Për Berishën, oborrin dhe pasardhësit
Ky Kuvend i Partisë Demokratike, në punimet e tij dyditore shpalosi qartazi se ç’ka qenë, ç’është dhe do të bëhet PD-ja. Të tria pjesët e kësaj shprehjeje që e huazuam duke i rënë më qafë e shpërdoruar rilindësin Sami Frashëri, i përshkon një emër, Sali Berisha. Thënë ndryshe, kur themi PD-ja, kemi thënë… Saliu.
Për ta nisur nga ky i fundit, deputet i thjeshtë, nuk mund të mos bjerë në sy sindroma që e kap Berishën sa herë shikon pesë a më shumë vetë me duar në xhepa, ose jo. Në qoftë se instinkti e shtyn Berishën në mënyrë të pakushtëzuar që një grup të vogël njerëzish ta ftojë për miting ose protestë, qofshin shoferë furgonash apo nxënës shkollash, është i kuptueshëm edhe me rregullin e progresionit matematik, fakti që ai sheh një sallë të mbushur plot me njerëz dhe u premton atyre se shumë shpejt do të marrin pushtetin, madje brenda disa muajsh. Duke harruar se ata rob i ka thirrur vetë. Por përtej sindromave të kësaj natyre, që me kalimin e viteve mendja ta do që sa vijnë e theksohen (dhe që në sallën e Pallatit të Kongreseve nuk i besoi askush), emblematik për sklerotizimin punist të kësaj partie mbetet fakti tjetër: Të gjithë duartrokasin Berishën, të gjithë emocionohen e ndokush edhe përlotet, me Berishën.
Mjafton ky fakt për të kuptuar tashmë edhe zyrtarisht, se PD-ja e re nuk do të jetë gjë tjetër veçse një kompani, pronari i së cilës i delegon kompetencat e punëve të ditës një administratori, të cilit nuk ia ndan sytë gjithsesi. Ç’rinovim politik dhe frymë e re mund të lindë nga një proces i tillë? Imagjinoni sikur Edi Ramën ta kishte emëruar Fatos Nano në krye të PS-së, dhe ky i fundit t’i diktonte mëngjes-drekë-darkë se çfarë duhej të bënte.
Në Partinë e sotme Demokratike ka edhe të pakënaqur, kjo është e vërtetë. Por shumë pak, me gishtat e dorës, janë të pakënaqur me Berishën. Dhe ata që vërtet mbajnë këtë qëndrim, nuk janë më afër partisë. Në PD janë të pakënaqur me Lulzim Bashën, sepse njerëzit që ai po zgjedh të mbajë afër janë të tjerë. Makijazhi i ndërrimit të ekipit me “personalitete të reja” e kërkon apriori që ca nga ish pushtetarët të lidhur ngushtë me disfatën e 23 qershorit të mos kenë vend në oborrin e vezirit të ri, ylli i të cilit u favorizua nga sulltani i PD-së. Dhe të zhgënjyerit nuk guxojnë ta kenë me Berishën, por me Bashën, duke ëndërruar më kot se mund të ishte secili prej tyre në vendin e tij. Por ka një ngërç të pazgjidhshëm në këtë mes: Për të hequr shijen e humbjes së thellë, Basha mbledh njerëz “të pa komprometuar”. Duke harruar një nga arsyet më të rëndësishme, menjëherë pas vetë Berishës, për humbjen përvëluese të së djathtës në zgjedhjet e fundit është pikërisht ai.
Ndaj Kuvendi i makijazhit e ka të pamundur ta bëjë vajzë të re PD-në plakë. Nëse ekziston një njeri në këtë parti, që ka nxjerrë mësime, ai është Eduard Selami. I rehabilituar si Nako Spiru, ai po përpiqet të kapë 19 vite të humbura kot rrugëve të kurbetit amerikan. Nëse do ishte treguar më “i shkathët” dhe më me nuhatje në vitin e largët 1995, kur iu kundërvu Berishës me naivitetin e të riut që kujtoi që për çast se duartrokitjet e falangave berishiane ishin për të dhe jo për shefin, Selami ndoshta po mendon se ky do ishte Kuvendi i tij, jo i Lulit. Ndoshta kjo, dhe vetëm kjo, mund të jetë e vetmja brerje ndërgjegjeje në këtë organizatë që e quan veten parti, dhe ka kurajën t’i vërë epitetin demokratike.
DITA
Add new comment