Kur kombi nuk është shtet e kur shteti nuk është shtet
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6301_timthumb_107.jpg?itok=zFAE_N0-)
Lorik Cana, kapiteni i deri sot kombëtares së Shqipërisë, ka shprehur pakënaqësinë, tani që edhe Kosova do ketë ekipin e vet të futbollit, që një pjesë e lojtarëve të kombëtares do luajnë për ekipin e Kosovës. Dhe nuk rrëfen merak vetëm për cilësinë e ekipit, por edhe më gjerë, edhe për pasojat negative që mund të ketë kjo ndarje e “kombëtares” në realizmin e ëndrrës së bashkimit kombëtar. Dhe vërtet duket paradoksale: Një komb me dy ekipe kombëtare futbolli?

E gjithë kjo ngatërresë i ka rrënjët në faktin që edhe sot e kësaj dite, edhe në literaturën shkencore, nocioni i kombit mbetet i papërkufizuar në mënyrë të qëndrueshme ose më saktë, i jepen kuptime që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Dhe janë dy nocione kryesore. Njeri, më i lashti, e përkufizon kombin si bashkësi e njerëzve që bashkëndajnë gjuhën, kulturën, zakonet, të kaluarën dhe të parët e tyre. Pra, e sheh kombin thuajse si një bashkësi natyrore, biologjike njerëzish. Tjetri nocion, më i vonë dhe që pretendon të jetë më modern, e përkufizon kombin më shumë si një bashkësi politike sesa biologjike. Pra, për të, njësia e kombit nuk presupozon bashkësinë e gjuhës apo trashëgimeve të tjera, sesa të qenët e njerëzve bashkë në të njëjtin territor shtetëror. Ky nocion i dytë e barazon kombin me shtetin.

Por historia ka provuar se edhe pas lindjes së atij që quhet shteti-komb, vështirë të gjendet një komb kufijtë natyrorë të të cilit (të truallit dhe të gjakut), të përputhen me ato të shtetit. Ose shteti do të jetë më i madh se kombi ose kombi më i madh se shteti. Shteti dhe kombi rrallë mund të paraqiten identikë. Gjë që na shtyn në përfundimin se, jo vetëm praktikisht, shteti nuk është kombi dhe kombi nuk është shteti. Po t’i përmbahemi këtij koncepti na rezulton se kombi shqiptar është shumë më i madh se shteti i Shqipërisë apo shteti i Kosovës, veç e veç, por edhe të marrë së bashku. Kombi shqiptar, konceptuar si bashkësi e gjakut dhe e gjuhës, shtrihet (pa llogaritur diasporën dhe emigracionin) në 5 shtete.

Por nëse do të pranonim nocionin se çdo shtet është automatikisht edhe një komb atëherë do të rezultonte se sot, kur ka dy shtete shqiptare, paska edhe dy kombe shqiptare, kombi i shtetit të Kosovës dhe kombi i shtetit të Shqipërisë. Një konkluzion absurd që nuk mund të pranohet nga logjika: një komb që është njëherazi dy kombe?‼ Është njësoj si të thuash se 1-shi është njëherazi edhe 2-sh.

Dhe këtu e ka themelin edhe shqetësimi i Canajt. Përse duhet të kemi dy kombëtare kur jemi një komb?, pyet ai. Ai pyet nisur nga koncepti i kombit si bashkësi gjuhe, gjaku, trashëgimie kulturore, historie etj. Por e vërteta është se Kosova, ndonëse pjesë e kombit shqiptar, është tashmë shtet më vete, ka flamurin e vet, Parlamentin dhe qeverinë e vet, Presidentin e vet, popullin (dhe populli nuk është, siç perceptohet rëndom, i njëjtë me kombin) domethënë, “Demosin” e vet. Dhe si shtet ajo duhet të ketë edhe përfaqësuesen e vet. Në këtë pikë ndeshim një tjetër emërtim të gabuar që pjell konfuzion. Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) i quan ekipet e shteteve të ndryshme “kombëtare”. Duket se atje kanë përvetësuar konceptin shteti = kombi. Në këtë rast edhe ekipi i Kosovës duhet të quhet “kombëtare”. Por, e përsërisim, a nuk është absurd të ketë një komb me dy kombëtare?! Prandaj kush luan, “kombëtarja” apo përfaqësuesja e shtetit? Sipas nocionit “shteti është edhe kombi” i bie të luajë kombëtarja. Sipas nocionit “shteti nuk është kombi” i bie të luajë ekipi përfaqësues i shtetit. Në rastin e parë kapiteni Canaj nuk do kishte të drejtë, sepse Kosova si shtet, pra edhe si komb, duhet të ketë edhe kombëtaren e vet. Në rastin e dytë nuk do kishte prapë të drejtë, sepse nëse shteti nuk është baras me kombin, nuk luan “kombëtarja”, por përfaqësuesja e tij. Dhe lojtarët kosovarë është e logjikshme të luajnë me përfaqësuesen e shtetit të Kosovës dhe jo me përfaqësuesen e shtetit të Shqipërisë.

Ne jemi me rastin e dytë. Atë që shteti nuk është kombi. Ndaj themi se në Europian apo Botëror nuk luajnë “kombëtaret”, por përfaqësueset e shteteve. Është një realitet që për shkak të globalizmit, multietnicizimit gjithnjë e më të thellë të bashkësive politike (shteteve), po e nxjerr jashtë loje dhe si të vjetruar nocionin e “kombëtares”. Ky emërtim është në fakt, guaska e ngurtësuar e një realiteti krejt të ndryshuar brenda saj. Dhe këtë e provojnë rastet e shumta të futbollistëve që duke qenë shtetas të një shteti larg atdheut të tyre, kanë luajtur edhe kundër “kombëtares” së atdheut. Ka pasur deri edhe vëllezër që kanë luajtur në “kombëtare” (në të vërtetë në përfaqësuese) të ndryshme. Januzaj mund të luajë me Anglinë, por kjo nuk e bën atë anglez. Mund të luajë me Anglinë edhe kundër Shqipërisë apo Kosovës, kundër përfaqësueseve të tyre, por jo kundër “kombëtares”. Sepse pas daljes së shtetit të Kosovës nuk ka më një “kombëtare”. Përfaqësuesja e Republikës së Shqipërisë i merrte, simbolikisht, edhe atributet e “kombëtares”, sa kohë që në arenën ndërkombëtare të futbollit nuk luante ekipi i një shteti tjetër shqiptar. Por me të dalë ekipi i Kosovës, ato atribute bien vetiu. Por ato edhe mund të rilindin vetiu nëse një ditë Shqipëria dhe Kosova (edhe pse kombi është përsëri më i madh se kaq) bashkohen në një shtet të vetëm.

Termi “kombëtare” për skuadrën përfaqësuese të një shteti e ka rrënjën te barazimi i shtetit me kombin. Por është një term i vjetruar që nuk pasqyron një realitet global të ndryshuar vrullshëm nga hapja, komunikacioni, emigracioni dhe globalizimi. Dhe nuk është vetëm ai. Duke i qëndruar kësaj logjike mund të thuhet, për shembull, se edhe vetë emërtimi Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) nuk pasqyron saktë atë që, në fakt, është përfaqësim i shteteve dhe jo i kombeve. Në të vërtetë ajo është Organizata e Shteteve të Bashkuara të Botës. Por nuk është e para herë që një send është krejt tjetër nga çka na thotë emri i tij. Dhe njerëzit e pranojnë, si automatë, pa reflektim.
"Shqip"
Comments
Sidoqofte Lorik Cana ka te

Sidoqofte Lorik Cana ka te drejte. Mund te behen akrobacira te shumta me termat komb dhe shtet, por e mira do te ishte qe Shqiperia dhe Kosova te perfaqesoheshin nga nje "kombetare". Une them se autori ka harruar te analizoje termin "popull". Pra populli shqiptar. Une mendoj se edhe kosovaret kane te drejte te quhen shqiptare. madje per patriotizmin e tyre ata jane me shqiptare se ne banoret e Shqiperise. Ata i bejne nder me shume flamurit kuq e zi sesa ne. Edhe nje here po e perseris: Lorik Cana ka te drejte. Serbet e Bosnjes po bejne gjithçka per tu bashkuar me Serbine. Banoret ruse te Krimese po ashtu. Po ne perse ne kemi frike nga bashkimi?! Te bashkuar do te jemi edhe me te forte dhe me te respektuar nga te tjeret. Por ka pasur nje Esat Pashe, qe e vrau Avni Rustemi, qe donte nje Shqiperi nga Mati ne Vjose. Te tjerat ia linte Serbise dhe Greqise. Ka pasur edhe nje fare "Shalli" ne Kosove qe deklaronte se Prishtina duhet te mbetet e barazlarguar nga Beogradi dhe ...Tirana!!!Ka edhe te tjere sot qe duan dy skuadra futbolli, dy kombe shqiptare etj etj....

Shkrim i thelle, me

Shkrim i thelle, me reperkusione te pritshme deri ne ndryshimin e emrit te OKB. Ja kjo eshte gazetaria e lavdishme kombetare shqiptare, pardon perfaqesuese e shtetit shqiptar, pardon e dy shteteve shqiptare, por me shqiptare edhe ne shtete te tjera, pardon e Kosoves qe mund te quhet shqiptare, madje edhe me shume se Shqiperia etj. etj.

What the fuck is this? A mund te kete konfuzion me te madh se kaq?

ngjarjet ne bote po ju

ngjarjet ne bote po ju nxjerrin bllof vazhdimisht ju vdisni per shtet pa komb. shumekombetarizmi deshtoi. dy gjermanite u bashkuan pikerisht per shkak te shtetit-komb. jugosllavia,cekosllovakia, bs-ja,sudani, dhe ukraina se fundi po ndahet per shkak te formimit te shtetit-komb. ky eshte modeli me i sukseshem dhe me i qendrueshem. perrallat me kombin kosovar i bejne ata qe nuk duan fuqizimin dhe perparimin e shqiptareve.

bravo lorik canes. patriotizmi shqiptar eshte i mpire momentalisht per shkak te politikes antishqiptare te sali esat pashes dhe pseudokozmopoliteve te rames, por shpresojme qe gjerat te ndryshojne ne te ardhmen e afert.

Add new comment