e shpie tek grupet shoqërore ku ai bën pjesë. Prej natyre njeriu është programuar t’i atribuojë vetes cilësi pozitive, ndaj është i prirur të identifikohet me grupe që mund t’ia ushqejnë këtë nevojë. Kur është fjala për grupe të qëndrueshme, grupe që si rregull nuk zgjidhen por trashëgohen si familja, gjinia, mosha, etnia etj, njeriu është i prirur të shohë me përparësi vetëm anët pozitive të tyre, t’i zmadhojë ato, madje edhe t’i trillojë.
Jo vetëm kaq, procesi i identifikimit me grupin realizohet më lehtë nëpërmjet diferencimit nga grupe të tjera, nëpërmjet aktivizimit të tjetrit. Edhe këtu njeriu ndjek të njëjtin proces por me kahje të kundërt, dmth është i prirur të fokusohet tek cilësitë negative të grupeve të tjera. Për hir të kontrastit ndodh jo rrallë që këto negativitete i ekzagjeron, madje në kushte të caktuara edhe i trillon nga hiçi. Kjo është e vërtetë sidomos për grupet etnike nga që, në këtë rrafsh, tjetri është përfytyruar tradicionalisht jo thjesht si i ndryshëm, por si kundërshtar, madje si armik.
Stereotipet veriorë dhe jugorë janë të rrafshit regjional, dmth shumë të afërt me stereotipet etnikë. Si të tillë përdoren më shumë për të kënaqur nevoja identitare se sa për të shenjuar me saktësi këto grupe dhe cilësitë e tyre.
2.
Tipar tjetër që karakterizon procesin e stereotipizimit është prirja për të favorizuar qëndrime rixhide e prapavajtëse. Vetë fjala stereo në origjinë shenjon diçka solide dhe të qëndrueshme me fleksibilitet zero. Në kuptimin e parë fjala stereotip përdorej për bocat e shtypshkrimit klasik duke vënë në fokus natyrën e tyre të fiksuar dhe të pandryshueshme. Karakteri solid e prapavajtës shpjegon pjesërisht një nga pyetjet që lind kur flet për stereotipet veriorë dhe jugorë: pse janë kaq të qëndrueshëm në një kohë që nuk përfaqësojnë bashkësi social-ekonomike? Në kushtet e decentralizimit sadokudo funksional që po aplikohet ndër ne, pjesëtarët e së njëjtës ndarjeje administrative kanë interesa të përbashkëta ekonomike e sociale, ndaj grupohen në bashkësi që me kalimin e kohës bëhen dhe do të bëhen më solide e më funksionale. Por ndarja territoriale-administrative që është përdorur gjatë historisë së shtetit shqiptar nuk është mbështetur ndonjëherë në kufirin që shënon Shkumbini, ndaj bashkësitë veriorë dhe jugorë nuk ngrihen aq mbi interesa social-ekonomikë, por kanë mbetur kryesisht në rrafsh etnografik e dialektor. Logjika e zhvillimeve moderne sugjeron që ndarjet etnografike e dialektore të vijnë duke u zbehur nën veprimin e një vargu faktorësh si integrimet e brendshme, zhvillimet globale në sferën e komunikimit etj. Të gjithë këta faktorë janë realë dhe po veprojnë fuqishëm, megjithatë ndarja veriorë/jugorë nuk po zbehet, përkundrazi vazhdon të shfaqet me nervozizëm dhe agresivitet në ligjërimin publik. Natyrisht, një nga shkaqet e kësaj inercie është klima e favorshme që krijon karakteri rixhid e prapavajtës i stereotipizimit. Por sado vepruese që të jetë, kjo klimë mbetet një arsye dytësore, ato që përcaktojnë janë një varg faktorësh kontekstualë si lëvizjet demografike, ndërsimi nga politika, inercia e traditës historike etj. Po t’i shohësh në terma afatgjatë lëvizjet demografike, bashkëjetesa në metropole e popullsive ardhur nga krahina të ndryshme sjell dobësimin e elementit etnografik e dialektor dhe krijimin në rrugë organike të idiomave të përbashkëta kombëtare. E kundërta ndodh në terma afatshkurtër. Përzierjet e popullsive që realizohen nëpërmjet ardhjesh masive dhe përgjithësisht të parregulluara me ligj sjellin jo vetëm kontrastim kulture, edukate, higjiene, rregulli komunitar por edhe ndeshje të thekshme interesash që mund t’i bënim mullar rreth sintagmë stokë e xanun. Thuajse gjithë emërtimet që përdoren në shqipe për ata që vijnë në një qendër banimi priren të konotohen negativisht. Nga denotacioni i ardhur kalohet në konotacione të larmishme por gjithnjë përkeqësuese si: ardhacak, shkulak, jabanxhi e deri tek çeçen. Në fakt gjithë këto konotacione kanë qenë përdorur në shqipe edhe para tranzicionit postkomunist, përjashtim bën fjalaçeçen që konoton më fuqishëm jo vetëm pse është më e re, por edhe pse aktivizohet totalisht duke përfshirë edhe tingëllimin. Tek emërtimi çeçen mishërohet edhe një tipar tjetër i stereotipeve, prirja që pjesëtarët e grupit rival t’i homogjenizosh. Kur stereotipizon përdor dy optika të ndryshme: në grupin tënd sheh individë e individualitete, kurse në grupin rival sheh vetëm qenie të thjeshtëzuara e njëtrajtëshe si të ishin parafabrikate. Kaq e fuqishme është prirja për homogjenizim në këtë rast sa që me fjalën çeçen shenjohen pothuajse vetëm veriorët paçka se të ardhurit në Tiranë, Durrës etj. janë si nga veriu ashtu edhe nga jugu.
Mbijetesa e stereotipizimeve në aksin veriorë/jugorë është nxitur dhe nxitet edhe nga politika. Për arsye të njohura krahët politikë ndër ne vuajnë mungesë legjitimiteti dhe programesh që të jenë mirëfilli të majta apo të djathta. Për të superuar këtë mungesë thelbësore thërrasin në ndihmë stereotipe të vjetra, mes tyre edhe këto që lidhen me ndarjen krahinore veri-jug. Kjo prirje e politikës për krijimin e bastioneve të ngurta, jo aq mbi identitete social-ekonomike, por mbi histori, etnografi e folklor ushqehet edhe nga tradita. Shteti shqiptar, që në nisje e deri në bitisje, dmth që nga fillimet e deri në ditët tona është dalluar për institucione të dobëta dhe meritokraci të nëpërkëmbur. Në këto rrethana përzgjedhja dhe promovimi i individëve bëhet jo mbi meritën, por mbi mendësi klanore e krahinore. Zhvillimi i mekët dhe varfëria masive kanë bërë e bëjnë që të mbizotërojë kultura e përjashtimit dhe jo ajo e gjithëpërfshirjes. Tradita ka ndikuar edhe në një rrafsh tjetër, më të perceptueshëm. Një tufë rastësish historike kanë bërë që pushtet në Shqipëri të alternojnë njeri-tjetrin mbështetur mbi ndarjen veri-jug. Periudha e monarkisë konsiderohet si dominim i veriorëve kurse ajo e diktaturës i jugorëve. Ky alternim nuk ka reshtur as në tranzicionin postkomunist, qeverisjet e PS-së shihen si dominim i jugorëve, kurse ato e PD-së i veriorëve. Në këtë rrafsh duket sikur nuk ka ndryshuar gjë, madje puna ka ardhur duke u përkeqësuar për faktin se monarkia dhe diktatura alternuan njëra-tjetrën për periudha të gjata, me dekada, kurse demokratët dhe socialistët – në çdo shtatë-tetë vjet. Siç shihet stereotipizimet në akset veriorë/jugorë ushqehen nga një varg faktorësh, që nisin me impulse psikologjike individuale dhe përfundojnë me dukuri të ndërlikuara shoqërore e historike. Gjithsesi në të gjitha rastet nuk bëhen në emër të zhvillimit perspektiv, por kanë ndikim të thellë prapavajtës, sjellin veç regres.
Stereotipet fqinjërojnë me paragjykimet, jo vetëm me përmbajtjen negative dhe stigmatizuese. Në fakt ka edhe stereotipe pozitive e vlerësuese që nuk nxisin kurrfarë paragjykimi, por në të gjitha rastet mes tyre ekziston një lidhje gjenerike: si stereotipet edhe paragjykimet kanë natyrë automatike, aktivizohen shpejt e pa sforco, shpesh i shpëtojnë arsyetimit madje veprojnë në rrugë të pavetëdijshme. Është kryesisht për këtë arsye që stereotipizimet jo rrallë japin e marrin me paragjykimet duke u bërë të dëmshme dhe jo rrallë edhe tinëzare e të rrezikshme. Edhe stereotipet veriorë/jugorë kanë prirje të aktivizohen automatikisht dhe shpesh të veprojnë në të pandërgjegjshmen. Kur anonimët e web-it flasin për veriorët a jugorët janë të bindur se thonë gjëra reale, gjëra që burojnë nga realiteti. Nuk e perceptojnë dot se përdorimi i këtyre stereotipeve bëhet më së shumti për të kënaqur nevoja të brendshme, psikologjike. Në periudha tranzicioni, kur sistemi i vjetër është rrëzuar dhe i riu është në ngjizje e sipër, kur gjithçka është në ndryshim e paqëndrueshmëri, individi përjeton ankthe pasigurie dhe kërkon me etje gjëra të qëndrueshme, qofshin këto edhe identitete krahinore, për t’i përdorur si tokë e fortë ku mund të hedhë spirancën. Stereotipizimi i kategorive veriorë/jugorë ka dhe një arsye të dytë, që me thjeshtësinë e saj të sjell ndër mend vezën e Kolombit: nuk kërkon sforcim, duke qenë automatik rrjedh vetvetiu. Ky faktor është me peshë sidomos për njerëzit e thjeshtë, që kur marrin të shkruajnë a të flasin në publik, sforcohen së tepërmi. Si shpjegohet atëherë që edhe shumë njerëz të shkolluar, në daçi edhe persona publikë që bëjnë opinion, i përdorin kategoritë veriorë/jugorë si stereotipe? Një përgjigje e procesuar automatikisht do të ishte: edhe ata robër të humbur të Allahut janë ndaj shpesh e dërgojnë mendjen me vakanca dhe lënë paragjykimet të mendojnë për ta. Thënë më shkoqur – mendjellinj…
"Mapo"
Add new comment