Lejet e Bashkisë - si ka mundësi?!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/7880_fatos-lubonja-1_3.jpg?itok=pNPDyKf0)
Bashkia e Tiranës, që për shumicën do të thotë Lulzim Basha, por edhe Partia Demokratike në opozitë, ka dhënë kohët e fundit disa leje ndërtimi që të shastisin me absurditetin e tyre. Dhe ky absurditet nuk është thjesht në letër, në formë projektesh, por po shpaloset në trupin e Tiranës me shpejtësinë e një kanceri galopant. Para disa ditësh, në kërkim parkimi, më ndodhi të futem në një rrugicë të një lagjeje të vjetër të Tiranës, në qendër, ku nuk kalojnë dot dy makina, dhe pashë se rrugën ma kishte bllokuar një kamion i stërmadh që po bënte disa manovrime të çuditshme për të hyrë në një zgëqe. “Po ky ç’do këtu?”, thashë me vete. Prita derisa mbaroi manovrimet dhe, për çudinë time, vura re se nuk eci përpara, por u fut i tëri tek ai zgëqi. Vetëm kur kalova aty arrita të kuptoja se ç’punë mund të kishte një kamion aq i madh në një zgëqe të atillë. “Si ka mundësi?!” qe shprehja që më doli vetvetiu. Ishte një superkamion nga ato të firmave të ndërtimit që sillte material për të hedhur beton, a nuk e di, në një gropë që ishte hapur e freskët në truallin e një ish-shtëpie njëkatëshe e kthyer tashmë në një gropë ku po hidheshin themelet e… një pallati… tetë-nëntëkatësh. Pashë edhe tabelën atje me pamjen e pallatit… nuk qe ndërtim nga ata pa leje. Mund të them se ajo që më panë sytë qe provë e asaj se idiotësia, makutllëku dhe harbutësia nuk e kanë humbur vetinë për të të çmeritur akoma në këtë fushë të aktivitetit tonë kryesor ekonomik të këtyre njëzet vjetëve: ndërtimet. Ishte diçka edhe më tmerruese se ai projekti për ndërtimet e shumëkatësheve te Liqeni që po denoncohet së fundi. Ose më mirë të them, i një natyre tjetër tmerruese. Sepse ai projekti i Liqenit kërkon një minimum fantazie për të kuptuar absurditetin e investimit dhe kriminalitetin ndaj hapësirave të gjelbra të kryeqytetit, pasi atje nuk ka dhe aq afër ndonjë ndërtesë banimi e mund t’i gënjesh njerëzit duke iu thënë se do bëhet një kompleks modern, që s’do t’ju prishë punë ju të tjerëve që banoni rrotull. Kurse pallati që kishte filluar të ndërtohej aty nuk fliste, por ulërinte në absurditetin dhe kriminalitetin e vet urban. Ai do të futej si pykë në trekëndëshin midis dy pallateve të tjera që ishin aq pranë, sa rrethimi i gropës që qe hapur nuk ishte më larg se dy metra nga njëri prej këtyre pallateve. Kush e ka parë dhe është ankuar për një gropë të tmerrshme në hyrje të Rrugës së Elbasanit, në truallin e një shtëpie njëkatëshe ku do të ndërtohet një nëntëkatësh që do t’ia marrë dellin, dritën e frymën pallatit prapa saj e shtëpive përreth, mund t’i them se është lule përpara asaj që pashë. Lule mund të duket madje edhe një monstruozitet që sapo është ngritur prapa ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, në Rrugën e Kavajës, sigurisht me lejen e Bashkisë. “Si ka mundësi?!”Të del kjo klithmë habitore sepse edhe qorri i qorrave të qorrave, pas katrahurës që është bërë, e sheh se Tirana sot, veçanërisht qendra, ka nevojë për frymëmarrje, gjelbërim, parqe, lulishte, rikualifikim, dhe jo për të mbushur me pallate të larta edhe ato pak hapësira të ulëta që kanë mbetur. Aq më tepër kur ke parasysh se ndoshta gjysma e ndërtimeve që janë bërë në Tiranë e rrethinat e saj janë pa shitur ose pa mbaruar. Të del klithma “Si ka mundësi?!” duke pasur parasysh se janë bërë tërë ato betime nga kryebashkiaku i radhës për mbrojtjen dhe gjelbërimin e qytetin kundër çimentifikimit të tij të mëtejshëm. Të del kjo klithmë sepse çmeritesh se si këta njerëz nuk kanë as pikën e pikës së turpit për të ngrënë fjalën e dhënë publikisht para gjithë shqiptarëve. Të del kjo klithmë kur sheh se si nuk bëjnë një gjë, po një gjë e vetme, që të mos jetë në interes të atyre me të cilët ndajnë lekët apo u sponsorizojnë partinë? Të del kjo klithmë kur mendon mallkimet që do t’u vijnë nga fëmijët e këtij qytet kur të bëhen të rritur, për atë që s’u lanë një fushë sporti, një lulishte, një park lojërash, një oborr normal shkolle. Të del kjo klithmë pasi çmeritesh se si nuk del një arkitekt, urbanist apo një njeri i vetëm atje ku gatuhen këto krime, që të kundërshtojë e të japë dorëheqjen sa për të treguar se në këtë vend ka mbetur sadopak ndershmëri e profesionalitet sa për të mbajtur gjallë shpresën? Të del kjo klithmë edhe duke menduar se një akt i tillë i kryetarit të Bashkisë është edhe vetëvrasje politike për vete dhe partinë e tij. Sepse me këto leje PD-ja humbet edhe arsyen e fundit të ekzistencës, pasi vërtetoi edhe përpara zgjedhësit më naiv se përtej retorikave elektorale me trafikantë dhe antitrafikantë droge e prostitutash, në prapaskenë luhet një lojë e pisët interesash banale të një grupi që ka një parti të vetme, lekun, dhe se në këtë rast s’ka burrë që mund t’u mbushë më mendjen njerëzve se Kryetari nuk ka bërë hesap të marrë 20 përqindëshat për të cilët akuzonte Ramën duke i bërë naftën jo vetëm Bashkisë, jo vetëm PD-së, me këto akte, por edhe Shqipërisë. Por “si ka mundësi”-ja më e dhimbshme që të del nga shpirti është ajo që ka të bëjë me nënshtrimin e njerëzve. Si ka mundësi që këta njerëz durojnë që t’u ngresh një pallat mu te hunda, që do t’u marrë qiellin, diellin, dritën, ajrin, frymën atyre dhe fëmijëve të tyre, që do t’i lërë pa gjumë me zhurmat e ndërtimit natën dhe ditën, e nuk bëzajnë? Si ka mundësi që e durojnë këtë poshtërim, këtë masakrim, këtë shkatërrim, këtë shëmtim dhe nuk ngrihen në këmbë për të protestuar, deri edhe për të shkatërruar betonierat e fadromat e këtyre banditëve, siç shohim të ngrihen në çdo vend ku ka sadopak ndjenjë qytetarie?!
"Panorama"
Comments
“Të del klithma “Si ka

“Të del klithma “Si ka mundësi?!” duke pasur parasysh se janë bërë tërë ato betime nga kryebashkiaku i radhës ...“
Eshte nje klithme qe i del njeriut qytetar per dimensionin e se keqes qe na ka zene dhe kjo eshte nje murtaje kombetare, nje e keqe kombetare qe ne e kemi injoruar dhe qorrazi kemi genjyer veten e kemi lene te mashtrohemi nga politika e paskrupllt qe eshte kapur nga mafia qe eshte marre peng nga klientela e nuk kemi vec se nje sistem te varesise se ndersjellte. Ne ishim qe kemi votuar qorrazi keto monstra qe bejne ligje e bejne ligjin dhe kjo eshte simbioza e partive me korrupsionin e krimin ne kurriz te shoqerise. Si gjithmone pa makjazh dhe shume bindes i bien kembanave per ndergjegje qytetare duke i hequr masken pederastit te poshteruar politik pa dinjitet qe ben vetsherbim ne ciflikun e tij - shqiperine.

ky vend po behet i pa

ky vend po behet i pa jetueshem dhe dita dites po vdes shpresa, shpresoj dhe uroj qe ''qytetaria'' & ''shoqeria civile'' apo ndonje gje tjeter te reagoje per kete situate deshperuese qe po mbjell politika ne te dy krahet e saj..... zot fali, nuk e dine se cfar po bejne....

Tani e pa Tos K**i barbarine

Tani e pa Tos K**i barbarine e anarkine e nxitur nga "demokratet" saliste e PD-iste.

Se ku ka qene ky 22 vjetet e fundit zoti e di. Ky magjar ka bere opoziten e opozites per 10 vjete te shkuara, sot bertet "si ka mundesi".

SI KA MUNDESI ore kaqol, qe maskaralleqet e bera haptas nga banda e PD nuk i pe per 20 e kusur vjet rresht, po shikoje "krimet" imagjinare qe "do bente" Edi, PS-ja apo ndonje tjeter kur te vinte ne pushtet?

Hiqu sysh e na ler rehat, se boll e kemi zhurmen e pluhurin e ndertimeve me/pa leje, mos na ndot edhe mendjen tani.

Mucua

Kur lexon e degjon apo shikon

Kur lexon e degjon apo shikon nga keto te thote Lubonja, te duket ku e ku peticioni per Guvernatorin. Te duket se ky peticion duhet per Bashen e kedo qe kryen nga keto veprime. Do te duhej qe ketu t'i harxhinte energjite shoqeria civile, se vjedhja, sado e rende eshte vene ne zot, e ka mare ne dore prokuroria. Ndersa keto mbytje te njeriut, kete zenie fryme per ne e pasardhesit, asnje nuk e ka mere ne dore dhe s'ka asnje qe te dali e te protestoi. Te duket se cdo gje: shtypi, shoqeria civile e ku di una sa shoqata e institute ambjentaliste dhe keto komente jane kot fare.

Shyqyr qe e kuptove o Fatos
Shyqyr qe e kuptove o Fatos qe pd-ja eshte nje bande hajdutesh dhe se basha eshte kryehajduti! Nuk ka mbetur trotuar neper lagje pa u zene nga lokalet keto vite te bashes, ne Tirane. Bashkia duket si trupe pushtuese e qytetit, sa ta shporrim vitin tjeter!
Add new comment