Kjo s'është një apologji e kapitalizmit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2018/07/download_2018_07_28_23.jpg?itok=b547ph0u)
Si këndonjës i yshtur prej shtypit të përtej-Atlantikut, gjithësaherë pikas debate të një karakteri ndërkombëtar që përthithen nga zymtësia tipikisht izolacioniste e gazetashitjes shqiptare, nuk prapsem shumë të ndërfutem edhe unë në analiza e post-përfundime. Për shembull, fenomeni i lëvizjeve të mbiquajtura “Occupy” - nga Wall Street e deri në Romë e Frankurt - më ka ngacmuar vëmendjen; sinqerisht, më tepër se ç'mund të më ledhatonin imagjinatën sorrollatjet e përplasjeve publike shqiptare. Eshtë thjesht e pamundur t’i bëhet bisht një fenomeni, qoftë ky edhe përtej brengave tona të përditshme, që gjithësesi herët a vonë mund të trokasë në derën tonë; të paktën qyshse këtë të fundit e kemi të shkallmuar ndaj çdo lloj eksibicionizmi të natyrës politike drejt të cilit na shtyn një biçim kompleksi inferioriteti kundrejt çdo krahasimi me botën e jashtme. Në këtë trajtë, të paktën në sferën e qerthullit publicistik që prodhohet nd’anët tona, do t’ishte e rastit që ai sulm frontal ndaj kapitalizmit, i pranishëm në disa qendra financiare të botës perëndimore, të vështrohej me një sy më shumë kritik sesa thjesht informativ e, akoma më keq, imitues.
Le ta hedhim vështrimin në radhë të parë mbi objektin e kundërshtimit, apo më saktë, në faktin se përse disa masa të revoltuarish me mirëqenie relative (krahasuar të paktën me bashkë-të-inatosurit e tyre në pjesën arabe të globit) gjejnë arsye për të protestuar rreth tërësisë së një sistemi jo vetëm ekonomik, por që prek kënde të jetës politike, sociale apo kulturore. Akuza e parë që u mvishet atyre, është mungesa e qartësisë në kërkesa (nëse kanë), dhe pas saj, antagonizmi i verbër si qëllim në vetvete. Natyrisht që kritika ndaj sistemit është një nga kolonat ngurtësisht të qëndrueshme të çfarëdolloj përmirësimi të tij, thënë kjo edhe për ato aspekte të mbiquajtura të “pamëshirshme” apo “mjeruese” që kapitalizmi mbart me vete. Por, nëse flasim thjesht për një aspekt elementar siç është përfaqësimi në këto protesta, paradokset tingëllojnë të shumta. Nje politolog i mirënjohur amerikan, në një shkrim së fundmi kushtuar pikërisht bashkëpatriotëve të tij të rinj që hedhin slogane anti-kapitaliste duke kënduar këngët kubaneze të revolucionit kastrist, pyet veten nëse protesta të tilla janë kthyer në një recital apo rit të zakonshëm më shumë sesa diskurs i vërtetë politik. Sepse çka bie më shumë në sy nga këto demostrata është karakteri rinor i tyre, edhe pse, s'përjashtohet prania e veteranëve të viteve kontestuese '60-'70. "Më parë, kur shumë puntorë të industrive amerikane kishin 70 apo 80 orë punë javore, me pak ose aspak arsimim dhe në mungesë të parave dhe kohës së lirë për t’iu përkushtuar politikës, protesta të tilla kishin shumë rëndësi. Njerëzit sakrifikonin kohën e pakët të lirë javore, rrezikonin të përfshiheshin në listën e zeze – humbnin punën apo pushoheshin duke mos patur as të drejtat minimale asistenciale – dhe shkonin përballë situatash në të cilat “brutaliteti policor” nënkuptonte vrasjen apo gjymtimin, pa shpresë në kurrëfarë dëmshpërblimi." (W.R.Mead). Dhe në të vërtetë, po të shohësh sot imituesit e protestave për të drejta civile të viteve ’60, bardhësia metaforike e fytyrës së tyre i tregon shumë larg atyre masave të proletariatit të kalbur nëpër fabrika e skalitura ndër skenat e neo-realizmit italian. Do t’qe më mirë në këtë rast t’i hedhin një sy filmave të Pasolini-t sesa reklamave në seri të bluzave të Cheguevara-s. Madje, n'ato vite, një mendimtar i majtë si Marcuse, s'pranoi si pararojë të revolucionit as proletariatin, tashmë tepër i borgjezuar. Le të mos përfytyrojmë se ç'do thoshte sotdita po të vërente sesi studentët – atëhere Marcuse i mvishte veti të plota kryengritëse – zbaviten mes high-teck-ut dhe konsumizmit.
Zanafillën e një hulumtimi të tillë në të shkuarën, e pata tek lexoja plot endje një artikull të organit "Gazeta", mbledhje e intelektualëve radikalë të majtë shqiptarë, qëndisur nga mikja ime Jona Mersuli (së fundmi botuar edhe në ResPublica.al). Me titullin vetë-përshkrues "Occupy do të thotë zaptim, jo negocim", Mersuli shpjegon sesi thelbi i ndërmarrjes që zë fill nga Wall Street, është që të shkojë përtej konceptualizmit që kapitalizmi vetpërdor për të gjalluar. Sipas saj, vetë zgjidhja që i propozohet fenomenit "Occupy" vjen nga kategori sociologjike, ekonomike apo me keq, filozofike, që i përkasin vetë kapitalizmit; pra nga ajo gjithësi normash që "Occupy" pikërisht kundërshton. "Propozimi kërkohet nga dhe me premisat e kapitalizmit. Arsyet e zemëratës së këtyre njerëzve mund të jenë vetëm arsye që gjejnë kuptim brenda sistemit kapitalist. Si të thuash, terminologjia thellësisht kapitaliste (efiçent, efikas, fitimprurës) pavarësohet nga sistemi brenda të cilit fiton kuptim dhe mëton të bëhet kriter vlerësues i pavarur". Eshtë normale që Mersuli e sheh si mëkat objektiv një fillesë të tillë interpretimi, përderisa sipas saj, "lëvizjet Occupy e kundërshtojnë këtë sistem nga jashtë, jo nga brenda; prandaj nuk mund të analizohen brenda perspektivës kapitaliste. Duke e kundërshtuar nga jashtë, pohojnë mundshmërinë e këtij akti". Arsye pse, sipas autores, propozimet dhe kërkesat e protestuesve nuk janë “të qarta” dhe “specifike" për kritikituesit e tyre.
Përshtypja ime fillestare është se teza e Mersulit, gjithmone nëse masa heterogjene protestuese ka bagazhin konceptual të autores, rrezikon të jetë butaforike dhe tejet thjeshtëzuese. Nëse paradigma interpretuese ndaj lëvizjes "Occupy" dergjet përbrenda kategorive të kapitalizmit, po ashtu, ajo kritikuese ndaj interpretimeve të tilla rrezikon të jetë konservatorisht veç marksiste. Përmbysjet - ato që në artikullin e sipërpërmendur gjejnë idealisht prologun tek zaptimet - përkundrazi nisin gjithmonë nga brendësia e sistemit, nëse pranojmë qasjen hegeliane (e rrjedhimisht atë marksiste të materializmit dialektik). Vetë kapitalizmi ka lindur si pasoje e një shtrëngate sulmesh që i erdhën rendit të tij paraardhës gjithashtu nga brenda. Dhe kjo është një e vërtetë empirike si për Mersulin që kapitalizmin e gjykon një sistem tashmë të perënduar, si për mua që besoj në dinamizmin e tij vetpërtëritës (në kundërshtim me statizmin e socializmit real, arsye themelore e dështimit të tij). Mos harrojmë gjithashtu, se edhe interpretimi marksist i sistemit kapitalist e pati qasjen e parë fillestare prej nga brenda sistemit, duke qenë së pari një kritikë e mirëfilltë e ekonomisë politike zbatuar nga këndvështrimi i risisë së atëherëshme, klasës borgjeze. Madje, do ngulçonim më tej duke pohuar se tërësia e traditës marksiste dhe marksiane (pra duke dalluar ata që zhvilluan teorine e Karl Marx-it nga ata që thjesht e interpretuan) nuk u mor shumë me programimin e një sistemi më të mirë sesa me kritikën ndaj atij që konsiderohej i keq. Kjo solli edhe pasojat e heterogjenizimit të kësaj kritike në galaksi të ndryshme teorie dhe praktike, faktor që e vuajnë edhe studentët e sotëm që protestojnë dhe duan thjesht të shembin pa kokëçarje mbi një ndërtim të mundshëm pas rrëkëllimës.
Këtu, çështja ironikisht hamletiane është se pas zaptimit ç'do të bëhet? - nisur edhe nga premisa kushtëzuese e një akti të tillë, pra kërkesa për ndryshim. Në këtë ndodhi, kjo është pjesa më paradoksale: nuk ka kërkesa dhe kur ato arrijnë të përtypen në një farësoj formulimi, nuk janë të qarta. Kështu që, nuk mjafton aspak një përgjigje-epilog si ajo e Mersulit: "Nuk ka se si të ketë kërkesa, pasi kërkesat nënkuptojnë një palë që do të përgjigjet. Në këtë rast, lëvizja nuk i drejtohet kujt tjetër; lëvizja e kundërshton këtë tjetër" e më pas "Askush nuk po ju pyet. Po ju zaptojnë!" - drejtuar tërësisë së padronëve (politikanë, korporativistë, bankierë etj). Kur në vend të shkëmbimit ka përmbysje, do të ishte më e drejtë që rrugët të kryqëzoheshin edhe me ndonjë alternativë ideore. Sepse, sa për nihilizëm të pastër, siç ishte në shekullin e XIX-të ideologjia ruse e Bazarovit në romanin e famshëm të I.Turgeniev, historia sjell plot shembuj të dështuar shkëndijë-ndezësish të cilët thjesht zëvendësohen nga një përqafim që masat, dikur të revoltuara, i bëjnë nevojës për fund të zallamahisë. Nihilistët rusë u pasuan shpejt nga shtetëzimi i rreptë sovietik, i cili shfrytëzoi bombat e të parëve për të paqësuar pastaj sistemin e ri armik të çdo fare antagonizmi apo zaptimi. Të rinjtë e sheshit Tahrir në Kajro - madje duke mbajtur një qetësi stoike - nuk arritën të prodhonin një leadership programativ. Arsye për të cilën sot janë të dënuar të zgjedhin mes gjeneralëve që mëkëmbën Mubarakun dhe Vëllazërisë Muslimane që ëndërron "opiumin" e Kalifatit.
E megjithatë, janë pikërisht këta të fundit që në refleksionin tim kërkojnë më shumë vëmendje serioze në ballafaqimin shqiptar me botën e jashtme, sesa ç'meritojnë bashkëmoshatarët e tyre faqekuqë në kryeqëndrat perëndimore. Nisur edhe nga ngjashmëria më e madhe që kemi në skamje me turmat e shpërndara arabe, do t'qe e udhës që të pranonim më në fund se me ta na bashkon edhe tërësia e halleve. Vetëm atëherë do t'qe e udhës të flisnim për zaptim që ja vlen, që shkon përtej kënaqësisë estetike të ritualitetit tashmë të vjetëruar dhe që ka një ide më të qartë se me çka do të zëvendësojë plehrat që po i sjell e tanishmja.
Comments
O ka te idhnuar,te
<p>O ka te idhnuar,te pakenaqur,te revoltuar,te deshperuar,te nxehur, te inatosur ,te pashprese ne Shqiperi o nuk ka vend tjeter ne bote.Megjithate rrine shume urte.Kjo sipas meje jo se duan ata qe drejtojne vendin sot,por me shume nuk duan ata qe pritet te drejtojne vendin neser.Prandaj jane kaq te sjellshem,te urte,mirekuptues dhe zemergjere.Nuk e trazojne qeverine por as opoziten jo.Flejne e ngrihen te urte.Po efekt nuk po ben as CIVILJA shoqeri as media.Kjo per faktin se keto te fundit jane shume me te inkriminuara se politika.</p>
Sikur e dija qe diku ne kete
<p>Sikur e dija qe diku ne kete artikull te Qesarit do gjeja nje fraze te tille:</p><p>"Të rinjtë e sheshit Tahrir në Kajro - madje duke mbajtur një qetësi stoike - nuk arritën të prodhonin një <em>leadership</em> programativ. Arsye për të cilën sot janë të dënuar të zgjedhin mes gjeneralëve që mëkëmbën Mubarakun dhe Vëllazërisë Muslimane që ëndërron "opiumin" e Kalifatit."</p><p>pak islamofobi "light" edhe pse tema nuk ka lidhje fare me myslimanet...</p><p>a jam vetem une qe shqetesohem nga kjo gje????</p>
Add new comment