Kur monstrat të kenë një emër
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4195_kan.jpg?itok=ajiFZtvV)
Vriten 2 çifte të martën në darkë, dhe shkak ishte xhelozia e një personazhi që e mbyll karrierën e tij seksuale me këtë vrasje makabre. Nuk ka asnjë logjikë përveç kafshërisë, që të çojë përpara një njeri në gjest të tillë; nuk ka si të ketë. Ndjesia e parë që të vjen në mendje është se përveç dënimit me burgim pafund, këtij personazhi t’i vësh si dënim shtesë dikë që t’i flasë në mënyrë shteruese për absurdin e këtij veprimi fatal. T’i shpiegohet në një mënyrë apo një tjetër se ajo orgazëm (e pëshpëritur) që zotëria vrasës nuk donte ta ndante me askënd, tani ka ikur përgjithmonë. Jo vetëm fizikisht, por dhe atje ku gjurmët fizike nuk futen. Nga ai moment çdo cep i memories do jetë deng vetëm me plumba dhe horror. Po çfarë e shtyn një 40 vjeçar, dhe para tij shumë të tjerë që të sillen si qytë automatiku? Është seksi që pëlqehet deri në vetmohim, apo është vetmohimi që udhëheq deri në fund. Fillon si petit mort dhe mbaron si një vrasje e madhe.
...
Një grua qethet nga bashkëshorti dhe i biri, për faktin se ishte vonuar në kthimin e saj nga puna. Një grua jashtë çdo mundësie fizike për të patur kohë relaksi, me një mashkull tjetër. Në një botë paralele me këtë tonën ky gjest do ishte i pashpjegueshëm. Jo logjik. Përveç atje ku testosteroni nuk njeh limite logjike. Vitamina E që ndikon në përmirësimin e andropauzës është e pashitshme. Jemi në mbretërinë e bakllavasë. Sheqeri qe sundon pa mëshirë duket se ka efekte që trondisin çdo laborator kimie. Për gruan e dhunuar, puna e saj me të cilën ushqen dhunuesit, e çon drejt dhunës në mënyrë të pashmangshme. Ajo punon që të ushqejë, gatuan që të ushqejë, dhe në fund dhunohet me shpërfytyrim. Dhe mjetet e dikurshme të mbrojtjes, nënshtrimi total, lugët-pirunjtë në vendin e tyre, ushqyerja me rregull e në kohë e meshkujve nuk ka mjaftuar. Dashuria prej nëne, koha e harxhuar mbi kokën e të birit, herët që ka ngelur pa gjumë, ishin përpjekje për të cilat vetëm mund të pendohet.
...
Para pak kohe një këngëtare e re u morr zvarrë nga i dashuri i saj pasional, që pasionin e tij të fortë nuk e tregoi dot përveç se duke shtuar shpejtësinë e një makine të madhe sa egoja e tij. Ndoshta më të vogël se ajo që ai priste përtej makinerisë. Me më pak pasion por me të njëjtin vullnet u kujdes që shteti ta konsideronte aksident. Nuk mjafton që një histori banale përfundon si farsë e një tragjedie shekspiriane, por në skenë futen dhe gjykatat. Me vendimin qesharak ja dolën që të na tregonte që makineria e shtetit që quhej drejtësi, vlen realisht sa një kompozim fallik’ i dështuar si egoja e biznesmenit me makinë. Nuk ka leje drejtimi të mjetit që e justifikon dështimin e saj. Nuk ka pushtet që mund të tregohet më matrapaz. Ajo që ngelet, nëse gjykata s’të jep drejtësi, por vendos me testosterone, është se të gjithë pas saj jemi dashnorë të marrë zvarrë.
…
Shoqëria, si reagon ndaj një burri që merr kallashin për xhelozitë e veta banale? Mos vallë ndërron kanalin e televizorit? Apo më keq akoma, mendon se krimineli ishte viktimë, si të gjithë në momente dalldie?
Shoqëria shqiptare duket se moralisht është në anën e dhunuesit, pavarësisht se jo rrallë nga frika e plumbave qorrë reagon e indinjuar. Shoqëria po ushqehej me bakllava, ato ditë, nuk kish’ kohë për reflektim. Ajo vetë ka në gjenet e saj deformimin të cilin e ushqen me sherbetin e moralit; në mund të konsiderohet dëshira për të vrarë një grua, moral; në sulmin babë e bir, ku skenarët kalonin nga uji i valuar tek therrja me brisk. Nëse moral është fakti që dhuna është kaq evidente. Ndoshta një qokë atje në bulevard, do ish’ më mirë. Të paktën në kushtet kur askush s’po lë mënjanë as një ëmbëlsirë. Ndërrohet kanal, po mesa duket i sintonizuar kolektivisht, për mos patur as pakënaqësi.
Faktet thonë që mbi 98% e rasteve nuk denoncohen. Që numri i vrasësve është vetëm në rritje, flet për një frikë legjitime të viktimave. Kur mjekët nuk kujtohen të denoncojnë, kur uniformat blu ndjehen jo rrallë në anën e dhunuesit, pyetja ngelet: Çfarë do të ndodhë nëse do të denoncoj? Apo situata mundet vetëm të përkeqësohet? E vërteta tregon se nga gjykata nuk dalin fajtorë vrasësit, por shpesh viktimat. Pesha e turpit i ndjek dhe pasi kanë mbijetuar. E nëse kanë vdekur, turpi s’mund t’u ndahet më. Nëse s’do vendosim t’u gjejmë një emër mostrave, mostra do jemi vetë, spektatorë të paaftë për të qenë as kriminelë.
Revista Klan nr. 852
Add new comment