Një milion mushkonjat

Postuar në 20 Maj, 2014 06:44
Alqi Koçiko

Ngado që ta fillosh shkokolepsjen e teorive të konspiracionit mbi avionin “reformator” të drogës në plazhin e Divjakës, të duhet një dozë e mirë... hashashi për t’u frymëzuar. Fjala vjen, le ta nisim me skenarin që trafiku i drogës me avionë kaçatorë bëhej me bekimin, e madje mbrojtjen e qeverisë e policisë. A do guxonte Edi Rama, tanimë në rolin e kryetrafikantit, të vazhdonte trafikun ajror që ka kohë që po ndodh (sipas opozitës) të ulte e ngrinte avionë nëpër Divjakë, pikërisht kur ky vend ishte kryefjalë e çdo salle, nga ato të kafeneve tek ajo e parlamentit? Për një avion të vetëm, rastisën në atë plazh shumë kureshtarë e vizitorë të rastësishëm; dikush madje filmoi uljen me celular. Edhe nëse nuk do kishte difekt, dhe piloti Riformato do shkonte në punë të vet, videoja për çerek ore do ishte në youtube, pra asgjë sekrete. Marrim konspiracionin e kundërt: Avionin e ka dërguar Berisha, pra njerëzit e tij, qoftë dhe përmes ndonjë kombinacioni. Për çfarë shume pranon dikush të bëjë ca vite të mira burgu e të bëhet kokë turku (ose italiani e shqiptari) për një betejë politike të rradhës?

Dikush mund të thotë se kjo e dyta edhe bën vaki, por varet nga shuma. Duke mos vënë bast për asnjërin nga skenarët e mësipërm, unë besoj se e vërteta është diku në mes, por këtë do ta zgjidhin organet kompetente. Pas dalldisë fillestare, problemi me avionin e Divjakës është se është harruar pikërisht ai, problemi i madh i këtij vendi, trafiku i drogës. Në shumicë, komentet e kësaj jave i mëshonin sikleteve të ministrit Tahiri, apo fjalimit “ekzuberant” të kryeministrit, njëfarë versioni më elokuent por po kaq patetik i “unë jam F.N. dhe prapa më vjen historia”. Në fakt, duhet thënë se në stilin e qeverisjes së Ramës ka një aromë të fortë marketingu prej ojf-je, një tendencë që çdo akt të shndërrohet në shfaqje për kamerat e televizioneve; që çdo fjalë e Ramës apo e ministrave, të jetë e pasur me stilema, metafora, ritëm e tek-tuk ironi për paraardhësit. Duket se kryeministri tenton të rrëshqasë në “kurthin Obama”, presidenti amerikan që kritikët në vendin e tij e akuzojnë se do mbetet në histori për fjalime të shkëlqyera dhe qeverisje anemike. Por përtej kësaj, a tregon avioni i Divjakës se qeveria Rama në mos është menaxhere e trafikut të drogës në vend, e ka marrë në krahët e vet këtë trafik dhe vjel dividentë; e prandaj (me zemërgjerësinë e opozitës) le të mos bëhen zgjedhje të reja, por ai të zëvendësohet nga një tjetër kryeministër i majtë? Ose, ta bëjë këtë akt për asnjë nga arsyet e mësipërme, por si dënim për mungesën e sinqeritetit dhe për daljen bllof lidhur me duelin avion-mushkonjë?

Këtu duhet të ndalojmë pak. E reja këtë herë ishte vetëm lloji i transportit, ajri. Maunet, trajlerët, furgonët, gomonet, makinat, mushkat me hashash na janë bërë rutinë dhe nuk ngjallin asnjë interes. Avioni po, kjo është gjëma e madhe që ka pllakosur. Dhe ndërkaq të vjen ndërmend fraza e ish kryeministrit Berisha: Divjaka është më e rëndë se Gërdeci! Kjo t’i përmbys të gjitha hesapet. Duke fshirë me gomë të pafshirshmen e duke harruar të gjitha bëmat e tij deri në vitin 2000, kemi një Berishë që kërkon dorëheqjen e kundërshtarit politik si baron droge, vetëm sepse një avion tentoi të merrte nga toka një sasi hashashi të paketuar e të shitur nga bastioni politik që e ka votuar Berishën rregullisht, e që ai e ka lënë të paprekur për tetë vjet rresht. Dhe në turmën e thirrur për të protestuar kundër drogës, spikasin kryetari i komunës Lazarat, ish shefa policie të zonës dhe plot lazaratas të indinjuar me baronin Rama, që e ka kthyer atdheun në mbretëri të kanabisit.

Do të ishte naivitet i tepruar nga çdo shqiptar në moshë madhore, të mendonte se kjo xhiro hashashi që prodhon miliona e miliarda, ka ndodhur pa bekimin e qeveritarëve, politikanëve, shefave të policisë, jo të gjithëve por një pjese të tyre. Linjat e trafikut që paguajnë pjesën, kalojnë matanë, të tjerat kapen për të plotësuar kështu edhe shifrat në analizat vjetore. Nëse avioni i Divjakës do të shërbejë për diçka, ai duhet të piketohet si momenti kur shteti nis ta marrë seriozisht luftën kundër hashashit. Këto tetë muaj, na është thënë se Lazarati është një çështje jo thjesht policore, por më shumë sociale. E pra, këtë as Berisha nuk e ka thënë; ai në fakt s’ka thënë asnjëherë asgjë për Lazaratin, thjesht ka heshtur dhe ka vjelë përfitimet, qoftë dhe vetëm në formën e votave. Nëse e majta në pushtet ka hallin e këtyre të fundit, pra votave, është hera e parë në 23 vjet që qeverisja ka një plebishit kaq të qartë, dhe po kështu duhet të veprojë me vendosmëri. Sepse një milion shuplakat kundër Berishës kollaj kthehen edhe në po kaq pickime mushkonjash kundër Ramës.

revista Klan nr.870

Comments

Submitted by Alpinisti (not verified) on

Thotë Alqi Koçiko: "E reja këtë herë ishte vetëm lloji i transportit, ajri." Gabim. E reja këtë herë ishte që 1. piloti erdhi me leje fluturimi në Shqipëri dhe 2. anashkaloi sistemin TIMS. Asnjë mushkë dhe hamall, asnjë gomone dhe skafist nuk kërkojnë leje hyrjeje për kontrabandë, kurse sistemit TIMS as nuk ia ndiejnë erën nga largësia që e anashkalojnë. Në rastin e Riformatos, nëse piloti nuk do të ishte zënë në tentativë, mjeti i tij do të kishte hyrë dhe dalë nga Shqipëria si avjon fantazëm, pa pilot, sepse askush nuk do të mund të vërtetonte dot se ishte Riformato ai që e kishte pilotuar. E gjithë kjo situatë është mundësuar nga zyrtarë shteti, të cilët së pari kanë dhënë lejen e fluturimit dhe së dyti kanë mundësuar hyrje-daljen e Riformatos pa lënë gjurmë në TIMS. A ka ndodhur kjo mbështetje për Riformaton me dëshirën dhe dijeninë e zyrtarëve të shtetit, kundrejt përfitimit ose sa për të bërë nder, apo kanë qenë thjesht të painformuar për çfarë po ndodhte para hundës së tyre, këtë le ta sqarojë drejtësia. Por është e turpshme të pretendosh se ky rast trafikimi nuk dallon nga rastet me gomone ose me gomerë.

Submitted by Stefan H (not verified) on

Prralla alpinistesh!Qeveria e kapi hajdutin, kurse hajdutet akuzojne qeverine se nuk po i kap ata!

Submitted by Andonim (not verified) on

Ja ke fut kot Alqo. Mitingjet e Bashes jane per ta afirmuar ne PD, dhe pastaj te fitojme cfare te fitojme! 1 Avion nuk rrezon qeverine por lekund ministrin po te kihet parasysh aeroporti dhe rruga e pakontrolluar gjer ne Divjake. Nese eshte "film" i inskenuar sic pretendon kryeministri, nuk eshte nga PD-ja. Je djale me i zgjuar se kryeministri qe luftoi me cdo person te keqen Sali. 40% e administrates Rama vijne si te denuar e te hequr nga puna per korrupsion kohe me pare 20% te pa afte por pa njolla, e pjesa tjeter eshte LSI
Shnet e pare

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.