Protestë pa titull moral
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4766_arjan-vasjari_0.jpg?itok=g-YeS2bQ)
Falë 20 shkurtit të 1991, më 20 shkurt të 2014 nuk kemi ç’të përmbysim. Historia në këtë rast duhet të shërbejë vetëm për të na kujtuar se, pavarësisht përpjekjeve tona, nuk mundemi dot ta riciklojmë. Historia ndodh, nuk ribëhet. Madje, edhe sikur të ish e kundërta, nuk ka asnjë arsye për të pretenduar përsëritjen e saj. Në të gjitha variablat e mundshme të analizës jemi 23 vjet më të rritur, 23 vjet më të pjekur dhe 23 vjet më të vetëdijshëm se, pavarësisht dështimeve, rënieve, plagëve të këtij rrugëtimi demokratik sfilitës, i kemi mbyllur hesapet me atë që përmbysëm 23 vjet më parë. Pra, në thelb, i kemi mbyllur hesapet me “përmbysjen”. Në këtë kuptim, qoftë provokacionet imorale të fotove të Edi Ramës me Enver Hoxhën në sfond, qoftë rehabilitimi i sintagmave populiste të Sali Berishës “të rrëzojmë neobllokmenët”, përfaqësojnë thjesht, një nivel të caktuar keqkuptimi me historinë. Posaçërisht me datën 20 shkurt 1991.
Mirëpo, më 20 shkurt 2014, Partia Demokratike e Shqipërisë ka vendosur të protestojë. Sigurisht në shenjën e 20 shkurtit të 1991. Data ka ngarkesë ideologjike padyshim dhe Partia Demokratike i qëndron pranë, e në daç edhe mirë, asaj date. Mirëpo galateu demokratik i Shqipërisë së vitit 2014 e donte që, së paku, data 20 shkurt të mos ishte një datë proteste kundër qeverisë sepse, në vetvete, data në fjalë dhe mënyra sesi e koncepton opozita atë, synon të ndërtojë përkatësi identitare përjashtuese. E thënë shkoqur, data 20 shkurt vijon të shërbejë, sipas opozitës, si vija ndarëse mes tyre dhe socialistëve. E thënë edhe më shkoqur, demokratët besojnë se i ndan me socialistët figura e Enver Hoxhës. Nuk është e tepërt të thuhet madje se, të krijohet përshtypja sikur ata kanë një pasion të madh për të vendosur Enver Hoxhën mes tyre dhe kundërshtarëve, për t’i shtyrë kundërshtarët drejt tij. Sigurisht, ne nuk mund të lubrifikojmë historinë që gjërat të na shkasin më kollaj. Aq më tepër që Enver Hoxha ngec kudo. Por, sot në vitin 2014, do të ishte intelektualisht e pandershme përpjekja për të rindërtuar simbiozën, socialist-Enver Hoxha. Ajo është një bashkëjetesë e shprishur njëherë e mirë dhe socialistët e 2014 nuk janë kurrsesi socialistët e 1991. Kush thotë të kundërtën, mashtron. Pra, fakti historik dhe buonsensi politik duhet t’i bëjë demokratët që mos ta kërkojnë ndarjen e tyre me të majtën tek figura e Enver Hoxhës. Do të ishte mbi të gjitha, mjerim për kauzën e tyre po qe se vijojnë ta bëjnë këtë. Shpjegimi është i thjeshtë: nëse ende pas 23 vjetësh vijojnë të përballen me një parti hoxhiste, atëherë kanë dështuar në misionin e tyre historik për ta oksidentalizuar këtë vend. Por, do të ishte depersonalizuese edhe për gjysmën e shoqërisë shqiptare nëse do të votonte një parti që ende beson tek figura e një barbari. Ashtu siç do të ishte poshtëruese për vetë demokracinë tonë që spiralen e alternancës, ende pas 23 vitesh liri, do e ndërtonte mes një partie antikomuniste dhe një partie quasi komuniste. Lavdi Zotit, asnjëra prej këtyre nuk është e vërtetë. Dhe ky është një shkak madhor pse 20 shkurti i 2014 është një ditë e papërshtatshme për të protestuar kundër qeverisë.
Por Partia Demokratike, me të drejtën e panegociueshme e demokratike të protestës ka vendosur që, gjithsesi, në datën 20 shkurt 2014 të jetë në shesh. Kryetari i saj, Lulzim Basha ka përzgjedhur të jetë disi më shumë sindikalist e disi më pak politikan në arsyetimin e tij për të përligjur protestën. Nuk dihet nëse kjo përzgjedhje është e lirë, por edhe në qoftë një pamundësi për të qenë e ndryshme, ka shumë pak rëndësi. Këtu nuk shtrohet çështja rreth arsyeve për të protestuar, por nëse opozita duhet të jetë bartësja e këtyre arsyeve. Mund të mos biem në një mendje mbi kontekstin sociopolitik kur vendoset të protestohet. Ka prej atyre që gjykojnë se, çdo qeverie i duhet dhënë koha e mjaftueshme “biologjike” për t’u provuar dhe se, pesë muaj janë shumë pak. Të tjerë mendojnë se, protesta është një fenomen politik pa kohë dhe se, mjaftojnë aktet e mazhorancës për ta përligjur atë. Por në një pikë nuk ka sesi të mos biem në një mendje: titullariteti i institutit të protestës duhet të jetë, mbi të gjitha, një titullaritet moral. Frymëzuesit e saj duhet që të jenë moralisht superiorë. Në të kundërt, protesta degradon vetëm në organizim individësh pa u shndërruar dot në kauzë. A përfaqëson Partia Demokratike në këtë moment të ekzistencës së saj superioritetin moral? Është pothuajse e pamundur të thuash po. Sigurisht, demokratët mund të rendisin dështimet e qeverisë, por ky nuk është superioritet, aq më pak moral. Superioriteti nuk mund të burojë asesi prej dështimit të kundërshtarit. Kjo do të ishte thjesht një betejë mes dy inferiorësh të ndryshëm dhe asgjë më shumë. Partia Demokratike mund ta ndërtojë superioritetin e saj, por jo përmes protestës, ose më saktë, jo përmes protestës së datës 20 shkurt 2014.
Mirëpo le të fshijmë çdo ekuivok: nuk është 23 qershori që i heq të drejtën morale Partisë Demokratike për të organizuar një protestë. Jo, aspak! Partitë moderne kanë lindur edhe për t’i humbur zgjedhjet. Është mungesa e procesit reflektues e transparent rreth arsyeve që e çuan aty. Është mungesa e rrëfimit të saj me shoqërinë. Është konkubinati i saj i heshtur (apo i pavetëdijshëm, apo i detyrueshëm, s’ka rëndësi) me një pjesë të atyre që i shkaktuan 23 qershorin. Është ndërgjegjja e saj morale pezull. Si mund të përfaqësojë superioritetin moral Partia Demokratike kur, me shumë gjasë, në vijën e parë të protestës së datës 20 shkurt 2014 mund të jenë edhe ata që e fundosën moralisht atë? Si mund t’ia amnistojmë gabimet PD-së nëse ajo nuk na e mundëson këtë? Ç’të bëjmë për ta besuar PD-në?
Këto nuk janë pyetje për PD-në e datës 20 shkurt 2014. Do të ishte mrekulli sikur të kishim një përgjigje prej saj para asaj date. Por kjo është e pamundur dhe kuptohet, jo për shkak të datës. Partia Demokratike ka gjithë të drejtën për të qenë në shesh, por i mungon ajo që thamë: titullariteti moral për të qenë bartësja e arsyeve të protestës. Vetëm duke e pasur atë titull do të legjitimohej. Por, pa i rënë shumë në qafë, le të protestojë në datën 20 shkurt 2014. E rëndësishme është që, pas asaj date të fillojë të mendojë për titullin e saj moral. Ka shumë, shumë nevojë.
Nga gazeta "Mapo"
Comments
Pse proteste?!? A nuk eshte

Pse proteste?!? A nuk eshte me mire qe ne kete date, pozite e opozite te festojne bashke, se mua me duket qe 20 Shkurti eshte pak si 29 Nentori, ne te dyja datat kemi hequr qafe te KEQEN, apo jo? Pra nqs opozita del ne shesh per te protestuar, pozita le te dale ne shesh per te festuar, po qe se eshte e vetete ajo qe thote autori, dmth qe ka hequr dore nga Enveri i Hoxhateve......

Artikull i shkruar me

Artikull i shkruar me llogjiken e shumices se njerezve qe mendojne normalisht! Eshte qesharake te kujtosh qe protesta u organizua kunder varferise nga arkitektet e monopoleve dhe pasunaret qe e krijuan pasurine e tij gjate sundimit 8 vjecar. Mund te themi se motivi i kesaj proteste perben anekdoten e vitit. Eshte bere tani si nje refren qe nuk irriton me njeri shprehja qe "rruga e kombit" u dha pa respektuar legjislacionin shqiptar me nje kosto shume te madhe dhe gjykata e mbylli ceshtjen per shkaqe proceduriale (dmth perfituesit potenciale ishin Basha-Berisha). Ketu qendron thembra e akilit, pandeshkueshmeria e pushtetareve te cilet u pasuruan jo me rrogen qe kane marre por si pasoje e pazareve te pista. Dhe keta njerez tani protestojne per varferim! E sa ish ministra e qeveritare jane varferuar dhe sa %, kjo do mjaftonte per kuptuar konretisht se kjo proteste ishte me kauze fallco, qe me te drejte quhet si proteste e "familjes"per "humbjen"qe pritet te pesoje ne te ardhem se deri tani nuk i ka hyre gjemb. Pra kjo "proteste" eshte njelloj talljeje per shqiptaret qe u vodhen ne 97, u vrane ne disa afera spektakolare te njohura boterisht dhe tani po u qajne atyre hallin.

Vetem nuk arrij te kuptoj pse perdoren aty ketu ketu fjale te panevojeshme te huaja. Psh, diku nga fundi gjeta fjalen "konkubinati" dhe pas disa kerkimesh ne fjalore arrita te gjej kuptimin e saj ne anglisht "concubinage" qe dmth "bashkejetese" dhe ne kontekst ka pikerisht kete kuptim. Kjo perfshirje e kesaj fjale me duket shprehje e nje varferie te madhe gjuhesore dhe adaptim kot se koti ne forme te shtremberuar qe une do ta lexoja si "konkubineixh" nqs nisemi nga anglishtja apo "konkubinazh" ne se e lexojme nga frengjishtja

Por nuk munda te gjej kuptimin e fjales se perdorur ne shprehjen "galateu demokratik i Shqipërisë" (mos do te thote gallata?). Sigurisht mundet qe kjo vjen edhe si pasoje e fjalorit tim te kufizuar, mbase autori apo ndokush tjeter na ndihmon ta kuptojme.

Dje loxova kete artikull

Dje loxova kete artikull tek gazeta Mapo por nuk mendova te beja nje koment por, ne darke tek Top story kur e degjova prap autorin e ketij shkrimi vertet me beri qe te them dy llafe.Autori pretendonte ne shkrim qe protestes i mungon titulli moral sepse sipas tij PS qenka shkeputur perfindimisht nga e kaluara dhe ish diktatori biles ne PS ka tjeter qasje dhe te tjera fytyra qe nuk paskan lidhje me te kaluaren. Piksepari do te thosha qe ne demokraci cdo lloj opozite ne cfaredo proteste qe zhvillon nuk mund ti thuash qe ske titull moral per ate qe proteston sepse titujt moral nuk ja vendos asnje dhe padyshim as artikullshkruesi por ajo eshte ne te drejten e saj qe te protestoj sepse kur je ne opozite tituj moral te nje proteste mund te gjesh sa te duash. Sa per kujtese dua ti them autorit te shkrimit i cili pretendon qe PS eshte e shkeputur nga e kaluara dhe nga figura e ish diktatorit , qe ne zgjedhjet e fundit parlamentare a nuk beri koalicion me partine e punes ku nje nga drejtuesit e saj eshte edhe i biri i ish diktatorit?

Ben, I pari koalicion me

Ben,

I pari koalicion me komunistet enveriste u be para zgjedhjeve vendore te vitit 2011, nga as me pak e as me shume po vete Partia Demokratike. Futja e Partise Komuniste te te ndjerit Hysni Milloshi ne koalicionin e kryesuar nga PD i dhuroi kesaj rreth 1000 vota, pa te cilat Kryetari i PD-se sot nuk do te ishte sot Kryetar i Bashkise se Tiranes.

Ndonese artikulli nuk ka ndonje nerv e forca e argumentit te tij eshte e vaket, faktet jane fakte dhe jam dakord me autorin kur ky ve ne dyshim moralitetin e sulmeve ndaj PS-se ne emer te lidhjeve te kesaj me te shkuaren komuniste.

Add new comment