Një takim me Vaçe Zelën

Postuar në 08 Shkurt, 2014 13:04
Agim Vinca

Në qershor të vitit 2005 isha për një vizitë në Zvicër. Të nesërmen e arritjes në vendin helvetik, kërkova nga mikpritësit e mi që t’i bëja një vizitë këngëtares së madhe Vaçe Zela, e cila kishte vite që jetonte me familje në qytetin e Bazelit. Në ditën e caktuar, me një mikun tim, u gjendëm në qytetin e bukur buzë Rajnës... Miku im, Naimi,  bleu një buqetë me lule të bukura, kurse unë kisha marrë me vete një libër timin me poezi për t’ia dhuruar artistes së madhe. Fiks në orën tetë, kur dielli po i afrohej perëndimit, në banesën e rregulluar me shije, na prisnin: primadona e këngës shqipe, Vaçe Zela, me të shoqin, Pjetrin dhe të bijën, Irmën. Takimi qe i përzemërt dhe emocionues, nga ato që mbahen mend gjatë dhe regjistrohen përgjithmonë në kujtesë. Për herë të parë në jetë e takoja live Vaçe Zelën; e jam rritur me zërin e saj, me këngët e saj, me emrin e saj. Mua dhe moshatarët e mi këngët e saj të paharruara na kanë shoqëruar nga djalëria e hershme e deri më sot kur jemi bërë gjyshër. Ia thashë këtë me gojë, në bisedë e sipër dhe u përpoqa t’ia shprehja edhe me shkrim në tekstin në formë përkushtimi në librin që i dhurova. Derisa ishim ende në dhomën e pritjes, para se të dilnim në tarracën e rrethuar me lule shumëngjyrëshe, të kultivuara nga dora e Vaçes (pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike, për shkak të gjendjes shëndetësore, diva e muzikës së lehtë shqiptare, duket, pasionin për këngën e zëvendësoi me pasionin për lulet), kur e përfundova tekstin dedikues, Vaçja e ulur pranë meje kërkoi t’i lexoja ç’kisha shkruar. Kur po e lexoja fjalinë: “Legjendës së këngës shqipe, këngëtares së madhe shqiptare Vaçe Zela, me dashurinë dhe mallin e viteve” (diçka të tillë), asaj iu mbushën sytë me lot. Interpretja famëmadhe e sa e sa perlave të muzikës së lehtë shqiptare, qau dhe më përqafoi... Qe një çast i papërsëritshëm, që përjetohet rrallë herë në jetë dhe që nuk shprehet lehtë me fjalë... Pjesa tjetër e bisedës u zhvillua në tarracën e rrethuar me lule, në një muzg të bukur vere, ku Vaçja e ulur rreth tavolinës më shumë dëgjonte se ç’fliste, kurse bisedës i printe i zoti i shtëpisë, bashkëshorti i saj, Pjetër Rodiqi, shkodran me origjinë nga Janjeva, që është jo vetëm një njeri me kulturë e dije, por edhe një zotëri i vërtetë. Kurse e bija, Irma bionde, e buzëqeshur e topolake, simbiozë shkodrano-lushnjare, na gostiste dhe, herë pas here, na bënte fotografi me aparatin e tyre familjar, sepse unë dhe miku im nuk ishim kujtuar të merrnim aparat me vete.

Zotëri Pjetri, me të cilin paskëtaj kemi shkëmbyer disa herë letra elektronike dhe pothuajse rregullisht kartolina urimi për Vitin e Ri, kryesisht klasike, siç praktikonte ai, do të shfrytëzonte rastin që të shfaqte një dëshirë të Vaçes dhe të tijën: dëshirën për ta vizituar Kosovën. Mësova me atë rast se legjenda e muzikës së lehtë shqiptare, “Artistja e popullit” dhe “Nderi i Kombit” (e vetmja femër), Vaçe Zela, ka qenë vetëm një herë në Kosovë, në vitin 1980, me një grup këngëtarësh nga Tirana. Nga ajo kohë kanë kaluar 27 vjet, pra më se një çerek shekulli, ndërkohë që në Kosovë, veçanërisht në këto vitet e pasluftës, s’ka mbetur këngëtar e artist nga Shqipëria e diaspora pa ardhur (madje edhe ata të dorës së dytë, të tretë a të trembëdhjetë!), por askush s’është kujtuar ta ftojë për një vizitë në Kosovë të madhen Vaçe Zela. Dhe fjala është, natyrisht, për një vizitë zyrtare, institucionale e jo private, sepse Vaçe Zela është - institucion i kulturës shqiptare. Me këngët e saj janë rritur e edukuar sa e sa breza njerëzish e jo vetëm këngëtarësh nga mbarë trojet shqiptare; këngët e saj, pjesa më e madhe e tyre, do të jetojnë përjetë, sa të ketë gjuhë shqipe dhe muzikë shqiptare, kurse zërat si i saji - jo vetëm te popujt e vegjël si ne, por edhe te popuj numerikisht shumë më të mëdhenj, shfaqen një herë në njëqind vjet.

Fjalët e të shoqit dhe habinë e keqardhjen time për këtë moskujdes tonin, Vaçja, modeste gjer në dhembje, i shoqëronte me një buzëqeshje melankolike, e cila, çuditërisht, më shumë se zemërim e pakënaqësi, rrezatonte mirësi e evari; mirënjohje për nderin që i bënim me vizitën tonë dhe për respektin që gëzon ajo si artiste në Kosovë dhe në tërë hapësirën shqiptare.

U ndamë me Vaçen dhe njerëzit e saj në Bazel të Zvicrës kur po binte tisi i hollë i natës, pa fjalë të mëdha e premtime, por me një zotim në vete - që këtë punë të mos e linim me kaq.

Me t’u kthyer në Prishtinë e bëra zemrën gur dhe trokita në dyert e Ministrisë së Kulturës, që gjendet në ndërtetën e ish-Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, në qendër të Prishtinës. Ishte hera e parë që këmba ime shkelte në dyert e kësaj ministrie, në krye të së cilës atëbotë (ishte viti 2005) gjendej një njeri, i cili, më shumë se për kulturën dhe krijuesit e saj, kujdesej për hosanatë që i bënte shefit të tij të partisë, i cili e kishte vendosur në atë post, të cilit i falej njëzet e katër orë në ditë më zi se besimtarët fanatikë profetëve të tyres. Aty takova dy zyrtarë të lartë të Ministrisë, përgjegjës për “çështjet jorezidente” dhe ua paraqita çështjen: dëshirën e Vaçe Zelës për ta vizituar Kosovën, si dhe kërkesën që ata si institucion t’i bënin një ftesë dhe ta merrnin përsipër vizitën e saj në Kosovë. Më falënderuan që “isha kujtuar për diçka të tillë” dhe më premtuan se do të bënin çmos për ta sendërtuar këtë ide, madje brenda vitit në vijim. Ua dhashë adresën e shtëpisë, numrin e telefonit dhe adresën elektronike, pra gjithçka që duhet për të vënë kontakt me dikë në botën e sotme dhe u largova me shpresë se të njohurit e mi zyrtarë të MKRSÇJ-së dhe eprorët e tyre do të ndërmerrnin diçka konkrete për ta çuar në vend dëshirën fisnike të të madhes Vaçe Zela për ta vizituar Kosovën. “Bëni ju për Vaçe Zelën gjysmën e asaj që bëri Ardit Gjebrea në Tiranë për Nexhmije Pagarushën!” - u thashë në të ndarë dhe u ofrova edhe shërbimet e mia për programin që do të duhej të përpilohej me rastin e asaj vizite. Shtova gjithashtu se ajo, për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore, ndoshta as që kishte mundësi të vinte, por ju bëni tuajën, një gjest së paku, që s’kushton asgjë! Afërsisht kështu.

Kaloi viti 2005; edhe 2006-ta; hymë në 2007-n (një vit a dy më vonë Vaçja, e lindur më 7 prill 1939, do të mbushte shtatëdhjetë vjet jetë), por Ministria jonë e atëhershme e (Jo)kulturës te ish-Komiteti Krahinor i LKJ-së nuk bëri asgjë prej gjëje për të; madje as edhe një gjest të thjeshtë kurtuazie.

Më vonë gjendja shëndetësore e Vaçe Zelës erdhi duke u rënduar nga dita në ditë, aq sa ia bëri të pamundur çfarëdo udhëtimi, deri në çastin kur artistja e madhe iku nga kjo botë dhe nisi udhëtimin për në amshim, duke lënë pas si trashëgim për brezat që vijnë zërin e saj të mrekullueshëm dhe këngët e saj të pavdekshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.