Le të flasim pra, për familjen!

Postuar në 21 Maj, 2014 11:27
Kristi Pinderi

Me apo pa dashje peticioni i “intelektualëve” na fton në një debat shumë të rëndësishëm: atë për familjen.

Kush e shkatërron familjen?

Unë mendoj kështu:

Fëmijët nuk rrihen. Nuk u bërtitet. Ata dëgjohen dhe nuk neglizhohen. U qëndron pranë teksa zbulojnë veten edhe botën.

Kur i shikon të braktisur në rrugë, që lypin, që abuzohen, që masakrohen, që rrëmbehen, që përdhunohen apo që vriten, ulesh dhe minimalisht mendon: ore, mos janë këta të LGBT që bëjnë të tilla gjëra?!

Fëmijët nuk duhet të braktisen.

Por kur kjo ndodh ata kanë të gjithë të drejtën të gjejnë lumturi në një familje tjetër.

Te familja tjetër fëmijët do të duhet të rriten të lumtur, ndaj duhet të pyesësh: ka rëndësi dashuria dhe përkushtimi ndaj tyre apo orientimi seksual i familjarëve?

Fëmijët kanë nevojë për dashuri, qofshin këta fëmijë biologjikë apo qofshin ata të adoptuar pra. Vetëm për dashuri dhe për vëmendje.

Prindërit respektohen.

Nuk vriten!

Nuk vidhen!

Nuk u merret pasuria me dhunë!

Nuk përjashtohen.

Nuk lihen të vdesin të vetëm!

Partnerët mund të mos e duan më njëri-tjetrin në një moment të caktuar. Por nuk mund të detyrohen të kalojnë një jetë torturuese.

Mund të ndihmohen që secili të gjejë veten sërish, që secili të jetojë sërish e që secili, të vazhdojë të ndajë të njëjtat përgjegjësi për fëmijët e tyre.

Kjo do të ishte shumë më mirë edhe për fëmijët të cilët nuk i kanë borxh askujt, as mamit dhe babit të tyre që të jetojnë dhe ata një jetë torturuese.

Gruaja nuk rrihet!  

Gruaja nuk rrihet për as edhe një arsye!

Gruaja nuk kërcënohet, nuk mbahet nën presion.

Gruaja, edhe në familjet me partnerë meshkuj gej është shtylla: është nëna e secilit prej atyre të dyve!

Burri, ose përkushtohet ndaj gruas ose jo. Por kur mban edhe dashnore (me gjithë konotacionin e kësaj fjale), minimalisht nuk duhet të ketë guximin patetik të shënojë emrin në një peticion për familjen!

Motra dhe vëllai janë mbështetje dhe jo barrë!

Pasuria materiale është instrument, ndonjëherë edhe fat. Ajo mund te ndahet por nuk duhet te ndaje as motren me motren, as vellain me vellain, as vellain me motren. Si vëllai, si motra apo qe të dy së bashku janë pasuri që as nuk blihen, as nuk shiten e as nuk tjetërsohen.

Partneri apo partnerja është personi që ne zgjedhim ta vendosim në qendër të jetës sonë.

E zgjedhim ne, jo bota për ne!

Lidhja mes dy personave bazohet te dashuria.

Vetëm te dashuria.

Dashuria është ajo që pastaj na motivon të përkushtohemi.

Dashuria, jo Zoti! Se Zoti vetë është dashuri dhe jo imponim!

Dashuria, jo Frrok Cupi.
As Adem Demaci.

As Ermali.

E as Jonida! Madje as Luljeta! Dhe as Cipa!

 

Historia-ime.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.