Kuvendi i PD-së: Thjesht një formalitet
Kuvendi i PD-së, ngjarja më e rëndësishme e jetës politike shqiptare në hapje të sezonit të ri politik, u mbyll sikur të mos kishte ndodhur: si një formalitet i thjeshtë i një procesi tashmë të përcaktuar. Nuk është e vështirë të kuptohet se në kurthin e “normalitetit” të Kuvendit të PD-së kanë rënë si kundërshtarët e PD-së, ashtu edhe ithtarët e saj. Të dyja palët e konsiderojnë këtë ngjarje politike në përputhje me pritshmëritë dhe pritshmëria ishte se në PD nuk do të ndodhte asgjë. Kundërshtarët mendonin se në PD nuk mund të ndodhë asgjë, ithtarët mendonin se asgjë nuk duhet të ndodhë. Kuvendi i PD-së ishte kryesisht Kuvendi i statukuosë, dhe analiza e asaj që ndodhi, domethënë “asgjëja”, është thembra e Akilit e fatit të partisë më të madhe opozitare në vend. Dhe këtë analizë duhet ta bëjmë, pavarësisht entuziazmit apo dëshpërimit të palëve, pasi PD është një aset i shoqërisë shqiptare dhe zhvillimet e kësaj force politike i tejkalojnë kufijtë e interesit të anëtarësisë së kësaj partie dhe të grupeve që e kontrollojnë atë. Madje në këtë analizë nuk mund të mos vihet në dukje se përkundër perceptimit të përgjithshëm, aty pati edhe zhvillime pozitive mes të cilave nuk mund të mos përmendet edhe fjalimi cilësor i Bashës, në thelb të të cilit spikaste përpjekja për një komunikim të ri të strukturave drejtuese me masën e demokratëve dhe të qytetarëve, si dhe përfshirja e të rinjve në strukturat drejtuese të PD-së. Por, po aq e vërtetë është se në thelb këto zhvillime pozitive duken të pamjaftueshme për transformimin e PD-së nga një strukturë politike postkomuniste në një strukturë politike moderne. Lotët dhe modeli i demokracisë që ofroi Kuvendi. Nuk ka asgjë të keqe që dikush qan, madje është krejt njerëzore dhe të më ndjejnë zonjat që po i përmend lotët e tyre në këtë analizë. Por lotët e tyre më çojnë tek idhujtaria politike që ka mbisunduar jetën politike shqiptare gjatë gjithë historisë politike të shtetit shqiptar. Dhe kjo idhujtari politike na ka kushtuar shumë, pasi është e papërputhshme me demokracinë. Demokracia si sistem i alternimit ciklik të pushtetit e përjashton idenë e keqardhjes për alternimin e pushtetit. Politikani është i shënjuar prej sistemit të jetë i përkohshëm. Përkohshmëria e secilit varet nga mënyra e ushtrimit të pushtetit. Vetëm në regjimet totalitare cikli i jetës politike mbyllet me ciklin e jetës biologjike. Ishkryetari i PD-së, Sali Berisha, falë Zotit është gjallë dhe shëndoshë, ka humbur zgjedhjet dhe pushtetin pas 24 vjet jetë politike aktive, pjesën më të madhe të të cilave i kaluar në krye të qeverisjes së vendit dhe më në fund tërhiqet pas refuzimit masiv që qytetarët i bënë nëpërmjet votës popullore. Nuk di të ketë politikan në historinë e Europës demokratike që të ketë pasur kaq shumë ulje-ngritje, kaq shumë arritje dhe defekte që të ketë qëndruar aq gjatë në skenën politike. Pikërisht për këtë arsye, mallëngjimi për largimin e tij është krejt i pakuptueshëm. Sidomos lotët. Madje te kjo idhujtari qëndron edhe domosdoshmëria e largimit të tij. Kuvendi i PD-së, në vend që të shënonte fundin e idhujtarisë politike, tregoi se ajo është më e fortë se kurrë. Dhe ky model idhujtarie ka të bëjë me thelbin e partisë ku është kultivuar kjo idhujtari: me lirinë ose mungesën e lirisë brenda PD-së. Sali Berisha, në 24 vjetët e drejtimit të PD-së, e ka çuar PD-në drejt një mungese lirie të theksuar në emër të kompaktësisë dhe unitetit. Kjo mungesë lirie ka shkaktuar deformime të rënda të jetës demokratike brenda partisë, drejt mpirjes së sensit kritik dhe vetëkorrigjues të saj, pra në shndërrimin e saj në një strukturë piramidale të atrofizuar ku të gjitha vendimet dhe përgjegjësitë i merrte Berisha, i cili, nga ana e tij, nuk jepte llogari para askujt. Gjëja e parë që duhej t’u tregonte shqiptarëve Kuvendi i PD-së është pikërisht ky, pra që po heq dorë nga një model antidemokratik dhe jo rezultativ që është një reminishencë e komunizmit dhe se po shkon drejt një modeli demokratik, alternativ. Por kjo nuk ndodhi. Në Kuvend urra-të ishin më të fuqishme se kurrë dhe mendimi i lirë më pak i pranishëm se kurrë. Madje, zëra që prej kohësh kanë shprehur ndonjë rezervë jo kundër modelit të PD-së, po kundër prishjes së modelit tradicional, mbetën pa tribunë. Në tribunë pati njerëz që përloteshin, që mallëngjeheshin, që ankoheshin se si ua blenë apo morën pushtetin, por nuk pati qoftë edhe një diskutim të vetëm alternativ. Këtu ishte vendi dhe rasti të qarkullonte ndonjë ide sado e zbehtë për legalizimin e fraksioneve e gjëra këso dore që konsiderohen si sakrilegj. PD edhe këtë radhë u shfaq si turmë e orkestruar nga lidershipi.
ELITA E RE POLITIKE SI ZGJATIM I KORRUPSIONIT TË QEVERISJES
Këshilli i ri Kombëtar që doli nga Kuvendi është i pakontestueshëm nga ana formale sepse ai ka dalë nga zgjedhje të zhvilluara brenda strukturave zgjedhore të një partie, por kjo nuk e delegjitimon gjykimin publik ndaj tij. Është zhvillim pozitiv që ky Këshill Kombëtar u hapi rrugën mëtuesve të rinj për t’u përfshirë në jetën politike të së djathtës. Fakti që një pjesë e tyre janë emra të panjohur, mund të shihet në anën e saj pozitive, pasi janë figura të pakomprometuara dhe të pakorruptuara më pushtetin e dy mandateve të PD-së dhe, me pak talent politik, në të ardhmen mund të shndërrohen në një komponent nga mund të fillojë ndryshimi i pritshëm dhe i domosdoshëm i PD-së. Por mendoj se është entuziazëm i tepruar t’i quash ata elitë e re politike. Sepse elitat nuk krijohen në mënyrë laboratorike: ato janë produkt i një dinamike shoqërore dhe politike që del jashtë vullnetit të individëve apo partive për të bërë ndryshime. Një elitë është përfaqësuese e një sistemi vlerash dhe sistemet e vlerave kanë një cikël që i tejkalojnë ato të partive apo liderëve politikë. Shkurt, një elitë nuk emërohet, por shfaqet, afirmohet dhe artikulohet, pavarësisht nevojës së partive politike. Ana negative e Këshillit Kombëtar është se ky Këshill është i dominuar dukshëm nga drejtues të drejtorive kryesore, nga zv.ministra, ministra dhe këshilltarë që akuzohen nga opinioni publik si të korruptuar. Nëse ka pasur korrupsion, ky korrupsion është zhvilluar dhe toleruar nga nivelet më të larta të qeverisjes, nga Kryeministri dhe ministrat, dhe se për këtë janë shërbyer nga një rrjet drejtorësh të rëndësishëm të institucioneve kryesore të shtetit dhe funksionarë të lartë të administratës publike. Problemi në këtë rast është etik: nga njëra anë kërkon falje për korrupsionin, nga ana tjetër atyre që akuzohen si të korruptuar u lë në dorë partinë “e re”. Në sytë e publikut kjo e bën e opozitën të pabesueshme para qytetarëve shqiptarë, para të cilëve do të shfaqet shumë shpejt në sfidat elektorale. Përvijimi i PD-së si një formacion vazhdimësie i një qeverisje të korruptuar e shndërron PD-në në një opozitë të brishtë, e cila nuk mund të bëjë opozitë pikërisht për shkak se një pjesë e saj është e korruptuar, e frikësuar dhe lehtësisht e goditshme. E kemi parë këtë gjatë vitit të parë të PD-së në opozitë që sapo kaluam, ku ish-ministrat dhe eksponentët kryesorë të PD-së nuk guxonin të shfaqeshin publikisht pasi maxhoranca mund t’i kërcënonte me dosjet e korrupsionit. Problemi i tretë i listës së Këshillit Kombëtar qëndron në faktin se kjo listë është shumë pak përfaqësuese për shtresat ku PD ka edhe mbështetjen më të madhe, ish-të persekutuarit, ishpronarët, të djathtët dhe kategori të tjera sociale që janë aleatët tradicionalë dhe të qëndrueshëm të PD-së në këta 24 vjet demokraci.
BASHA-BERISHA, BERISHA–BASHA DHE ÇËSHTJA E LIDERSHIPIT
Kuvendi i PD-së nuk e zgjidhi çështjen e lidershipit të PD-së, një nga çështjet kyçe që pengon funksionimin e PD-së prej një viti. Me një kryetar de facto dhe një kryetar de jure, PD është paralizuar gjatë këtij viti. Berisha edhe këtë radhë tregoi se do të qëndronte në PD dhe do të kishte të njëjtin rol që ka pasur deri tani, dhe kjo u pa edhe në punimet e Kuvendit, ku Basha u kujdes dukshëm që të mos krijonte as edhe për një çast idenë se do t’ia merrte skeptrin nga dora liderit historik të PD-së. Natyrisht, mirënjohja e tij është për t’u përshëndetur nga ana njerëzore, por politikisht është joefikase. Madje nuk është as pjesë e etikës politike demokratike. Toni Bler në momentin që dha dorëheqjen nuk i qëndroi as përkrah, as mbi krye pasardhësit të tij, dhe po ashtu ka ndodhur edhe me Aznarin, Shirakun, Prodin apo më herët me Kolin. Në momentin që ata kanë dhënë dorëheqjen, pushtetin real e ka marrë pasardhësi, dhe kjo nuk ka shkaktuar as dhimbje, as mëri, as lot. Në ndryshim nga këto modele europiane duket se PD po zgjedh modelin Kastrist të Kubës komuniste, ku lideri historik i saj Fidel Kastro është larguar formalisht nga pushteti, pa e lëshuar për asnjë moment atë, duke nxjerrë në skenë vëllain e tij, i cili shërben si garant i pacenueshmërisë së tij. Nga Kuvendi u transmetua mesazhi se Basha është kryetar, por se edhe Berisha si ish-kryetar nuk kishte më pak pushtet se kryetari. Madje edhe ato që shfaqen si grupe brenda PD-së kanë dy alternativa; njëra, një PD me Bashën dhe Berishën kryetar, tjetra një PD vetëm me Berishën kryetar. Po çfarë partie prodhoi në të vërtetë Kuvendi? Një pyetje e tillë do të duhej të kuptohej nga programi ose nga vizioni i paraqitur në Kuvend. Nuk e pamë një gjë të tillë. Kuvendi nuk propozoi një alternativë programore ku shqiptarët të shikonin qeverisjen e ardhshme të PD-së. Për këtë arsye do të jetë shumë e vështirë që PD t’i tërheqë ata në aksionin politik, pasi ata nuk e dinë se çfarë zgjidhjeje të re ofron opozita e re në lidhje me ekonominë, arsimin, mjekësinë, pronën, shëndetësinë, rendin dhe shumë çështje të rëndësishme të jetës së qytetarëve shqiptarë. Natyrisht që një gjë e tillë në mënyrë të detajuar shfaqet në programet elektorale, por një kuvend të tillë të rëndësishëm duheshin hedhur elementët bazë të qeverisjes alternative. Lehtësia me të cilën u kaluan (ose anashkaluan) probleme të tilla madhore, të krijon përshtypjen se këtij Kuvendi i ka munguar pikërisht përgjegjësia politike, kuraja për të tejkaluar një moment kyç historik në të cilin ndodhet PD. Dhe kjo për faktin se Kuvendi u konsiderua thjesht si një formalitet. Dhe në fakt i tillë ishte.
"Panorama"
Comments
Po ik o Mark tutje se nuk te
<p>Po ik o Mark tutje se nuk te shkon kriticizmi per arsye te kriticizmit dhe e gjithe kjo per arsye personale sepse nuk te llogarisin me. Kritikon me argumente injorantesh. Nuk lexon as veten se cfare shkruan sepse je kundravatje me vete thenjet e tua. Njehere na kritikon lotet, gjoja sikur e pranon si normale, dhe here tjeter na thua se elitat konfirmohen ne udhe e siper. Po ja o Mark qe lotet qe po na kritikon qenkan mese normale sepse Sali Berisha nuk lindi as lider dhe as u komandua si lider por u be gjate rruges lider. Dhe lideri nuk perlot se eshte i kulluari por se ka lene mbresa ne menaxhimin e sa e sa veshtiresive qe ka cdo lloj nderrim sistemi ne nje vend qe e nisi demokracine nga hici e pa asnje politikan e intelektual qe ja dinte te shqiptonte drejte fjalen demokraci. Edhe kjo rruga qe ndoqi Berisha o Mark nuk analizohet me literaturat e rrethanat e demokracive perendimore te sotme por analizohet duke marr ne konsiderate fillesen e demokracise ne Shqiperi. Gabimet e Berishes jane njekohesisht edhe pasojat e katandisjes se Shqiptareve nga sistemi qe i burgosi per 45 vjet. Deshtimet e Shqiperise gjenden edhe tek populli Shqiptar sepse duke ja faturuar vetem Berishes cdo mangesi i bie qe te kishim te benim me popullin Gjerman, Francez apo Anglez qe perjetojne e kane fituar eksperienze me demokracine me shekuj te tere dhe jo ate shqiptar qe per hir te vertetes eshte i hurit e i litarit nga te gjitha anet. </p>
Eshte historikisht e njejta
Eshte historikisht e njejta gjuhe me ate te gjithe te larguarve nga partite. Njelloj si gjuha e dhelpres,se rrushte ishin te papjekur.
Ne naten e publikimit te fitores te mandatit te dyte te Obames, ishin me qindra perkrahes,admiruese dhe votues te tij qe perloteshin,gezoheshin dhe brohorisnin ne ekstaze.......
Te gjithe udheheqesit boterore, ne ushtrimin e detyres te tyre, bejne gabime. Dhe kjo eshte me se e natyrshme. Ne kete bote askush nuk eshte I persosur. Ndoshta,per cudi I persosur mund te jete vetem M Marku.
Sali Berisha ishte udheheqesi I pare shqiptar qe drejtoi Shqiperine ne rrugen e Demokracise, rruge qe u hap apo u zbatua per here te pare si sistem ne Shqiperi.
E natyrisht, si here e pare, e natyrisht ne nje vend me nje popull si shqiptaret, dhe ne nje vend ku komunizmi me I eger per 45 vjet u rrenjos ne shpirtin e shumices te shqiptareve dhe me urejtje kunder Demokracise e kapitalizmit, te gjitha keto sebashku dhe vec e vec kane influencuar ne berjen e gabimeve.
Por si do qe te jete MM le te krahasoje Shqiperine e vitit 1990 me Shqiperine e vitit 2013 dhe te shikoje ndryshimet qe solli udheheqja e Berishes.
Cdo ndryshim,vecanerisht ato ndryshime per mire, kalojne apo behen ne formen e spirales.
Brezi me I ri sjell natyrshem te reja. Keto MM duhet te pranoje se i di,por qe me ndergjegje dhe me qellim te keq, i haron dhe kjo e ben qe te shkruaje palacolleqe.
Add new comment