Ndër laguna e parqe
Gjysmë-falja që kërkoi ish kryeministri Berisha për miratimin e ligjit 7501 në vitin 1992, para tre javësh në emisionin e Eni Vasilit, ishte një taktikë tipike e larjes së duarve, që lideri (jo vetëm) shpirtëror i PD-së nuk e ka për herë të parë. Një gjest të ngjashëm kreu ai vite më parë edhe për firmat piramidale dhe ngjarjet e 97-ës, për ta harruar shumë shpejt atë mea culpa e për t’iu rikthyer skenarit të forcave të errëta neokomuniste, disa eksponentë të të cilëve nuk ngurroi më pas t’i riintegronte në qeveri dhe parti. Por le të kthehemi tek ligji 7501. “Përgjegjësia bazë fillon me ligjin e tokës. Ligji i tokës u votua në shkelje të hapur të parimit të pronësisë. U votua bazuar në principin e Xhefersonit toka atij që e punon dhe atij që është aty. U votua sepse fshati shqiptar ishte shndërruar në rezervuar të pa imagjinueshëm njerëzor. Aty ku në vitet ‘50 ku kishin jetuar dy familje tani ishin minimumi 15. Në të gjitha takimet e mia me fermerët kishte vetëm një kërkesë po na latë pa tokë ne nuk kemi e çfarë jetojmë. Ligji nuk ndihmoi por ishte i domosdoshëm. Nëse atyre u hiqje një parcelë tokë ata do iknin në Greqi apo Itali”, tha Berisha. Sigurisht, t’i quash fermerë banorët e fshatit të ‘92-it, është si ta quash mekanikun 22 vjeçar të lagjes sime, projektues tek Mercedez Benzi në Shtutgart. Edhe “valvula e sigurisë” se me marrjen e ngastrave të vogla, fshatarët shqiptarë nuk do iknin në emigracion, e dimë sesi funksionoi. Por problemi nuk është këtu, por tek fakti që nga dy vjet që duhej të zgjaste efekti i këtij ligji, afati shkoi në 20 vjet; dhe tek pasojat që la kjo histori në raportin që kemi sot me pronën dhe trojet, pasoja për të cilat edhe socialistët që pasuan demokratët në pushtet, vetëm sa e shtuan dhe sofistikuan zullumin. Dhe psika institucionale e shoqërore lidhur me pronën u formësua me parimin “merr, grabit e rregullo dokumentet e hipotekës sa ke mundësi, sepse pronari i vërtetë që e meriton dhe i takon, është destinacioni më pak i mundshëm për trojet”.
Dy raste të njoftuara kësaj jave, të cilat ende pritet të zbardhen, janë domethënëse. Zyrtarë e topografë të komunës Shëngjin, përfshirë dhe kryetarin Kaçaj, janë marrë nën akuzë nga prokuroria lokale për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Ata akuzohen se kanë shndërruan “me letra” tokën kënetore në zonën turistike të Kunes, në tokë bujqësore dhe ua kanë shpërndarë disa banorëve. Personat që kanë përfituar, duke u bërë “pronarë” me dokumentet e hartuara në shkelje të ligjit, kanë nisur ta mbushin me inerte për t’i justifikuar si toka bujqësore ose troje për ndërtim. Këto prona, pasi u janë shpërndarë banorëve, një pjesë u janë shitur të tretëve, duke krijuar në këtë mënyrë një seri shkeljesh ligjore. Por sa toka të tilla “bujqësore” kanë avulluar anembanë vendit? Sa duar shitblerjesh kanë kaluar për vite të tëra? Nga ana tjetër, në sa raste pronarët e pashpërblyer kanë pritur më kot të kompensohen në vlerë monetare, dhe çfarë kategorie syresh kanë përfituar të parët dhe bujarisht? Katrahura e pronave është ndërkaq, një nga arsyet madhore të shtimit të krimit të organizuar e të sofistikuar, po kaq sa dhe të krimit për një gardh e një pëllëmbë tokë.
Përtej faktit se cilët janë fajtorët realë, për çka është detyrë e drejtësisë ta zbardhë, ta kthesh lagunën në tokë bujqësore është guxim i madh. Por edhe rasti i dytë po ashtu kërkon një dozë gjigande pafytyrësie, nëse rezulton i vërtetë: Që sipërfaqe brenda territorit të parkut arkeologjik të Butrintit, të jenë kthyer si pronë tek ish pronari.
Tani vijmë tek drejtësia dhe detyra e saj “për të zbardhur” të drejtën. Ky është kapaku që e ka fundosur në mënyrë të pashpresë çështjen e pronave në atë që Berisha e përkufizoi me kujdes si “tunel problematik”. Sepse termi në fakt duhet të jetë ku e ku më i rëndë. Noterizime fantazmë, dokumente hipotekore të sajuara, arkiva të falsifikuara që janë kurorëzuar me vendime gjyqësore që janë peshuar “me flori”, janë rregulli dhe jo përjashtimi në punën e kësaj drejtësie. Prandaj dhe nuk është çudi që i intervistuar së fundi, edhe kryetari i opozitës Basha ta quajë shkelje flagrante të ligjit prishjen e pallatit ku ishte aksioner edhe vjehrri. Sepse ai ndërtim që u zgjerua më shumë në det se në tokë, ishte “me letra”.
A do të vihet ndonjëherë sadopak rregull në këtë masakër që e dënoi që në shpërgënj zhvillimin e drejtë dhe me hullinj ligjorë të kapitalizmit shqiptar? Askush nuk ka më shpresë për këtë. Mjaft të shohim se çfarë është bërë me ALUIZNI-n, për të kuptuar sfidën e dënuar të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Ndaj na mbetet të ngushëllohemi me pasurimin leksikor, sepse nëse ka një trashëgimi origjinale që qeverisjet e këtyre dy dekadave u kanë lënë bashkëkohësve dhe brezave, është termi “mafia e trojeve”.
Revista Klan nr.860
Add new comment