Pse Gjergj Bojaxhi është (edhe) kandidati im për Tiranën
Unë nuk votoj në Tiranë. Por jetoj në Tiranë. Jetoj në Tiranë, ngaqë punoj në Tiranë. Sepse ka kohë që vendimi për të jetuar në Tiranë është një vendim krejtësisht i kushtëzuar nga mundësia për të punuar në Tiranë. Sepse, në fakt ka kohë që Tirana është përgjithësisht një qytet, ku njeriu e ka më të lehtë të gjejë një vend për të punuar sesa një vend për të jetuar.
Mund të numërosh njëmijë arsye se pse Tirana është kthyer në një vend ku mund të punosh mirë e të jetosh keq. Njerëzit fajësojnë kryebashkiakët se nuk kanë punuar si duhet, kryebashkiakët fajësojnë partitë që ua kanë bllokuar punët. Mes këtyre arsyeve ama shkëlqen edhe fakti se kryeqyteti është drejtuar nga njerëz që kanë deklaruar përherë që në krye të herës se kanë vizione ëndërrimtare për kryeqytetin.
Njerëz që kanë parë shumë larg e shumë lart dhe kanë harruar të hedhin sytë përdhè. Njerëz që janë përhumbur në vegime megaprojektesh vizionare që do ta kthenin Tiranën në një kryeqytet super-mega-europian dhe që u kanë rrëshqitur për shalësh ca “punë të vogla” të jetës së përditshme, si shtimi i numrit të shkollave, parqeve, qendrave shëndetësore, riparimi i rrugëve, sigurimi i ujit të pijshëm, kontrolli i ushqimeve etj.
Pak a shumë si ata avokatët që nuk begenisin të marrin çështje të vockla sepse nuk u sjellin as parà e as famë në profesion. Mirëpo vizionet mund të jenë zhgënjyese. Sidomos për ne që kemi parë mandat pas mandati se si vizionet për Tiranën si një metropol europian me parqe e me trame e kthyen Tiranën në një kryeqytet me autobusë gjithnjë e më të shtrenjtë e të tejmbushur, pa stacion treni, pa pemë dhe me ajër të kondicionuar. E çuditshme se si vizionet e të gjithë kryebashkiakëve për Tiranën e Qytetarëve rezultuan krejt larg asaj së Mirës që donin ditë për ditë Qytetarët e Tiranës.
Edhe pse nuk votoj në Tiranë, meqë punoj e jetoj këtu, jam i interesuar për kandidatët që aspirojnë drejtimin dhe menaxhimin e punëve të këtij qyteti. Ndoqa intervistën e kandidatit të pavarur për Bashkinë e Tiranës, zotit Gjergj Bojaxhi. Refleksi i vjetër i krijuar nga kandidatë që flasin që në hapje fushatash për vizione e punë të mëdha priste të dëgjonte fjalitë me “vizione perëndimore”, “europiane”, “me infrastruktura bashkëkohore”, “me urbanistikë moderne”.
Asgjë nga këto! Nuk përmendi asnjë vizion. Ishte një ligjërim perfekt tokësor. Ishte gjuha e alpinistit, i cili nuk flet për dalldinë e majave të larta, por për rrugët e vështira që të çojnë drejt tyre. Për rrugët e ngushta dhe ato mijëra hapat e vegjël që duhen bërë deri në majë.
Ligjërimi i atij menaxherit të qytetit që nuk flet për “imazhin europian që i duhet kryeqytetit për ta bërë destinacion të lakmueshëm turistik”, por për gjëra të thjeshta, të rëndomta, vogëlsira me të cilat nuk merret më askush si, shkollat me dy turne, trotuaret me pllaka të thyera, transportin primitiv e të shtrenjtë, ajrin e ndotur dhe parqet e munguara.
Nuk kishte ligjërimi i Gjergj Bojaxhi asnjë krekosje ideologjike, me të cilat mburren zakonisht palët politike pa e kuptuar kotësinë e termave politikë “i majtë” e “i djathtë” kur diskutohen ide lokale. Sepse problemet që ka Tirana nuk zgjidhen as me mënyra “demokratike” e as me mënyra “socialiste”, por me profesionalizëm e me mend në kokë.
Edhe pse nuk votoj në Tiranë, meqë punoj e jetoj këtu, e konsideroj Gjergj Bojaxhi kandidatin tim përfaqësues në administrimin e kryeqytetit. Sepse menaxheri im ideal i një qyteti duhet të jetë modest në ligjërim, pa vizione lartësish supreme, por me vullnet tokësor për të filluar përmirësimin e cilësisë së jetës nga gjërat e vogla dhe me hapa të vegjël.
Teksa dëgjoja intervistën e Gjergj Bojaxhi m’u kujtua një fabul e vockël që tregon se vlera e së Madhes shfaqet tek gjërat e vogla. Mistiku nga Bagdadi, Abu Bakr Schibli, vdiq në vitin 945. Pas vdekjes, ai iu shfaq në ëndërr një miku, i cili e pyeti: “Si të trajtoi Zoti”?
Mistiku ia ktheu: “Zoti më doli para dhe më pyeti”: ‘Abu Bakr, e di se përse të kam falur’? “Për veprat e mira që kam kryer?” “Jo” – ishte përgjigja e Zotit. “Për lutjet e mia, për pelegrinazhin, për agjërimet?” “Jo”, – ishte përgjigja e Zotit. “Për udhëtimet e mia në kërkim të dijes?” “Jo” – tha Zoti. “Atëherë, për çfarë më ke falur, Zoti im?”.
Dhe Zoti u përgjigj: “Për asnjërën prej këtyre gjërave të mira nuk të kam falur!” “Po për çfarë atëherë, o Zot?” Dhe Zoti u përgjigj: “Të kujtohet njëherë kur ecje rrugëve të Bagdadit dhe pe një mace të vogël që dridhej nga i ftohti dhe shkonte nga një qoshe muri tek tjetra për t’u mbrojtur nga bora dhe acari, dhe ti u përkule, e ngrite nga toka dhe e mbështolle me mantelin tënd, duke e shpëtuar nga tortura e të ftohtit?” “Po, më kujtohet!” “Ja pra, – u përgjigj Zoti, – pikërisht për dhembshurinë që tregove ndaj maces të kam falur”.
Kandidimi i Gjergj Bojaxhi u jep mundësinë qytetarëve të Tiranës të kujtojnë fatin e palavdishëm të vizionarëve europerëndimorë të kryeqytetit, falë të cilëve na sillen akoma nëpër këmbë problemet “e vogla” por jetike si ajri, uji, ushqimi e transporti.
"Mapo"
Comments
Le te shpresojme qe sa me
<p>Le te shpresojme qe sa me shume njerez ta mendojne keshtu. Besoj ne fakt qe shumica e mendojne vertet keshtu, se dy partive duhet tu jepet nje leksion i mire. Por kane frike dhe ne momentin e fundit nderrojne mendje para fletes se votimit. </p>
Add new comment