Një profesor më pak

Postuar në 15 Shtator, 2011 02:13
Ardian Vehbiu

Me vonesë të madhe mësova për vdekjen e prof. Hamit Beqes, mik i familjes të cilin e kam takuar që kur kam qenë fëmijë, por edhe që më ka dhënë mësim në universitet.

Edhe pse i njohur vitet e fundit kryesisht nëpërmjet librave me natyrë eseistike që merreshin me psikologji të aplikuar, prof. Beqja pa tjetër duhet kujtuar edhe si një nga ideatorët dhe promotorët kryesorë të politikave arsimore shqiptare gjatë viteve 1960-1970.

Komunist i bindur dhe i formuar teorikisht në Bashkimin Sovjetik, profesori iu përkushtua arsimit brenda kuadrit ideologjik të kohës dhe të institucioneve ku bënte pjesë; por kontributi i tij, në lëmin e pedagogjisë dhe drejtpërdrejt për organizimin dhe funksionimin e shkollës në Shqipëri i kapërceu lehtësisht caqet e këtij kuadri.

Ishte një fat i mirë për të gjithë ne, nxënësit e asaj kohe, që një njeri me erudicionin dhe shpirtmadhësinë e Hamit Beqes mbikqyrte programet tona shkollore në të gjitha instancat dhe kujdesej, me aq sa mundej, të kufizonte dëmet dhe mangësitë e shkaktuara prej politikave totalitare të regjimit, të cilat ai nuk i ndryshonte as i korrigjonte dot.

Ishte njeri i kohës që jetoi, me meritat dhe të metat e kohës; por meritat pa dyshim ia tejkalonin ku e ku të metat.

Pa frikë do ta përfshija në kategorinë e atyre njerëzve të cilët u kapën peng i rrethanave dhe, për të mbetur në paqe me ndërgjegjen e tyre, u munduan të gjejnë dhe të bëjnë sado pak të mirë, në mes të së keqes së përgjithshme.

Ndoshta jam i anshëm në këtë vlerësim; por këtë anshmëri ma mbështet edhe respekti i madh që e rrethonte prof. Hamitin, në të gjitha mjediset.

Në universitet, më jepte lëndën e Pedagogjisë; unë do të kisha dashur të na jepte diçka më sfiduese, p.sh. filozofinë e historisë, ose historinë e kulturës shqiptare. Edhe i vetë ishte i vetëdijshëm që për lëndën që jepte mungonte interesi; na thoshte ndonjëherë: “këto që po ju them janë pak të mërzitshme.”

Kam edhe kujtim tjetër personal për të; pas mbarimit të gjimnazit, teksa isha ende duke punuar në Fabrikën e Tullave, Vorë, si stazhier, ende s’e kisha vendosur se çfarë dege të kërkoja pikërisht, në aplikimin për të drejtën e studimit. Vetëm dëshiroja që të shkoja në shkencat shoqërore, duke anuar nga filozofia. I kërkuam me këtë rast një mendim prof. Hamitit, i cili tha: nëse e ka vendosur djali për shkenca shoqërore, atëherë i këshilloj gjuhësinë, sepse është e vetmja fushë që ka edhe substancë, edhe strukturë. Ia ndoqa këshillën, në fillim me gjysmë zemre, por më pas gjithnjë e më me entuziazëm; dhe nuk jam penduar kurrë, përkundrazi.

Do ta kujtoj me mall.

Marrë nga Peizazhet e Fjalës.

Comments

Submitted by Blerim (not verified) on

Ngushellime per familjen e prof. Hamit Beqes dhe per te gjithe ata qe ndiehen se kane nevoje te ngushellohen nga largimi nga jeta i prof. shume te respektuar.

Respekt per z.Vehbiu dhe ata pak individ dhe media qe shkruan dhe percollen dicka ne nderim te njeriut qe jetoi ndershmerisht dhe la pas nje veper qe nuk eshte vetem ne leter por edhe tek te gjithe ata qe kane mesur prej tij.

Submitted by Arber (not verified) on

Paste rahmet!

Submitted by raimondi (not verified) on

Oh paska nderuar jete Prof.Hamit Beqja ...!? Ishte me te vertete njeri me kulture te gjere , dhe rezatonte shume Miresi  dhe Ndershmeri...

Ndjese paste  dhe u prefte ne paqe ....R.I.P.

Ngushellime Familjes se Profesorit

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.