Politika: Banalitet dhe konspiracion

Postuar në 28 Mars, 2015 07:57
Elidor Mëhilli

Aktorët politikë shqiptarë janë aktorë të mirë. S’të falin kur vjen puna te përmendja e institucioneve; te pozat televizive; te citimet e ligjeve, neneve, dhe nën-neneve, me datë, numër, e fraksion; te ligjërimet e lodhshme mbi detyrat institucionale apo mbi detajet e imta të lustracionit gjerman, që duhet kopjuar me patjetër. Mirëpo, menjëherë pas emisionit televiziv, institucionet i shkelin me këmbë, kundërshtarit i flasin me gjuhën e rrugës, shembujt e huaj i përqeshin me po aq zell sa edhe i patën shitur si profeci.

Politika shqiptare bëhet informalisht: nëpër vila të mobiluara pa shije, nëpër kafene tërë tym, nëpër restorante, pasi janë tretur gjellët dhe janë numëruar thashethemet. Të vijnë ndër mend, pa dashur, transkriptimet e mbledhjeve të Byrosë Politike, në vitet e rrezikshme të pasluftës, kur vendimet merreshin në dhomën e pritjes së “Komandantit”, në plazh, apo gjatë ecejakeve të mbrëmjes në bulevard. Tek arkivat e komunizmit, për të cilat bëhet aq zhurmë, vendimet më të rëndësishme shpesh nuk i gjen. Pushteti ekzekutohej edhe nëpër korridore, gjatë darkave familjare, apo mbas mbledhjeve formale.

Vazhdimisht, politika shqiptare ka pasur aspirata të mëdha — dje, një botë komuniste, vëllazërim me të shtypurit e globit; sot, integrim në “strukturat atlantike”. Mirëpo, gjuha në të cilën na përcillen punët e shtetit, dhe idetë që politikanët shqiptarë prodhojnë, kanë mbetur në nivelin e tavernave dhe rrugaçëve. Ç’mund të thuash për banalen në politikën shqiptare?

Do të ishte gabim të injorohej. Do të ishte gabim të silleshim siç sillen zakonisht njerëzit kur ballafaqohen me shëmtinë. Banalja, sidomos në politikë, të imponohet. Tepër e vështirë të luftosh banalen e veshur me pushtet. Banalja të pllakos para ekranit, të bën të flasësh me vete, të çarmatos.

Do të ishte, po ashtu, gabim të mendohej se banalja në politikën shqiptare është thjesht çështje mediokriteti, mungese elitash të mirëformuara, apo personalitetesh të konsumuara që nuk shkulen nga skena politike. Sa “të rinj” janë plakur në politikën shqiptare? Sa diploma perëndimore na janë shitur si shpresë për shpëtim, si ilaçe çudibërëse? Sa pionierë të ndryshimit janë kthyer, pothuajse brenda 24-orëshit të zgjedhjeve, në ministra të status-quo-së, ithtarë të njëshit të partisë, gjeneralë të zellshëm të së vjetrës?

Banalja shqiptare i është mbivendosur idesë kokëfortë se politika është konspiracion. Gjatë çerekshekullit të fundit, banaliteti politik ka marrë përmasa të frikshme. Mirëpo, në Shqipëri, ideja se politika është konspiracion është goxha më e vjetër. Institucionet shqiptare, që në krye të herës, janë konceptuar si leva personale. Politika është kuptuar si prezantim formal i vendimeve të marra në prapaskenë.

Gjatë komunizmit, rreziku vinte shpesh nga më të afërmit. Politika e jashtme u kthye në armiqësi prej kushërinjsh që urrehen, me ambasadorë shqiptarë që skandalizonin sivëllezërit perëndimorë e lindorë me veprimet e tyre prej fëmijësh inatçorë. Mes parisë së Tiranës, vëllazëritë e dikurshme befas zbuloheshin si armiqësi të përbetuara e të përbotshme. Çfarë lloj marrëdhëniesh ndërnjerëzore mund të prodhojë një ambient i tillë?

Pushteti shqiptar ka qenë edhe çështje familjare — kështu që edhe hasmëritë, intrigat dhe komplotet na janë shpalosur me tërë helmin e zënkave në fis, me tërë dramën e sikletshme të armiqësive të gjakut. Banalja dhe konspiracioni, pra, ushqehen ndërsjellas.

Në vitin tashmë të largët 1992, Arshi Pipa, i brengosur dhe me një zemëratë dyzetvjeçare, shkruante në revistën amerikane “Telos”, se konflikti i atëhershëm mes PD-së dhe PS-së do të vijonte “si konflikt familjar, me komunistë renegatë që marrin pushtetin dhe komunistë të gardës së vjetër që bëjnë si opozitë”.

Në këtë kuptim, tragjikja në politikën e ditës në Shqipëri nuk është se intrigat, hasmëritë, apo konspiracionet habisin kënd, apo se elitat vazhdojnë të luajnë role e luftëra provinciale me fjalë të mëdha e poza joshëse. Tragjike është se banalja dhe konspiracioni krijojnë realitetin e vet — një realitet paralel, ku të tjerët mbeten dhe vetëm mund të jenë spektatorë. Në atë realitet, nuk pyesin për të vërtetën, për dokumente, për përgjigje, për kujtesë. Informaliteti kërkon informalitet. Politikanët heqin dorë nga politika. E ardhmja është e garantuar: një mal me gënjeshtra.

Që sot, historia e viteve të fundit të komunizmit, si dhe ajo e vitit ’97, po na shkruhet si marrëzi konspiracionesh, “duarsh të huaja” që luajnë me fatet e vendit, lloj-lloj prapaskenash dhe sekretesh gjithnjë e më të mëdha (“më ka thënë filani, po dokumenti është djegur!” “ka dorë serbi, greku, apo alieni”).

Si do të shkruhet vallë historia e këtyre 25 viteve kaq të rënda, kaq banale? Si lojë kulisash e klanesh? Intriga restorantesh e çështjesh familjare? Një histori shteti si novelë për adoleshentë. Në një vend ku të pushkatuarit nuk mbahen mend, ku vdekjet e kryeministrave mbeten ende të mistershme, ku akuzat lihen pezull, që të krijojnë të tjera pasiguri në të ardhmen, ku pandëshkueshmëria lulëzon: a do të mund historia vallë t’i shpëtojë banalitetit të së tashmes?
"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.